4.2 mln euro të dyshimta/ Cili ishte roli i ish-ministrit Nasip Naços dhe Avokates së Shtetit në gjobën 110 mln euro të Becchettit
Procesi gjyqësor mes Shqipërisë dhe biznesmenit italian Francesco Beccheti, i cili u ngarkoi shqiptarëve faturën marramendëse 120 milionë euro, përveç përgjegjësisë direkte të zyrtarëve më të lartë të qeverisë, ekspozon një rrjet të mirëfilltë konflikti interesi dhe transaksionesh të dyshimta të ngritura rreth Avokaturës së Shtetit.
Historia nis në vitin 2015.
Në 23 janar 2015, Avokatura e Shtetit nis procedurat për të kontraktuar studion ligjore që do të mbronte Shqipërinë në abritrazh për dy paditë e ngritura nga Beccheti. Tre javë më vonë, në 13 shkurt, Avokatura e Shtetit, që në atë kohë drejtohej nga Alma Hicka, shpalli fituese studion angleze Wragge Lawrence Graham and co.(WRAG Llorens Graham and Co) me çmimin rekord 2.2 milionë euro.
Por tenderi do të ngrinte menjëherë dyshime edhe vetë brenda qeverisë. Pas shpalljes së fituesit, ish ministri i Drejtësisë Nasip Naço, përmes një shkrese i kërkon Avokaturës së Shtetit se pse kishte ndjekur dy standarde të ndryshme në përzgjedhjen e fituesve për dy paditë e ngritura nga Beccheti duke hedhur hije dyshime se studioja britanike nuk kishte reputacionin dhe kapacitetin e duhur për të përfaqësuar një çështje kaq të rëndësishme.
Më parë në tryezën e Nasip Naços kishte mbërritur një ankesë nga një prej konkurrentëve në tender, studioja e mirënjohur Derains&Garavi. Edhe pse më parë, kjo studio kishte përfaqësuar Shqipërinë në disa procese gjyqësore arbitrazhi, të gjitha të fituara Avokatura e Shtetit e skualifikoi duke e vlerësuar me zero pikë.
Për këtë në ankesën drejtuar ministrit Nasip Naço, avokati Hamit Gharavi, hidhte hije të rënda dyshimi mbi tenderin që përzgjodhi studion britanike duke akuzuar Avokaturën e Shtetit për konflikt të drejtpërdrejtë interesi.
Por saga sapo kishte filluar. Një vit pas përzgjedhjes së studios britanike, Ministria e Energjisë inicioi një projektvendim për t’i dhënë 2 milionë euro të tjera shtesë studios britanike, Wragge Lawrence Graham and Co, veç çmimit rekord prej 2.2 milionë euro të paguar në në momentit e përzgjedhjes.
Vërshimi i parave lumë drejt studios britanike, krijoi dyshime edhe vetë brenda qeverisë. Në ministrinë e Drejtësisë ishte larguar Nasip Naço, por kishte ardhur Ylli Manjani. Përmes një shkresë zyrtare, Manjani i kërkonte sqarime Ministrisë së Energjisë, për koston shtesë prej 2 milionë eurosh që po paguhej për studion britanike. Në përgjigje, Damian Gjinkuri e justifikonte pagesën shtesë si kosto për ekspertët e pajtuar nga studioja avokatore.
Për 1 vit e gjysmë tentative e qeverisë për t’i dhënë para shtesë studios britanike u bllokua nga Ylli Manjani. Por pas largimit të Manjanit nga Ministria e drejtësisë konflikti u zgjidh dhe rruga për pagesat u zhbllokua. Përmes dy vendimeve të shpejta në qershor dhe korrik 2018, qeveria miratoi dhënien e 2 milionë eurove shtesë për avokatët britanikë. Pra në total, 4.2 milionë euro duke e bërë këtë kontratën më të shtrenjtë juridike në historinë e Shqipërisë.
Sa më shumë kalonte koha, aq më shumë do të shtoheshin dyshimet për konfliktin e interesit, mbi Avokaturën e Shtetit. MCN publikon ekskluzivisht dokumentet e Gjykatës së Arbitrazhit, të cilat hedhin dritë mbi aktorët që kanë përfaqësuar Shqipërinë në procesin me Beçhetti. Mes tyre, sipas vendimit të gjykatës, rezulton edhe studioja ligjore “Haxhiaj dhe Hajdari”, në cilësinë e nënkontraktorit nga studio ligjore britanike.
Studio ligjore “Haxhiaj dhe Hajdari” është themeluar në vitin 1992. Në shkurt të vitit 2013, asaj i bashkohet si ortak, Envi Hicka, bashkëshorit i avokates së shtetit, Alma Hicka. Sipas dokumenteve në QKR rezulton se Hicka, ka qëndruar vetëm 1 vit si ortak tek studio Haxhiaj dhe hajdari, pasi në fillim të vitit 2014 i ka shitur 5 për qind të aksioneve që zotëronte për vetëm 5 mijë lekë.
A ishte kjo një shitje, thjesht fiktive? Dyshimet kanë qenë edhe mes vetë institucioneve të shtetit, pasi pak ditë më parë komisioni i pavarur i kualifikimit e shkarkoi gjyqtaren Alma Hicka për mos justifikim të pasurisë dhe për konflikt interesi. Megjithatë në rastin e Becchettit, faktet janë këto. Avokatura e Shtetit përzgjodhi në mënyrë të dyshimtë studion britanike për të mbrojtur Shqipërinë kundër Becchetit duke i paguar asaj 4.2 milionë euro.
Studio britanike ka pajtuar si nënkontraktor firmën shqiptare në të cilën bashkëshorti i ish-avokates së Shtetit ka qenë ortak. Se sa nga 4.2 milionë eurot, që Avokatura dhe qeveria i paguan studios britanike, u kthyen sërish mbrapsht në Shqipëri përmes manovrës me studion “Haxhiaj dhe Hajdari”, kjo mbetet të verifikohet nga prokuroria. Por procesi i Becchetit është i mbushur me dyshime për aferë nga të gjitha drejtimet./ MCN