4 bashkitë ku Alibeaj dhe Berisha ”vranë” fitoren
Demokratët në këto zgjedhje lokale që u mbajtën më 14 Maj 2023, humbën çdo gjë, bastione historike, si Shkodra. 7 bashki të vogla fituan me shumë vështirësi, por do të fitonin edhe pak më shumë. Nëse në 4 bashkitë ku demokratët dolën me dy kandidatura do të kishin bashkuar forcat, do fitonin. Përçarja dhe inatet me njëri-tjetrin i dëmtoi veçanërisht në Mallakastër, Këlcyrë, Kuçovë dhe Finiq, ku nëse do të kishin dalë me një kandidat do të kishin fituar ndaj Partisë Socialiste, e cila në këto 4 njësi vendore ishte e vetmja konkurrente përballë.
Në Kuçovë nëse 6222 votave të marra nga Lefter Maliqi i koalicionit “Bashkë Fitojmë” do t’i shtoheshin edhe 739 votat e Ilirjan Koxhajt të Partisë Demokratike do të arrihej që me një diferencë prej 57 votash dhe fitorja do të kalonte djathtas.
Në Mallakastër, Agron Kapllanaj i Partisë Demokratike zyrtare mori 5789 vota, ndërsa Resmi Shanaj i “Bashkë Fitojmë” 735 vota. Nëse edhe këtu do të kishte një bashkim forcash, fitorja ndaj socialistëve do të ishte arritur me një diferencë prej 445 votash.
Në Finiq Leonidha Papa i Partisë Demokratike Zyrtare siguroi 1705 vota, por nëse do t’i shtoheshin edhe ato të Leonidha Hristos të koalicionit “Bashkë Fitojmë” prej 1911 do të ishte arritur një fitore me një diferencë prej 1344 votash ndaj kandidatit Romeo Çakuli të Minoritetit Etnik grek për të Ardhmen, i cili rezulton të jetë fitues në këtë bashki.
Këlcyra është një tjetër bashki, ku “Bashkë Fitojmë” dhe Partia Demokratike dëmtuan qartazi njëra tjetrën. Kështu nëse votat e Arjan Kasajt të “Bashkë Fitojmë” do t’i ishin bashkuar atyre të Adriatik Spahiut do të arrihej një fitore me 54 vota diferencë.