4 emrat socialistë që garojnë për bashkinë e Kukësit
Safet Gjici ka përfunduar në pranga dhe pret përballjen me drejtësinë. Partia Socialiste nuk humb kohë. Në selinë rozë kanë filluar përpjekjet për të gjetur një figurë të re e dinjitoze sipas tyre për ta rikonfirmuar socialist të parin e qytetit verilindor.
Ali Hallaçi, aktualisht mban postin e prefektit të Kukësit, kandidat që përflitet brenda kampit socialist dhe strukturave vendore në zonë, për të garuar në zgjedhjet e ardhshme vendore. Hallaçi ka qenë myfti i Kukësit në vitet 2001-2010, ndërsa nga maji i vitit 2022 mban postin e prefektit.
Në sitën e socialistëve do të kalojnë edhe 3 emra të tjerë. Granit Gjana, drejtuesi aktual i bashkisë, i emëruar nga Këshilli Bashkiak pasi mbante postin e nënkryetarit deri në momentin e shkarkimit të Safet Gicit. Gjana është gjithashtu një ndër preferencat kryesore të Socialistëve.
Dy kandidatët e tjerë të mundshëm që përfliten janë, Astrit Dobrushi anëtarë i këshillit bashkiak Kukës, biznesmen, si dhe Albert Halilaj, ish-drejtor i drejtorisë së tatimeve në Kukës. Drejtuesi politik i qarkut, Pandeli Majko ka zhvilluar takime me 4 kandidatët e mundshëm për garën e ardhshme. /Report Tv/