4 ish-drejtues të Hipotekës të Korçës kallëzohen në Prokurori

Pas një kontrolli disa mujor në Kadastrën e Korçës, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka kallzuar tre ish-drejtues të Hipotekës dhe një të ALUIZN-it si dhe një punonjës të Kadastrës. Nga kontrolli i ushtruar ka rezultuar se ish-drejtuesit kanë regjistruar prona në shkelje me ligjin si dhe legalizuar në vende që nuk lejohen.

Njoftimi i plotë

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të Programit të Auditimit nr. 21/1, datë 11.01.2021, i ndryshuar, ushtroi auditim në Drejtorinë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, (ish Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t Korçë si dhe ish-ZVRPP Korçë), me objekt: “Mbi auditimin e ligjshmërisë në kryerjen e procedurave të legalizimit të objekteve informale si dhe auditimin e procedurave të pranimit, administrimit, shqyrtimit dhe miratimin e dokumentacionit për regjistrimin fillestar të pasurive të pa luajtshme dhe evidentimin e ligjshmërisë së mbivendosjeve”.

Nga auditimi kanë rezultuar shkelje të dispozitave ligjore, në lidhje me regjistrimin dhe legalizimin e objekteve informale, të cilat i kanë sjellë përfitime të padrejta personave të ndryshëm, duke cënuar njëkohësisht interesat e ligjshëm të shtetit.

Në lidhje me këto shkelje të evidentuara, KLSH ka kallëzuar në Prokurinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, 3 ish-Drejtor të DVASHK Korçë (ish-ZVRPP Korçë) dhe 1 ish-Drejtor të ALUIZNI Korçë, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Nga burime mësohet se ish-drejtuesit e kallzuar janë N.B; K.T; M. P; Dh.C; K.B. Tashmë dosja e plotë është dërguar nga institucioni i KLSH me të gjitha të dhënat përkatëse mbi pronat e regjistruara për të cilat janë gjetur shkelje dhe pritet të nisë procedimi penal ndaj ish zyrtarëve.

SHKARKO APP