4 orë në SPAK, Malltezi si Berisha: Procesi ndaj meje, urdhër politik
4 orë qëndroi Jamarbër Malltezi në SPAK, ku u mor në pyetje nga prokurorët për aferën ”Partizani”. Ai foli për mediat duke mbajtur të njëjtën linjë si Sali Berisha me akuza ndaj prokurorëve të posaçëm.
Malltezi tha se procesi ndaj tij po bëhej me urdhër politik ndërsa nuk hezitoi të sulmonte edhe prokuroren Enkeleda Millonai e cila po heton çështjen, duke thënë se kjo e fundit është në konflikt interesi vetëm se është me origjinë nga Elbasani.
”SPAK-u ka refuzuar të pranojë CD-të me këto dokumenta. Ka refuzuar ekspertizën kontabël gjë që i vë në pozitë jo të mirë. Në fund fare ka dalë se pas gjithë procesit nuk ka asnjë dëm në financat publike.
Nuk ka vepër penale të korrupsionit sepse nuk kam qenë asnjë herë zyrtar, por urdhri politik është urdhër politik. Kur thua se ka pasur pastrim parash por nuk pranon ekspertizën kontabël tregon shumë për urdhrin që ke marrë. Prokurorët vetë janë në konflikt interesi sepse Millonai është nga Elbasani e promovuar nga Qazim Sejdini dhe Taulant Balla”,-tha Malltezi.