4 të vrarë, GJKKO kalon për gjykim grupin e Talo Çelës

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK-ut për të kaluar për gjykim çështjen e Altin Ndocit, Klevis Alla, Besian Xhixhës dhe Enver Divës. Ndoci dhe Alla akuzohen për “vrasje në rrethana cilësuese” ndaj dy ose më shumë personave, “grup të strukturuar kriminal” dhe “armëmbajtje pa leje” për ngjarjet ku u vranë Dorian Shkoza e Anxhelo Avdia dhe vëllezërit Besmir e Viktor Haxhia.

Nga ana tjetër, Xhixha dhe Diva do të gjykohen për “sigurim të kushteve për të kryer vrasje”. Për të dyshuarin si drejtues i grupit, Talo Çela dhe për të pandehurin tjetër Nuredin Dumani, gjykata vendosi të pezullojë për një vit çështjen, pasi të dy ende nuk janë të arrestuar nga policia.

Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia u ekzekutuan pasditen e 2 marsit të vitit të kaluar në lagjen nr. 14 të Durrësit, në një zonë të njohur si tregu i makinave, në një kohë kur vendi ishte i izoluar për shkak të pandemisë.

Më 27 prill u ekzekutuan teksa ishin në një automjet vëllezërit Besmir e Viktor Haxhia. SPAK ra në gjurmët e të pandehurve pas dëshmisë së tëpenduarit Klevis Alla, i cili tha se vrasja e njërit prej vëllezërve, ishte porositur nga Talo Çela.

SHKARKO APP