”41 bis”, 270 persona që skanohen nga ky regjim
Regjimi “41-Bis”, që synon të fut në mbikëqyrje të thellë të burgosurit “VIP”, ka filluar të vihet në zbatim në muajin shtator 2019. Nga kjo periudhë e në vijim rregullat dhe kontrolli i të burgosurve ka filluar të ndryshojë rrënjësisht, ku një kategori të dënuarish apo të paraburgosurish, po verifikohen me imtësi dhe nëse do kapen me shkelje, nuk do kenë shumë të drejta por do futen në izolim sipas rregullave dhe kritereve që përcakton ligji “41 bis”.
Është krijuar një listë me 270 të dënuar që qëndrojnë në disa burgje të vendit, që po verifikohen me imtësi mbi takimet që kryejnë, sjelljen e tyre në burg, sendet e paligjshme që ata mbajnë etj. Këta të dënuar janë persona të shpallur fajtorë nga gjykata për akuzën e terrorizmit dhe përfshirjen në grupe të strukturuar kriminal, “Organizata kriminale”.
Lista me 270 persona që momentalisht ndodhen në burg po verifikohet me imtësi nga shumë organe ligjzbatuese të vendit,si Prokuroria e Krimeve të Rënda, SHISH, Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Kushdo që do shkelë rregullat, do të izolohet në “kaushë” për një periudhë të gjatë, duke i hequr e drejta për takime, komunikime, takime special dhe takime me të dënuarit e tjerë etj. Deri në këto momente janë 32 të dënuar që janë futur në izolim në burgun e Peqinit dhe paraburgimin 313.