43-vjeçari që u vra në Tropojë, autori në kërkim. Konflikti nisi në lokal
Detaje të reja janë mësuar në lidhje me vrasjen e ndodhur në një lokal në fshatin Dojan të Tropojës. 43-vjeçari Artur Dauti u qëllua me pistoletë nga Flordian Mulaj, 35 vjeç, ndërkohë që motivet e krimit nuk janë zbardhur ende.
Ata nuk kanë pasur probleme të mëparshme me njëri-tjetrin, ndaj dyshohet se përplasja mund të ketë ndodhur pas një konflikti në lokal për motive banale. Autori është arratisur pas krimit të rëndë, ndërkohë që policia ka ngritur grupe kontrolli për të bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e tij.
”Rreth orës 13:40, në një lokal në fshatin Dojan, dyshohet se shtetasi F. M., rreth 35 vjeç, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin A. D., rreth 43 vjeç, i cili për pasojë ka ndërruar jetë. Në drejtim të Tropojës janë nisur forcat operacionale të DVP Kukës, specialistët e Hetimit të Krimeve, dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, për lokalizimin dhe kapjen e autorit”, njofton policia.