44 minuta mister, Klaudio piu një cigare. A është krimi një “lojë” që përfundoi keq?

44 minuta mister. Autoritetet italiane janë shumë pranë zgjidhjes së këtij misteri që shkaktoi vdekjen e 34-vjeçarit Klaudio Myrtaj. Ai mori një plumb në kokë. Sipas autoriteteve për momentin hidhen poshtë edhe hipotezat e krimit të pasionit, larjes së hesapeve, vetëvrasjes, borxheve apo trafikimit të narkotikëve.

Nuk ka ende një motiv të qartë për atë që në fillim shikohej si një atentat i paramenduar në punishten e mikut të tij. Klaudio kishte disa ditë që e ndihmonte. Pronari i punishtes ka thënë se atë pasdite shkoi të mbushte traktorin me naftë, kështu që vrasësi mund të ketë pritur derisa është larguar dhe e ka kapur shqiptarin në befasi.

Punishtja është edhe larg syrit të kamerave të sigurisë që nuk janë drejtuar kah punishtja, por drejt rrugës. Tashmë agjentët që po hetojnë rastin po këqyrin me kujdesin më të madh çdo pamje për të kuptuar dhe zbërthyer çdo detaj. Ajo që dihet është se nga ora 15:10-15:30, Klaudio shkoi të merrte cigare tek një tabakino. Më pas u kthye sërish në punishte.

Më herët disa persona e kishin parë të drekonte në një restorant në Vernante bashkë me disa miq. Më pas u takua me disa familjarë. Sipas dëshmive, Klaudio dhe pronari i punishtes, një pensionist, ishin të çuditshëm. Kjo ka bërë hetuesit të mendojnë diçka tjetër. Po sikur arma të ketë qenë në punishte dhe të mos kemi të bëjmë me vrasje?

Gjithçka mbetet në kuadrin e një dyshimi dhe duhet të vërtetohet nëse bëhet fjalë për një “lojë” që mund të ketë përfunduar keq mes të dyve. /Tv Klan/

SHKARKO APP