44 të vrarë në 9 muaj, policia hap dosjet pa autor
Gushti u mbyll me një bilanc të frikshëm të krimeve që tronditën vendin, me 14 viktima. Kurse në këto 9 muaj, janë shënuar 38 vrasje me 44 viktima në total. 10 prej tyre janë krime brenda familjes, ndërsa janë zbardhur 25 ngjarje e 13 të tjera mbeten pa autor.
Drejtori i Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku mësohet se ka kërkuar nga drejtoritë vendore të qarqeve informacion mbi krimet e pazbardhura ndërsa qarku më problematik është ai Shkodrës me 9 krime të regjistruara.
Harta e vrasjeve është kjo ndërsa shumica e qarqeve në vend kanë të regjistruara krime kundra jetës veç Kukësit, Dibrës dhe Gjirokastrës në të cilat nuk ka ndodhur asnjë ngjarje e rëndë.
Rekordin e mban Shkodra ,Tirana, Vlora, por edhe Fieri ndërsa vrasjet e tipit mafioz edhe sot nuk kanë autor. Vetëm përgjatë këtij viti në Tiranë janë të pazbardhura vrasja e Erion Çelës, Iljaz Calit dhe Aleksandër Sadikajt.
Në Shkodër, nuk ka autorë për ekzekutimet e Nazmi Bandulës, Naim Bajrit dhe Lulash Qepurit. Asnjë nuk përfundoi në pranga as për vrasjen e Arben Mërkurit e Petraq Gjikës apo vrasjen e 3-fishtë të Fushë-Krujës.
Po ashtu histori pa emra të dyshuarish janë dhe vrasja e Klisman Precit, Shpati Lenës dhe Hakim Xhezos. Të vetmet arrestime janë ato të krimeve brenda familjes të cilat cilësohen si të zbardhura.