46.7% e të anketuarve listojnë emigracionin problematikë kyçe, Bylykbashi: Sjell shpopullimin
TCH në bashkëpunim me “Angi Richerce” prezantojnë sondazhin e parë parazgjedhor për Durrësin. Të pyetur se cilat janë problemet kryesore të vendit, 46.7% e të anketuarve listojnë emigracionin, 34.7% papunësinë, 33.8% krizën ekonomike dhe inflacionin, sakaq 32.9% varfërinë.
Tjetër problematikë serioze janë pensionet e ulëta me 19.4% e të anketuarve të shqetësuar për të ardhurat e pleqërisë. 16.9% e të anketuarve nxjerrin si problematikë rritjen e kriminalitetit, 12.5% rritjen e korrupsionit, 11.3% luftën Rusi-Ukrainë, 9.7% krizën politike në vend, 7.2% qeverisjen e keqe dhe 3.8% kulturën dhe turizmin.
Ky është sondazhi i dytë i realizuar pas Tiranës, ku janë intervistuar 2487 qytetarë të bashkisë Durrës mbi 18 vjeç në një periudhë kohore nga 20 mars deri në 2 prill. Nga 2487 persona që janë marrë në pyetje, vetëm 811 prej tyre kanë dhënë përgjigje të plota ndërsa pjesa tjetër ishte e pavlefshme. Marzhi i gabimit është 2.2%, ndërsa intervistat janë realizuar përmes telefonatave; webit ose me celular.
Pjesë nga debati:
Bylykbashi: Situata ekonomike është në një përkeqësim të vazhdueshëm dhe ai shqiptari i përgjithshëm dhe mesatar e sheh me të njëjtin sy si Tirana. 57% thonë që jeton keq dhe është shumë e zorshme të bëjmë krahasimin e dhënave të Bankës së Shqipërisë me qytetarin që fut dorën në xhep për të paguar biletën e autobuzit.
Njerëzit nuk jetojnë me ajër, e ndjejnë. Ky është perceptimi i njerëzve në raport me atë që po ndodh. Kjo situatë e keqe në të cilën ndodhemi bën që shqiptarët të largohen. Prandaj durrsakët shohin problem shpopullimin.
Arjan Curri: Paradoks për mua është që, pse njerëzit që mendojnë se këtu jetohet keq vijojnë të votojnë mazhorancën. Ose votojmë se presim përfitime, ose jemi një popull me dëshirë mazokiste, që sa më shumë na rrahin aq më shumë i duam.