5 janari me masa të tjera, Tomini: Për festa u shkelën rregullat anti-covid
Pas festave, rikthen edhe masat ”e vjetra” kufizuese për të frenuar përhapjen e Covid-19. Nga 5 janari lëvizjet e qytetarëve, aktivitetet e ndryshme dhe bizneset do të mbyllen 2 orë më vonë se në periudhën gjatë festave. Kopshtet dhe çerdhet i rikthehen aktivitetit te tyre, ndërsa universitetet rifillojnë mësimin online.
Nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe te mesme do te rikthehen në klasa në 11 janar me mësimin e alternuar. Shefja e survejancës epidemiologjike, Eugena Tomini, nënvizon se situata aktuale është e qëndrueshme, por nuk është aspak optimiste për javët në vijim.
Një rritje e mundshme e rasteve sipas Tominit pritet të ndodhë pas 2 apo 3 javësh, për shkak të festimeve dhe grumbullimeve të qytetarëve në zona të caktuara të vendit. ”Paçka rekomandimeve te strukturave shëndetësore, grumbullime ka pasur dhe parashikimet shohin një trend në rritje të rasteve me Covid. Mbetemi në kuadrin e parashikimeve, për të vlerësuar situatë në mënyrë dinamike”, deklaroi Tomini.