5 orë negociata, RENEA ekzekuton 71-vjeçarin në Elbasan: Do ju hedh në erë. Ish-gruaja merret nën hetim

Si nisi ngjarja që përfundoi me vrasjen e 71-vjeçarit nga RENEA? Ishte pikërisht një telefonatë nga ish-gruaja e Lefter Zhidru tek Komisariati i Policisë së Elbasanit për ushtrim dhune nga 71-vjeçari. Ish-gruaja ka thënë se viktima pretendonte se ajo e tradhtonte, edhe pse ishin të ndarë ata jetonin në një banesë. Fillimisht ajo ka shfaqur gjendje të rënduar por më pas ka pohuar se ish-bashkëshorti pretendonte se e tradhtonte dhe dyshohet se për këtë ka nisur edhe konfikti mes tyre. Por ish-gruaja e 71-vjeçarit, Floresha Zhidru do të hetohet për “moskallëzim krimi” pasi nuk tregoi që ish-bashkëshorti i saj ishte i armatosur. I moshuari kishte në banesën armën kallashnikov, një sasi të konsiderueshme municioni luftarak dhe disa kallëpe me lëndë plasëse të montuara me kapsolla detonatore gati për shpërthim. Gjatë ndërhyrjes së forcave RENEA, 71-vjeçari i ka kërcënuar se do t’i hidhte në erë.

Ngjarja

Në momentin e mbërritjes së Policisë, 71-vjeçari kishte nisur të qëllonte në drejtim të efektivëve me kallashnikov. Autoritetet thanë sesi pasojë e të shtënave ishin plagosur por jashtë rrezikut për jetën, dy kalimtarë të moshës 21 dhe 22 vjeç. Pas mbërritjes së Forcave RENEA dhe rrethimin e banesës, u bë e mundur largimi i ish-bashkëshortes së 71-vjeçarit. Më pas përmes një operacioni të koordinuar, forcat speciale kanë hedhur tymuese në drejtim të banesës për t’u futur brenda saj, por me sa duket situata është përshkallëzuar edhe më tej dhe Zhidru është qëlluar, pasi ai nuk ka pranuar të dorëzohet as në fund, duke qëlluar disa herë me breshëri automatiku, edhe bë brendësi të banesës së tij.

Ngociatorët e Policisë kanë thërritur pranë banesës edhe familjarë të tjerë të 71-vjeçarit, por ka qenë e kotë pasi ai nuk ka pranuar as të bisedojë me ta. Fillimisht ka qenë vajza e tij nga martesa e parë që është përpjekur të qetësojë babain e saj por pa ia dalë. Në Elbasan për të ndjekur operacionin ishte i pranishëm edhe drejtori i Krimeve të Rënda, Tonin Vocaj, si dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Edhe pse bëhej fjalë për vetëm një person dhe për më tepër të moshuar, operacioni në terren ka qenë mjaft i vështirë për Forcat RENEA, pasi 71-vjeçari dilte herë pas here në ballkonin e banesës së tij dhe qëllonte në drejtim të tyre. Hyrja në banesë ka qenë e vështirë e në një moment është marrë në konsideratë edhe sjellja e një makine zjarrfikëse për t’u futur nëpërmjet ballkonit, por më pas u vendos për ndërhyrje frontale. Viktima është proceduar penalisht edhe gjatë muajve të pandemisë pasi ka ushtruar dhunë ndaj ish-gruas. Banorët e zonës shprehen se 71-vjeçari ka qenë njeri problematik dhe se ka ushtruar dhunë në mënyrë të vazhdueshme ndaj ish-bashkëshortes së tij.

Vrasja në muzg

71-vjeçari Lefter Zhidru u ekzekutua nga forcat RENEA. Për më shumë se 5 orë efektivët e Policisë së Shtetit negociuan për dorëzimin e tij, megjithatë ofertat e tyre u hodhën poshtë nga 71-vjeçari. Pas shumë orësh pritje, Policia vendosi që të ndërhynte kur ora shënonte 18:00, duke hyrë në banesën e tij dhe duke e vrarë në vend. Por pse pritën deri në orën 18:00? I moshuari nga Elbasani u vra vetëm pak momente pasi në vend ra muzgu. Kjo pasi me të rënë nata, efektivët e Policisë nuk do të kishin më fushëpamje për të ndjekur me kujdes veprimet e tij dhe i druheshin edhe një sulmi tjetër nga ballkoni i banesës. I moshuari kishte në banesën armën kallashnikov, një sasi të konsiderueshme municioni luftarak dhe disa kallëpe me lëndë plasëse të montuara me kapsolla detonatore gati për shpërthim. Gjatë ndërhyrjes së forcave RENEA, 71-vjeçari i ka kërcënuar se do t’i hidhte në erë. Ai po fliste me të bijën e cila i kërkonte që të dorëzohej.

Policia jep detajet e plota mbi operacionin në Elbasan

Në vijim të informacionit të dhënë për sulmin me armë mbi forcën e posaçme “Shqiponjat” të DVP Elbasan, nga shtetasi Lefter Zhidru, 71 vjeç, ju informojmë se: Pas 5 orë negociatash, fillimisht nga Policia Vendore e Elbasanit dhe më pas nga grupi negociator i Renas dhe i grupeve taktike të Reneas me shtetasin Lefter Zhidru, për t’u dorëzuar, ky shtetas nuk i është bindur në asnjë çast thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar, por ka reaguar me armë ndaj grupit negociator dhe grupeve taktike të Reneas që po negocionin me të.

Ndodhur në kushtet e mosbindjes për t’u dorëzuar, forcat speciale Renea kanë ngushtuar rrethimin e banesës ku ndodhej 71-vjeçari. Shtetasi Lefter Zhidru, kur ka parë që forcat Renea po i afroheshin derës së banesës, ka hapur përsëri zjarr në drejtim të Policisë. Në kushte të larta sigurie për jetën e punonjësve të Policisë, Renena i ka bërë përsëri thirrje për të hapur derën dhe t’i dorëzohej Policisë, por përsëri 71-vjeçari ka reaguar me armë dhe në këto kushte Renea ka shpërthyer derën për të hyrë në banesë.

Në momentin që forcat speciale Renea po ndërhynin në banesë 71-vjeçari ka sulmuar përsëri me breshëri plumbash Forcat Renea duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre, por falë mburojës metalike kolektive nuk është lënduar asnjë punonjës i Reneas. Në kushtet e vetëmbrojtjes forcat speciale Renea i janë kundërpërgjigjur më zjarr dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit, 71-vjeçari ka mbetur i vrarë. Grupi Hetimor, nën drejtimin e prokurorit, ndodhet në vendngjarje dhe në banesën e 71-vjeçarit ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, një sasi të konsiderueshme municioni luftarak dhe disa kallëpe me lëndë plasëse të montuara me kapsolla detonatore gati për shpërthim.

SHKARKO APP