50 nxënës të helmuar, shefja e Infektivit: S’ka vend për panik

50 nxënës janë paraqitur në spitalin e Shkodrës, pasi shfaqën shenja helmimi. Shefja e Infektivit në Shkodër, Rezarta Bazhdari deklaroi se vetëm brenda 24 orësh ka pasur 34 raste të tilla, ku 8 nxënës aktualisht vijojnë të jenë të shtruar. ”Për 24 orë janë 34 raste, ndërkohë 8 janë të shtruar. Situata është nën kontroll. Nuk ka vend për panik. Spitali po e përballon situatën. Edhe këto raste janë me intoksikim. Janë marrë mostrat për të bërë analizat që të nxirren agjentët shkaktues. Jemi në kontakt me familjarët për t’i qetësuar ata sepse situata është e menaxhueshme”.

Fëmijët thonë se shqetësimet u nisën pasi konsumuan ushqime të shpejta të blera në një fast food pranë Shkollës. “Sa shkova në shkollë bleva një sanduiç. Nuk piva ujë në shkollë e kisha marrë me vete”. Një prind thotë se ja ka blerë vetë ushqimin vajzës që përfundoi në spital dhe madje që në fillim kishte ngritur dyshime për sigurinë. Të tjerë prindër thonë se prej te enjtes fëmijët kanë shfaqur probleme shëndetësore.

AKU-ja e Shkodrës ka bllokuar Fast Food-in, dhe ka marrë monstra të ujit dhe ushqimeve për analiza. Rezultatet ende nuk kanë dalë, por për mjekët nuk ka dyshime se bëhet fjalë për helmim. Policia dhe Prokuroria e Shkodrës kanë nisur një hetim për helmimin e nxënësve.

SHKARKO APP