50 studentë provojnë se si është të punosh
Të qenurit studentë, nuk të privon që ti nxjerrësh vetë shpenzimet e tua. Ndaj dhe rreth 50 studentë të Universitetit të Gjirokastrës u bënë pjesë e programit të nxitjes së punësimit për të rinj që do të zgjasë rreth 6 muaj. Studentët e fakultetit të Shkencave Sociale dhe atij Ekonomik do të punojnë pranë 6 institucioneve publike lokale për të përfituar një përvojë në administratë.
Një pjesë e studentëve të diplomuar në infermieri do të angazhohen si praktikantë pranë qendrave shëndetësore në qytet dhe në fshat. Erald Bushi, administrator i programit pranë Zyrës së Punës bën me dije se ky është viti i dytë që studentët zgjedhin një prej 8 programeve të nxitjes së punësimit. Kontributi do të jepet vetëm krah insitucioneve publike. Këtë vit nuk ka patur biznese private të regjistruara për këtë program, por interesi sipas tij pritet të rritet.
Programi me një fond prej 10 milionë lekësh të reja do të mbështesë gjysmën e pagës minimale dhe 0,3% siguracion për aksidente në punë, ndërsa të rinjtë e kualifikuar mund të aplikojnë më pas edhe për punësim.