500 banesat nga Turqia/ Ahmetaj: Puna ka filluar, ja kur përfundon projekti
Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj në një konferencë të përbashkët me ministrin turk të Mjedisit dhe Urbanizimit, Murat Kurum dha detaje për projektin e ndërtimit të 500 banesave.
Ahmetaj tha se kanë rënë dakort që procesi i rindërtimit të 500 banesave të përfundojë në korrik gjë që e vendos në presion Shqipërinë.
“Puna për rindërtimin ka filluar, 500 banesa për ata që kanë humbur shtëpitë, me ambjente komerciale, ndërtesë për bashkinë dhe shkollën. Është një konceptim urbanistik dhe teknologjik që do i mbijetojë kohës dhe do jetë një risi e cila që mund të kthehet në model për projekte të tjera.
Procesi i rindërtimit po vijon me hapa të shpejta , projekti me Turqinë mendohet të përfundojë rreth muajit korrik, sigurisht kjo na vendos në presion të nevojës së qytetarëve për të ndjek afatet.
Siç e kam theksuar prezantuam një sërë programesh në VKM në favor të Rindërtimit të banesave. Në favor të kthimit në banesa të ta pastrehëve.
Sot në një takim menjëherë më pas do të diskutojmë për efektin praktik, grantet për rikonstruksion, shpronësimet, kompensimet, procedurat e përshpejtuara të lejeve dhe zyrat e Rindërtimit në secilën Bashki, për asistencën ndaj qytetarëve në platformën e aplikimit online që futet javës tjetër.
Nuk kemi patur as platformë ligjore as proceduriale të kësaj natyre dhe është e vështirë. Dua të ritheksoj se Rindërtimi ka filluar. Qeveria ka filluar të përzgjedhë sajtet e reja në Durrës, Kavajë, Tiranë, Thumanë apo dhe në Krujë dhe në Lezhë. Qëllimi ynë siç e ka përmendur edhe Rama, është që deri në fund të vitit të gjitha familjet në fshat të jenë brenda shtëpive. Brenda 2020 të jenë rindërtuar dhe rikonstruktuar të gjitha kopshtet, qendrat shëndetësore apo shkollat”, tha Ahmetaj.