500 policia shtesë, Lleshaj fton të rekrutohen dhe minoritarët
Qeveria shqiptare është pranë miratimit të një shtese të re prej 500 punonjësish në forcat e Policisë së shtetit. Ministri i Brendshëm, Sandër Leshaj ishte në një takim me kryetarët e bashkive Sarandë, Delvinë, Himarë, Finiq e Konispol në Sarandë ku për më tepër deklaroi se kryeministri i ka dhënë dritën jeshile për këtë proces.
“Ne kemi një polici të vogël që nuk është sekret, ndër policitë më të vogla në rajon dhe përtej tij. Qeveria po punon fort për shtimin e numrit të punonjësve të policisë në mënyrë që të afrohemi sado pak drejt mesatareve europiane, në numrin e policisë për frymë. Qeveria është tashmë në procesin e miratimit të një shtese të re në numrin e Policisë së Shtetit, Kryeministri ka dhënë miratimin e tij. Së shpejti presim të shtojmë një numër të ri mbi 500 punonjës policie. Nga ana tjetër po punojmë mbi mënyrën se si i shpërndajmë kapacitetet e policisë, burimet njerëzore dhe teknike të saj. Duke synuar që policinë ta spostojmë drejt bazës, drejt komisariateve, duke ulur numrin e punonjësve që kryejnë shërbim në strukturat vendore apo qëndrorë për të mbërritur tek strukturat lokale”.
Duke vendosur theksin në problematikat me krimin e vogël në zonat minoritare, Lleshaj u bëri thirrje të gjithë të rinjve nga minoritetet për t’u bërë pjesë e strukturave të policisë. Nëpërmjet këtyre rekrutimeve, synohet shtimi i sigurisë dhe i performancës edhe në këto zona.
“Do të shohim edhe zonat minoritare, dhe këtu gjej rastin të theksoj nevojën që kemi për përfshirje të punonjësve të policisë nga këto komunitete. Kemi nevojë për të rekrutuar djem dhe vajza të rinj nga minoritetet në Policinë e Shtetit. Për t’i lënë në këtë mënyrë që të kryejnë shërbim po pranë komuniteteve prej nga vinë. Në mënyrë që të arrijmë një preformancë më të lartë të policisë në këto zona”.
Nga ana tjetër, Ministri i Brendshëm përmendi dhe vijimin e punës së IKMT-së në vijën bregdetare për të goditur ndërtimet pa leje. Për këtë ai tha se do të vijojë bashkëpunimi mes policisë së shtetit dhe IKMT-së teksa premtoi dhe ngritjen e një strukture në Sarandë për të kontrolluar territorin e asaj zone.
“Lidhur me bashkëpunimin e Policisë së Shtetit, të IKMT-së në fushën e kontrollit të ndërtimeve pa leje, e përmenda më përpara që ky bashkëpunim është i garantuar, ndërkohë që ne do ta realizojmë atë që në Sarandë për shkak të rëndësisë së veçantë, të kemi një strukturë të IKMT-së të vendoset këtu në Sarandë, me detyrë për të ndjekur, për të kontrolluar të gjithë territorin e kësaj zone”.