51-vjeçari me koronavirus, pronar hoteli/ Nuk tregoi që…
Detaje të tjera bëhen të ditura lidhur me rastin e ri të identifikuar në Durrës një ditë më parë, burime për A2 bëjnë me dije se 51-vjeçari kishte 15 ditë që ishte kthyer nga Italia, pasi udhëtonte shpesh për shkak të biznesve që ushtron.
Ai është pronar i një hoteli në Qerret, ndërsa lidhur me ekzaminimet e kryera të familjarë apo persona të tjerë të kontaktit me të deri më tani kanë rezultuar negativë, ndërkohë që vijon edhe në të tjerë persona kryerja e ekzaminimeve për gjurmim të mëtejshëm të kontakteve që 51-vjeçari ka patur pas kthimit të tij nga shteti fqinj.
Fillimisht ai është paraqitur në urgjencën e Spitalit Rajonal Durrës për ndihmë mjekësore, pa treguar historinë e udhëtimit, ndërkohë që bluzat e bardha në Durrës përsërisin apelin për qytetarët qe të mos paraqiten menjëherë në spital, por t’i drejtohen rrugëve të kontaktit të udhëzuara nga instancat shëndetësore, veçanërisht kur këta të fundit kanë histori udhëtimi me vende të prekura nga Covid-19.
Deri tani në Durrës raportohen 6 persona të prekur nga virusi i ri me origjinë nga Kina dhe një i vdekur.