544 miliardë lekë koncesione, ndryshimet ligjore pritet të ulin riskun në buxhet
Opozita nisi largimin përfundimtar nga parlamenti por deputeti Edmond Haxhinasto mori pjesë në Komisionin e Ekonomisë ku u diskutua projektligji për koncesionet PPP. Deputeti i LSI-së e kundërshtoi këtë ndryshim duke argumentuar se nuk sjell asnjë efekt pozitiv. Por për Ministren e Financave, Anila Denaj, ndryshimi në ligj do të rrisë transparencën. Në total me formulën Partneritet Publik Privat janë dhënë 544 miliardë lekë koncesione, por që nuk do të pasqyrohen në borxhin publik.
Në momentet kur Partia Demokratike po diskutonte vendimin për lënien e mandateve të deputetëve, në Komisionin e Ekonomisë ka qenë prezent deputeti i LSI-së Edmond Haxhinasto.
Në diskutimin për projektligjin e koncensioneve me formulën e PPP, përfaqësuesi i LSI u shpreh se nisma është antikushtetuese.
Edmond Haxhinasto: Sjell përqëndrimin e kompetencave për dhënien e koncesioneve dhe PPP tek Ministria e Financave duke pasur një përplasje shumë serioze me nenin 102 të Kushtetutës, pika 4.
Megjithatë Haxhinasto nuk ka qëndruar deri në fund të diskutimeve, duke u larguar para miratimit të draftit.
Por për Ministren e Financave ndryshimet sjellin rritje të transparencës.
Ministrja, Anila Denaj, bëri me dije se në total në vend janë dhënë 544 mld lekë koncesione.
Anila Denaj: Numri total i koncesioneve, ai i cili në vlerë korente prej 544 miliardë lekësh për 218 kontrata, kuptohet që është prodhim i një periudhe kohore relativisht i rezultuar nga pjesa më e madhe e tyre, 60%, kontrata të pakërkuara.
Diskutime në Komision pati edhe në lidhje me faktin nëse koncesionet duhet të jenë pjesë e borxhit publik.
Anila Denaj: Kostoja e ndërtimit transferohet te operatori privat kombinuar me njërin nga risqet e tjera, automatikisht këto projekte dalin jashtë bilancit të qeverisë. Kjo është dhe arsyeja që të gjithë projektet e ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes së rrugëve klasifikohen jashtë bilancit.

Arben Ahmetaj: Për transparencë ndaj publikut mënyra e kontabilizimit në bazë të risqeve nuk ka ndryshuar asnjëherë.
Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi në parim projektligjin në bazë të cilit që prej 1 korrikut nuk do të pranohet asnjë ofertë e pakërkuar.
KOHA JONË SONDAZH

