6 marsi, Klosi: Fitojmë të gjitha bashkitë, demokratët luftë mes veti për vendin e dytë
Sekretari Organizativ i PS-së, Blendi Klosi thotë se po përgatiten që të fitojnë edhe 61 bashkitë në zgjedhjet e 2023, pra ata zgjedhjen e pjesshme të 6 marsit nuk i shohin si sfidë. Po ashtu ai nënvizon se përçarja e opozitës do të avantazhojë kandidatët e PS në këto zgjedhje.
“Është një garë lokale me një program lokal, me problematika lokale. Në këto bashki ne kemi projekte shumë të forta, si në Durrës, rindërtimi, porti i Durrësit dhe kjo ka nevojë që të ketë një bashkëqeverisje të fortë lokale dhe atë qendrore. Në Dibër kemi përfundimin e Rrugës së Arbrit, në Lushnjë kemi një nga zonat rurale më të zhvilluara të vendit. Gara do jetë shumë specifike. Përçarja e opozitës i jep avantazh kandidatëve të një forcë politike, çarja e opozitës i jep avantazh atyre që ka përballë”, u shpreh Klosi.
Përçarja e opozitës, sipas Klosit do të bëjë që Lulzim Basha dhe Sali Berisha të luftojnë për vendin e dytë, ndërsa thekson se fakti që bëjnë opozitë të brendshme tregon që e kanë humbur betejën me PS.