6 shqiptarë viktima të krimit në familje
Krimi nuk po njeh moshë. Krimi në familje vijon që të tronditë opinionin publik shqiptar. Vetëm për këtë vit janë regjistruar gjashtë viktima nga krimi në familje. Në ditën e dytë të vitit të ri, Gazmend Musta, pas një sherri banal vrau me thikë gruan dhe motrën e saj. Një tjetër krim i rëndë u shënua të hënën e 14 janarit, ku për hakëmarrje ndaj ish-gruas, 52-vjeçari i vret prindërit dhe më pas vetëvritet. Një lidhje jashtëmartesore vrau babain e tre fëmijëve.
Ndërsa sot në Vlorë, burri vrau gruan dhe sipas fqinjëve, ata kishin pasur edhe zënka të mëparshme. Gjithçka ka ardhur si pasojë e një sherri, që ka degraduar në dhunë dhe më pas burri e ka mbytur bashkëshorten. Më pas në gjendje depresioni, ai ka prerë damarët e duarve dhe këmbëve duke tentuar vetëvrasjen. Në momentin që ka ardhur policia dhe ambulanca gruaja kishte ndërruar jetë. Burri pas mjekimit ndodhet në spitalin e burgut të Vlorës jashtë rrezikut për jetën.
Më poshtë do të gjeni në mënyrë të përmbledhur, vrasjet që tronditën vendin. Shifra me 6-të viktima të krimit është një jehonë që vrasjet kanë marrë dhenë dhe nuk po ndalen.
2 janar-Vrasësi i dy grave: Më ofenduan
Gentjana dhe Mersia nuk jetojnë më pasi u vranë në shtëpinë e tyre. Gazmend Musta pas një konflikti për motive banale, vrau gruan dhe motrën e saj 18-vjeç. Musta në rrëfimin e tij thotë se vrau gruan pasi e kishte ajo kishte ofenduar. “Gruan e godita me thikë sepse më ofendoi, s’duroja më”, tha Musta para togave të zeza. Gentjana, nënë e dy fëmijëve kishte kërkuar të ishte më e lirë, mos ta mbyllnin në shtëpi dhe ta lejonin të fliste në telefon. Grindja e fundit ishte fatale për të dhe për të motrën 18-vjeç, e cila duke tentuar ta shpëtonte ju ndërpre jeta nga 10 goditje me thikën e kuzhinës. Pas debateve, ajo është shprehur se do të merrte fëmijët dhe do të shkonte vetë në fshat. Kjo gjë ka zemëruar së tepërmi Gamozin, i cili është shprehur se ai ishte burri i shtëpisë dhe vendoste.
14 janar-Merr hak ndaj ish-gruas, i vret prindërit
Me idenë e qartë, në orën 5:30 të mëngjesit të datës 14 janar, Majlind Lila shkoi në rrugën “Kristaq Mone”, në zonën e njohur si “Astiri” në kryeqytet, aty ku jetonin prindërit e ish-bashkëjetueses. Aty kreu aktin e rëndë të vrasjes që tronditi Tiranën. Bujar dhe Xhevaire Mataj, burrë e grua, 63 dhe 52-vjeç, u vranë nga 52-vjeçari, i cili më pas vrau edhe veten. Autori që tronditi mbarë opinionin publik, kishte vetëm 2 ditë që kishte mbërritur nga Suedia por nuk dihet shkaku i ardhjes, apo nëse ishte deportuar pasi kishte kërkuar azil së bashku me Nevilën, vajzën e çiftit të ndjerë. Ish-vjehrrin e vrau në dhomën e ndjenjës, kurse ish-vjehrra humbi jetën nga tentativa për tu larguar nga banesa por plumbat e Lilës i morën jetën në korridor.
26 janar-Vëllai vret të dashurin e motrës
I ndodhur në një zonë të thellë malore të Qarkut të Tiranës, fshati Bastar i Mesëm u trondit nga një vrasje, ajo e 34-vjeçarit Arben Gjeci, baba i 3 fëmijëve. Shkak i vrasjes është një histori dashurie jashtëmartese. Elida Cani kishte nisur prej muajsh një lidhje jashtëmartesore me viktimën, Arben Gjeci. Autor i krimit është vëllai i Elidës, Esat Cani. Ata janë munduar që vrasjen ta raportojnë si aksidentale, me argumentin se Gjeci ishte rrëzuar nga një lartësi por 4 plagët në kokë kanë bërë që policia të dyshonte në lidhje me shkaqet e vërteta të ngjarjes dhe pas dëshmive të marra dhe verifikimeve te kryera ka mundur të zbardh vrasjen.
Redjon Shtylla /Koha jonë/
KOHA JONË SONDAZH

