6 të vrarë në 9 muaj, Tedi Blushi: Kryeqendra e veriut, nën terrorin dhe pushtetin e bandave me mbështetje qeveritare

Ashtu siç raportuan dje, Shkodra është kthyer në një ”betejë” përplasjesh mes bandave, ku në 9 muaj janë shënuar 6 vrasje. Përgjegjës për këtë situatë, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi bën kryeministrin Edi Rama.

Ai thotë se vendi ndodhet nën pushtetin e krimit për shkak të mbështetjes së hapur të qeverisë për bandat më të rrezikshme lokale, të mbrojtura dhe të vëna në shërbim të saj.

”Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe lënien e Shkodrës nën sundimin e bandave të lidhura me pushtetin, i bëjmë thirrje Policisë së Shtetit, në zbatim të ligjit dhe të Kushtetutës, të nisë pa vonesë rivendosjen e rendit publik dhe sigurisë së jetës në këtë qytet simbol të qytetarisë, dijes, arsimit dhe kulturës”,-shkruan Blushi në një postim në facebook.

Shkrimi i plotë

Shkodra nën terrorin dhe pushtetin e krimit dhe të bandave me mbështetje qeveritare!
Siguria e qytetarëve dhe e bizneseve në Shkodër është tronditur më rëndë se kurrë. Kryeqendra e Veriut, ndodhet nën pushtetin e krimit për shkak të mbështetjes së hapur të Qeverisë për bandat më të rrezikshme lokale, të mbrojtura dhe të vëna në shërbim të saj.
Vetëm në 9 muajt e parë të vitit 2022 në Shkodër janë ekzekutuar 6 persona.

Të gjitha vrasje mafioze të pazbardhura nga Policia e Shtetit dhe ende pa autor. Çdo qytetar në Shkodër i di shumë qartë motivet e krimeve, edhe Policia e Shtetit i di, por nuk bën asnjë përpjekje për të zbardhur vrasjet, arrestuar dhe nxjerrë para drejtësisë autorët, sepse direktiva që ka marrë nga Edi Rama dhe Bledi Çuçi është e qartë: “Hëngshin kokat e njëri-tjetrit. Pa krim nuk ka zhvillim”.

Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe lënien e Shkodrës nën sundimin e bandave të lidhura me pushtetin, i bëjmë thirrje Policisë së Shtetit, në zbatim të ligjit dhe të Kushtetutës, të nisë pa vonesë rivendosjen e rendit publik dhe sigurisë së jetës në këtë qytet simbol të qytetarisë, dijes, arsimit dhe kulturës.

Shqiptarët meritojnë një Qeveri dhe Polici të Shtetit që lufton me zero kompromis krimin e organizuar në çdo qelizë të saj. Partia e Lirisë garanton çdo qytetar shqiptar se që në ditën e saj të parë në pushtet do të nisë me vendosmëri të hekurt betejën për të çmontuar dhe shtypur me të gjithë forcën e ligjit bandat kriminale të Edi Ramës në çdo qytet të Shqipërisë.

SHKARKO APP