60 këngëtarë të shquar nga Moska mbërrijnë në Shqipëri

 

Dy koret me famë ndërkombëtare, Kori i Konservatorit të Moskës dhe “Klasika” i Fondacionit Ndërkombëtar të Unitetit të Popujve Ortodoksë, koncert në Tiranë dhe Durrës

Dy koret me famë ndërkombëtare, Kori i Konservatorit të Moskës dhe Kori “Klasika” i Fondacionit Ndërkombëtar të Unitetit të Popujve Ortodoksë do të japin këto ditë koncert në Tiranë dhe Durrës. Emrat e njohur të muzikës korale vijnë si pjesë e bashkëpunimit kulturor mes Rusisë dhe Shqipërisë, duke dëshmuar për ritme mjaft të mira të shkëmbimeve kulturore mes dy vendeve. Rreth 60 artistë të dy koreve të vlerësuara me çmime ndërkombëtare dhe që kanë dhënë shfaqe në më shumë se 15 vende në BE dhe SHBA, vijnë në Shqipëri duke sjellë vlerat më të mira të muzikës klasike dhe kishtare

Shumë shpejt dy aktivitete të bukura pritet të zhvillohen në Tiranë dhe Durrës. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë në bashkëpunim me Ambasadën Ruse në Tiranë do të prezantojë në vendin tonë një program shumë të veçantë muzikor “Zërat e Rusisë Ortodokse”, i cili parashikon interpretimin e veprave të muzikës klasike dhe kishtare. Në këtë veprimtari do të marrin pjesë dy kore ruse me famë mbarëbotërore: Kori i Konservatorit të Moskës dhe Kori “Klasika” i Fondacionit Ndërkombëtar të Unitetit të Popujve Ortodoksë.

Kori i Konservatorit të Moskës është krijuar në vitin 1994 nga dirigjenti i shquar rus Boris Tevlin. Kori ka fituar çmime të shumta ndërkombëtare: një Grand Prix dhe dy medalje të arta të Konkursit ndërkombëtar të muzikës korale në Riva del Garda të Italisë në vitin 1998; çmimin e parë dhe një medalje të artë të Konkursit ndërkombëtar të muzikës korale në Ëernigerode të Gjermanisë në vitin 1999; çmimin e parë të Olimpiadës Korale Mbarëbotërore në Linz të Austrisë në vitin 2000; një Grand Prix të Konkursit të XXII-të të muzikës kishtare ortodokse në Hajnoëka të Polonisë në vitin 2003.

Kori është përqendruar tek interpretimi i veprave të kompozitorëve rusë dhe të huaj, si Igor Stravinski, Pjotr Çajkovski, Alfred Shnitke, Arnold Schoenberg, Edward Elgar, John Tavener, Andreë Lloyd Webber, etj.

Kori “Klasika” ka marrë pjesë në konkurse të shumta ndërkombëtare të muzikës korale dhe ka fituar çmimin e parë të konkursit në Athinë (1994), çmimin e tretë në Tolosa të Spanjës (1995), çmimin e parë në Essen të Gjermanisë (1996), çmimin e parë dhe një Grand Prix në Netania të Izraelit (1996), si dhe çmimin e parë në Romë (1997).

Kori “Klasika” punon nën kujdesin e Fondacionit Ndërkombëtar të Unitetit të Popujve Ortodoksë dhe në kuadër të programit muzikor “Zërat e Rusisë Ortodokse” ka dhënë shfaqje në Britani të Madhe, Francë, Gjermani, Itali, Poloni, Letoni, Çeki, Serbi, Bosnjë, Bullgari, Maqedoni, Mal të Zi, Greqi dhe vende të tjera.

Këngëtarët rusë janë shumë të kënaqur që janë ftuar në Shqipëri, vend që jeton në një bashkëjetesë të jashtëzakonshme dhe ka një harmoni shembullore fetare. Shfaqjet e koreve nga më të mirat në botë duket se do të tërheqin publikun shqiptar dhe do ta çojnë dialogun kulturor Tiranë – Moskë në një nivel më të lartë.

Shfaqjet e koreve do të jepen: në Durrës të premten, më 5 qershor 2015, në orën 19:00, te Pallati i Kulturës “Aleksandër Moisiu”. Ndërsa në Tiranë, të dielën, më 7 qershor 2015, në orën 19:00, te Qendra Kulturore e Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”. Hyrja në të dyja shfaqjet do të jetë e lirë.

Këto aktivitete janë dëshmi e shkëmbimeve dypalëshe humanitare që, pa dyshim, kontribuojnë në forcimin e mirëkuptimit dhe besimit të ndërsjellë ndërmjet të dy popujve dhe të ngjallin në kujtesë kohët e lidhjeve më të ngushta kulturore dhe miqësore shqiptaro-ruse.

Kori i Konservatorit të Moskës

Kori i Konservatorit të Moskës është krijuar në vitin 1994 nga dirigjenti i shquar rus Boris Tevlin. Kori ka fituar çmime të shumta ndërkombëtare: një Grand Prix dhe dy medalje të arta të Konkursit ndërkombëtar të muzikës korale në Riva del Garda të Italisë në vitin 1998; çmimin e parë dhe një medalje të artë të Konkursit ndërkombëtar të muzikës korale në Wernigerode të Gjermanisë në vitin 1999; çmimin e parë të Olimpiadës Korale Mbarëbotërore në Linz të Austrisë në vitin 2000; një Grand Prix të Konkursit të XXII-të të muzikës kishtare ortodokse në Hajnoëka të Polonisë në vitin 2003.

Kori “Klasika”


Kori “Klasika” ka marrë pjesë në konkurse të shumta ndërkombëtare të muzikës korale dhe ka fituar çmimin e parë të konkursit në Athinë (1994), çmimin e tretë në Tolosa të Spanjës (1995), çmimin e parë në Essen të Gjermanisë (1996), çmimin e parë dhe një Grand Prix në Netania të Izraelit (1996), si dhe çmimin e parë në Romë (1997).

 

SHKARKO APP