60 nxënësit dalin nga spitali, reagon Ministria e Shëndetësisë

Rreth 60 nxënës të shkollës së mesme “Janaq Kinica” në Fier janë trajtuar sot në spitalin e Fierit me shenja të intoksikimit dhe neuroza paniku. Ministria e Shëndetësisë bën me dije se në orët e vona të pasdites së sotme e kanë lënë spitalin edhe nxënësit e fundit që po mbaheshin në observim në spitalin rajonal të Fierit, si pasojë e intoksikimit.

Pasi kanë marrë trajtimin e duhur mjekësor, të gjithë nxënësit kanë lënë spitalin. Sipas mjekëve, gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e mirë. Dhjetra nxënës të gjimnazit “Janaq Kilica” në Fier u shtruan në spital mesditën e sotme, pasi shfaqën probleme me frymëmarrjen, shenja helmimi dhe të vjella.

Pamjet që mbërritën nga Fieri treguan kaosin dhe situatën e panikut të krijuar në shkollën e mesme, pasi për herë të dytë brenda 10 ditësh brenda ambienteve të saj u përhap lënda helmuese. Lajmi krijoi panik edhe në ambientet e spitalit ku menjëherë u mblodhën qindra nxënës e prindër. Policia raportoi se dyshohet se është përdorur sprajt piperi nga një nxënës i kësaj shkolle”, ndërkohë Ministrja e Shëndetësisë deklaron se ka nisur grupet e inspektimit në terren për verifikim dhe do kryhen analizat për ndotjen e ajrit në bazë të mostrave.

SHKARKO APP