61% e qytetarëve vlerësim pozitiv për punën e Policisë
61% e qytetarëve të Tiranës të anketuar nga një sondazh i realizuar në kuadrin e projektit “Monitorimi i opinionit publik në qarkun Tiranë (krahasuar me qarqet e tjera) mbi rolin e Policisë së Shtetit në jetën e përditshme të komunitetit”, financuar nga Programi Suedez për Forcimin e Policimit në Komunitet në Shqipëri (SCPA), AGENDA Institute. Sipas njoftimit të Policisë, Programi Suedez për Forcimin e Policimit në Komunitet në Shqipëri (SCPA), AGENDA Institute zhvilloi sondazhin e radhës, në serinë e sondazheve periodike të parashikuara në këtë projekt.
Sondazhi u realizua teknikisht nga statisticieni Eduard Zaloshnja, PhD. Dy nga gjetjet më kryesore të sondazhit janë: Në tremujorin e tretë të vitit 2019, krahasuar me një tremujor më parë, ka patur një rritje të ndjeshme statistikisht të opinionit pozitiv të banorëve të qarkut Tiranë (16 vjeç e sipër), për punën e policisë së qarkut të tyre (është ngjitur në nivelin 61%).
Ndërkohë, ka patur edhe një ulje të opinionit negativ (ka zbritur në nivelin 29%). Një prirje e ngjashme vërehet në rang Republike; ka rritje domethënëse statistikisht të opinionit pozitiv për policitë e qarqeve (krahasuar me një tremujor më parë), duke u ngjitur në nivelin 57%, ndërkohë që opinioni negativ është ulur ndjeshëm. Rreth 72% e qytetarëve shqiptarë ndihen të sigurt ose shumë të sigurt kur ecin vetëm në lagjen e tyre, pasi është errësuar. Nga një sondazh i IDRA-s, i kryer në maj 2018 me financim të SCPA-së, rezultonte se 75% e qytetarëve e ndienin këtë siguri. Pra, kemi një rikthim pothuaj në ato nivele të numrit të qytetarëve që ndihen të sigurt në lagjet e tyre, ndërkohë që ka një rritje me pothuaj 10% krahasuar me fillimin e korrikut.