65-vjeçari me Covid-19 u hodh nga kati i 4-tër tek ”Shefqet Ndroqi”, Rakacolli: Kanë nisur hetimet

Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka folur për rastin e vetëvrasjes së 65-vjeçarit Hasan Mira, i cili u hodh nga kati i 4-tër i spitalit “Shefqet Ndroqi”, duke u shprehur se ai ka qenë i shtruar prej 24 orësh dhe merrte mjekim dhe konsulta psikiatrike. Rakacolli sqaroi se të gjithë të infektuarit marrin mjekim edhe për problemet e tjera që paraqesin si problemet mendore, diabeti, zemra dhe kjo behet në konsulta me mjekët specialist për rastet që pacientët paraqesin.

”Pacienti ka qenë prej 24 orësh i shtruar dhe i është ofruar ndihmë për simptomatologjinë dhe ankesat që paraqiste situata e tij. Kanë nisur hetimet, se si ka qenë situata, a ka qenë adekuat mjekimi dhe si ka qenë asistenca, që do të sqarohen në ditët në vijim. Ata marrin mjekimin e tyre, përveç Covid dhe situatën që ata paraqesin, siç marrin mjekim dhe ata për diabetin, apo sëmundjet e zemrës. Marrin mjekim specifik për sëmundjen që kanë. Spitalet komunikojnë me njëri tjetrin dhe janë marrë edhe konsulta psikiatrike”.

Prej dy ditësh ai ishte shtruar në pavionin e Covid-19, ku po trajtohej nga koronavirusi. Sipas burimeve nga Sanatoriumi, ai nuk ishte në gjendje të rënduar shëndetësore nga virusi, por dyshohet se në kushte të rënduara psikologjike ka marrë këtë vendim ekstrem për jetën e tij.

Këtë të enjte, Spitali i Sanatoriumi doli me një deklaratë lidhur me ngjarjen e rëndë. Ky është rasti i dytë i vetëvrasjes që ndodh në këtë spital, brenda një kohe të shkurtër. Tre javë më parë, një 29-vjeçar nga Durrësi u hodh nga kati i tretë i Sanatoriumit, në gjendje të rënduar psikologjike. Edhe ai po trajtohej nga koronavirusi.

Të afërmit e pacientëve jashtë spitalit, çdo ditë qëndrojnë në ankth për gjendjen e familjarëve të tyre brenda mureve të Sanatoriumit. Dy rastet e vetëvrasjes nga të sëmurët me Covid-19 në Sanatoriumin e Tiranës janë thirrje alarmi për ndihmën që iu duhet dhënë të prekurve nga ky virus. Ata që e kalojnë në shtëpi dhe ata që kurohen në spital, kanë nevojë urgjente për mbështetje psikologjike dhe jo vetëm për ilaçe. Të sëmurët me Covid-19 nuk duhet të stigmatizohen, por të ndihmohen.

SHKARKO APP