7 muaj aksion nga OFL, por vetëm makina të sekuestruara
Më 3 shkurt të këtij viti, nisi aksionin në terren Operacioni Forca e Ligjit për sekuestrimin e pasurive të krijuara nga krimi i organizuar. Në 7 muaj operacion Forca e Ligjit, Policia e Shtetit ka skeduar mbi 300 individë të cilëve u ka mbërritur formulari për vetëdeklarimin e burimit të pasurisë. Qarqet më të prekura janë Tirana, Shkodra dhe Fieri, ndërsa personat e skeduar janë me të shkuar kriminale kryesisht në fushën e trafikut të drogës, por edhe krimeve të rënda si pjesë e organizatave kriminale.
Për sa i përket dosjeve të shqyrtuara nga Prokuroria e Posaçme, ajo që bie në sy është se krahas veprimeve në shkelje nga ana e agjentëve të OFL, të cilat janë rikthyer për veprime, pjesa më e madhe e pasurive të sekuestruara janë automjete. 60 përqind e tyre janë makina luksoze. Akti normativ pritet të përfundojë në shkurt të vitit që vjen, ndërsa shqyrtimet gjyqësore për pasuritë e sekuestruara do të marrin vendime brenda 6 muajve pas dorëzimit të dosjeve në gjykatë.
Akti normativ i qeverisë mbi të cilin operon OFL-ja ka fuqi ligjore deri më 31 janar 2021 dhe sipas burimeve numri i të skeduarve pritet të kapërcejë në mbi 500 individë. Rezultatet e prekshme të ligjit special do të maten me vendimet e konfiskimit të pasurive në favor të shtetit, proces ky që duhet të mbyllet brenda 6 muajve pas dorëzimit të dosjes në gjykatë nga Prokuroria e Posaçme.
Operacioni Forca e Ligjit zhvillohet nga Forca e Posaçme OFL në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un, agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët, duke bërë të mundur evidentimin dhe goditjen me anë të sekuestrimit të pasurive të deklaruara apo të fshehura të personave apo grupeve kriminale që i kanë përfituar ato nëpërmjet aktivitetit kriminal në fushën e krimit të organizuar.