7 muaj në punë, Arlind Gjokutaj largohet nga detyra si kreu i Doganave
Vetën 7 muaj nga marrja e detyrës në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Arlind Gjokutaj është larguar nga ky post dhe është zëvendësuar nga Gjon Bardhi, i cili deri dje mbante pozicionin e zëvendësdrejtorit në këtë institucion.
Arsyet e largimit të Gjokutajt mbeten të paqarta dhe e vetmja e dhënë që mund të lërë vend për interpretim është realizimi i planeve lidhur me të ardhurat në arkën e shtetit. Treguesit fiskalë të 9-mujorit, të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë reflektonin një mosrealizim prej 4 për qind të planit të të ardhurave nga Doganat që i përgjigjet një shume prej 5 miliardë lekësh, kurse nga Tatimet, të ardhurat e munguara në raport me planin në 9-mujor ishin 2.2 për qind apo 2.5 miliardë lekë.
Gjokutaj u emërua në detyrë, në fund të marsit në të njëjtën kohë me Enton Duron te Tatimet por ky i fundit u largua në korrik të këtij viti, duke mbajtur pozicionin për vetëm tre muaj. Kreu i Doganave, nga ana tjetër, vazhdoi punën duke bërë edhe disa dalje në kuadër të aksionit antiinformalitet të nisur nga qeveria dhe që Doganat e kishin me fokus te produktet e akcizës. Më herët Gjokutaj mbante pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm në Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Letra që Gjokutaj u drejtoi punonjësve në ditën e parë kur nisi punën në dogana:
Në pamundësi të kohës fizike për të takuar personalisht secilin nga Ju dhe në shenjë të respektit për çdo punonjës të përkushtuar dhe kontributit që jep secili çdo ditë, më lejoni t’Ju drejtohem direkt nëpërmjet e-mailit për të ndarë me ju disa fjalë dhe mendime të miat për punën dhe sfidat tona të përbashkëta.
Thelbin e asaj që do të them e kam përmendur edhe në fjalën e prezantimit, por edhe në takime me disa drejtues të DPD, si dhe me kryetarët e degëve dhe kam kërkuar që të përçohet te çdo punonjës i administratës doganore. Puna që ne bëjmë është e bukur dhe e vështirë në të njëjtën kohë. E bukur sepse kemi mundësi që duke dhënë ndershmërisht kontributin profesional, çdokush prej nesh të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit, përmirësimin e klimës së biznesit, krijimin e një ambienti ku zhvillohet e promovohet konkurrenca e ndershme, në forcimin e sigurisë kombëtare etj., etj. Të gjitha këto bëjnë të mundur që të gjithë së bashku të kemi mundësi të ndërtojmë ditë pas dite një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët tanë.
Por kjo punë ka edhe vështirësi, të cilat ju i dini shumë më mirë se unë. Vështirësi me të cilat ndeshemi çdo ditë e të cilat vetëm duke qenë së bashku dhe duke ndarë vizionin, qëllimin dhe objektivat do të mund t’i tejkalojmë, duke bërë të mundur që e bukura të triumfojë mbi të vështirën. Jam i bindur që të gjithë së bashku do të dimë ta bëjmë këtë, pasi Dogana shqiptare ka shumë profesionistë dhe njerëz të ndershëm e të devotshëm për tu përballur dhe për të qenë në lartësinë e sfidave që i presin.
Fatkeqësisht, në mesin tonë, kemi edhe një pakicë që na nxin faqen e na turpëron. Një mish i huaj që duhet ta nxjerrim sa më parë jashtë vetes e ta flakim aty ku e ka vendin. Cilido prej jush që e ndien veten të aftë profesionalisht, që ka performancë dhe rezultate në punë, që ka integritetin dhe motivimin e duhur, është aset i vyer i kësaj administrate dhe e ftoj të vijojë pa u shqetësuar punën e të jap kontributin e tij. Ju siguroj mbi të gjitha që do bëjmë përpjekjet maksimale për krijimin e një ambienti motivues, duke nxitur karrierën bazuar në aftësitë dhe performancën e secilit.
Ama, cilido nuk e gjen veten apo do të konstatohet jo në përputhje me ato kritere të përmendura më lartë, duhet të konsideroj seriozisht largimin nga kjo administratë. Ju siguroj që do të jem i pamëshirshëm me cilindo që nuk bën sa më sipër dhe që do evidentohet në shkelje (sot, nesër dhe në të shkuarën). Hiqni dorë nga dërgimi i miqve, apo i mënyrave të tjera, për të kërkuar favore të ndryshme të pamerituara dhe të paargumentuara. Do të penalizoheni për këtë. Secili ka të drejtën të kërkojë dhe pretendojë dhe kjo nuk do t’i mohohet kurrë. Miku dhe armiku më i mirë që keni karshi meje janë vetëm vetja, karakteri dhe aftësitë tuaja. Askush të mos ushqejë kot shpresën apo bindjen që kontributet në forca politike të çdo krahu do t’i shërbejnë si mbrojtje ndaj paudhësive dhe shkeljeve.
Cilido është pjesë e Administratës doganore duhet t’i përkulet vetëm ligjit dhe t’i shërbejë me etikë, në mënyrë të drejtë dhe në kohën më të shkurtër të mundshme çdo biznesi dhe qytetari. Trajtimi duhet të jetë i njëjtë dhe i standardizuar për të gjithë. Së bashku me bizneset, qytetarët, organet ligjzbatuese dhe inteligjencën, do të bëjmë të mundur evidentimin e çdo individi të korruptuar brenda Administratës doganore dhe jo vetëm flakjen e tij nga puna, por edhe dërgimin përpara drejtësisë. Jini të drejtë jo vetëm me biznesin dhe qytetarët, por edhe me kolegët. Ndihmoni dhe mësoni kolegët e rinj. Trajtoni çdo rast me profesionalizëm, të udhëhequr nga ligji, interesi publik, arsyeja dhe fryma pozitive karshi biznesit dhe qytetarit të ndershëm dhe të rregullt. Ndiqni procedurat, protokollet e komunikimit, zbatoni dhe respektoni hierarkinë. Jepni dhe merrni besim nga njerëzit.
Secili nga ne, në çdo moment duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë dhe të shprehet qartë dhe shpejt mbi mendimin dhe qëndrimin e tij, duke shmangur “logjikën e heqjes së topit nga vetja” apo sorollatjen e pafund me përgjigje pa përgjigje. Sa më sipër, nuk janë fjalët rutinë të drejtuesit të radhës, të cilit shumëkush mendon dhe pret t’i kalojë vrulli i fillimit. Sa më sipër, janë ato që unë mendoj dhe do të bëj çmos që për sa kohë do jem në drejtim të kësaj Administrate nuk do të heq kurrë dorë për t’i zbatuar. Merrini seriozisht dhe ndani sa pa qenë vonë drejtimin që do të ndiqni. Ju kërkoj ndjesë për kohën që Ju mora dhe duke besuar në mirëkuptimin Tuaj jam i bindur që të gjithë që ndajmë dhe besojmë në këto ide, së bashku do të dimë të përballemi me sfidat që na presin. Faleminderit dhe suksese. /Monitor/