7 prill 1939/ Ja si u paralajmërua pushtimi i Shqipërisë nga Italia

Pushtimi i Shqipërisë nga Italia më 7 prill 1939 është bërë objekt jo vetëm i historiografisë shqiptare, por edha asaj ballkanike, europiane dhe më gjerë. Zhvillimet e kësaj periudhe në “Vendin e Shqiponjave” dhe fqinjëve të tij, kanë preokupuar edhe intelektualë me përmasa gjithëkombëtare, rajonale, ndërrajonale, europiane dhe botërore. Ata i përkasin kryesisht fushës së historisë, por ka edhe të fushave politike, sociale etj.,  të cilët i kemi cituar në këtë shkrim për të sjellë sa më saktësisht konceptimet, sjelljet dhe qëndrimet në truallin shqiptar për këtë ngjarje.

   Po bëjmë kujdes t’i shmangemi trajtimit që është bërë nga historiografia e shkruar shqiptare e periudhës 1945-1990, por edhe më vonë, e cila, sikurse dihet, ka qenë skajshmërisht e politizuar, prandaj po sjellim në vëmendjen e lexuesit disa qëmtime nga disa intelektualë shqiptarë dhe personalitete të tjera të Ballkanit dhe më gjerë kryesisht të fushës së historiografisë, të cilët na prezantohen si të mirĭnformuar për këtë çështje.

Jo vetëm në historiografinë shqiptare por edhe në atë ballkanase e më gjerë, 7 prilli 1939 ka hyrë në mjaft raste nën frazeologjizmin: “E Premtja e Zezë”. Ky emërtim apo epitetim mjaft i gjetur artistikisht, nuk bashkëngjitet vetëm për  faktin që ishte një ditë e premte, por sidomos për stresin mbarëkombëtar, që i shkaktoi popullit shqiptar pushtimi i huaj. Shqipëria, atdheu ynë mjaft i rropatur ndër shekuj, do të ishte një ndër viktimat e para të koalicionit ushtarak famëkeq, i cili jo vetëm kishte në plan por edhe po zbatonte realisht copëtimin dhe pushtimin hap pas hapi të vendeve të ndryshme në Evropë, Azi, Afrikë.  Historiografia shqiptare e periudhës 1945-1990, por edhe më vonë, këtë ngjarje të rëndësishme të popullit shqiptar, e ka konceptuar dhe sjellë për lexuesit, edhe për ata të shkollave të niveleve të ndryshme, në mënyrë të njëanshme, duke deformuar disa të vërteta dhe realitete, që historia sidomos, duhet t’i mbajë mirë parasysh dhe t’i interpretojë jashtë udhëzimeve politike, por edhe emocionale dhe personale. Ajo disa ngjarje i ka “futur” në kallëpe steriotipe, dhe i ka servirur si aksioma që nuk lypin apo pranojnë as diskutim, as edhe logjikë tjetër përveç vetvetes. Pushtimi i huaj paraqitet si një rrjedhojë e keqqeverisjes, (diçka nga kjo akuzë duhet pranuar se qëndron), e cila nuk mori masat e duhura për të përballuar sulmin e huaj, qoftë në pikëpamje të përgatitjes por edhe të komandimit e drejtimit të operacioneve ushtarake; për më shumë akuzohet se kishte sabotuar duke nxjerrë armatimin jashtë luftimit pa u përdorur si i tillë. Lexuesi shqiptar duhet ta ketë të qartë, se pushtimi i Shqipërisë ishte pjesë përbërëse e planit të koalicionit botëror Gjermani-Itali-Japoni, një zhvillim i pashmangshëm nga drejtuesit e shtetit shqiptar. Më tej, duhet pranuar se përballimi me sukses i sulmit ushtarak italian, ishte realisht i pamundur, sepse Shqipëria në këtë kohë kishte vetëm katër batalione ushtarake (të dislokuara në Shëngjin, Durrës, Vlorë e Sarandë) ndërkohë që Italia fashiste ishte përgatitur për të kryer veprime ushtarake me vende me potencial ushtarak më të fuqishëm në të gjitha pikëpamjet. Njëherësh duhet mbajtur parasysh edhe fakti, që pajisja me armatim e ushtrisë shqiptare ishte e varfër jo vetëm në sasi por sidomos në teknologji. Sikurse do ta nënvizojmë edhe më poshtë, Italia sulmoi edhe me mbështetjen e aviacionit, armatim që Shqipëria nuk e zotëronte, por edhe me mjete luftarake detare, që gjithashtu Shqipëria nuk i posedonte. Historiografia shqiptare nuk ka argumentuar, apo nuk ka bindur fqinjin tonë Greqinë, për faktin që sulmi ndaj Greqisë vërtet u krye nga territori shqiptar, me pjesëmarrjen edhe të disa shqiptarëve si pjesë e forcës së armatosur, por vendi ishte i pushtuar, administrimi i vendit dhe komunitetit bëhej nga pushtuesit, dhe pjesëmarrësit shqiptarë në veprimet luftarake ishin pjesë e fuqisë së armatosur të pushtuesit. Ka edhe mjaft probleme të tjera, të cilat i përkasin fushës së studiuesve të mirëfilltë të historisë dhe ushtrisë.

Si u paralajmërua faktikisht pushtimi i Shqipërisë?!!

Pas asaj që nënvizuam më lart, dëshirojmë të nënvizojmë se, nga studimi i materialeve historike, literaturës bashkëkohore, analizave të ndryshme për zhvillimet në fjalë, na imponojnë të pohojmë e të pranojmë, se mjaft kohë më parë në kulisat politike dhe shtabet ushtarake të disa vendeve evropiane, përgatitej gllabërimi i territorit shqiptar prej fqinjëve të përtej detit. Këto qëndrime e sjellje ishin planëzuar, shprehur dhe realizuar faktikisht që prej dy-tre vjetësh të shkuar në Afrikë, në Kinën e largët, por edhe në rajone të tjera.

Zhvillimet pas 7 prillit 1939, jo vetëm në kufijtë juglindorë të vendit tonë por edhe në Europën Qendrore e Lindore, na servirin dokumente dhe zhvillime konkrete, të cilat na bëjnë të konkludojmë se, vendi ynë ishte pjesë përbërëse e planeve pushtuese të shteteve, që kishin marrë përsipër, sikurse pohon qartazi personaliteti madhor Xhorxh Kastellan, “të qepnin e të shqepnin territore” në pjesë të ndryshme të globit.

  Por për këto zhvillime, ndërrajonale fillimisht, dhe ndërkontinentale më vonë, “E Premtja e Zezë” shqiptare e 7 prillit 1939, ka qenë e paralajmëruar jo vetëm nga disa shqiptarë por edhe nga të huaj të mirinformuar për shtjellimet, jo vetëm për ato që po ndodhnin realisht por edhe për të tjerat, të cilat do të pasonin në të ardhmen në Ballkan, në Europë dhe më gjerë. Pushtimi fashist i Shqipërisë ishte i parashikuar shumë vite më parë dhe qe shpallur publikisht prej Aliut (Këlcyrës) si një rrezik i madh për ekzistencën e saj dhe për paqen në Ballkan, në artikujt e botuar në organet e shtypit të vendeve demokratike dhe në atë kombëtar dhe në memorandumet drejtuar LK (Lidhjes së Kombeve S.R). Këto pohime ishin bërë nga një gazetar danez më 2 shkurt 1939 nën titullin: “Shqipëria koloni e fashistëve”. Është krejt e qartë kjo e shprehur në gazetën “Oeuvre” më 6 maj 1930, kur shprehet pa asnjë ekuivok: “Moria e fashistëve italianë të pajisur me armatim e pjesëtarë të njësive të posaçme fashiste që vendosen vazhdimisht në Shqipëri me pretekste të ndryshme, është një farë pushtimi i kamufluar”. Pak më vonë, më 4 dhjetor 1931, në gazetën “La Repyblik”, nën titullin “Fashizmi i pasur, i fuqishëm që ka si program ekspansionin në Ballkan, shfaqet në rolin e tij të vërtetë kur përdor të gjitha forcat për të sunduar Shqipërinë, si faza e parë e marshimit drejt lindjes”. Në librin “Ali Këlcyra, aristokrati kuqezi” të autorit mjaft të informuar Tanush Frashëri, shprehimisht pragpushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste, jepet përmes pasazhit të mëposhtëm: “Pa kontrollin e LK (Lidhjes së Kombeve S.R) për natyrën kombëtare të lëvizjes brenda kufijve të Shqipërisë vendi ynë do të jetë gjithmonë i kërcënuar prej pushtimit fashist. Jemi të bindur se së shpejti populli italian do ta kuptojë se kjo politikë fashiste në Shqipëri, nën nxitjen e klikës kamorriste po mbush xhepat e disa personave të cilët do të rrënojnë vendin tonë dhe vetë popullin italian”, e përfundon artikullin “L’Italie ri interviendarft-alle pas en Albanie” (Italia vallë nuk ka për të ndërhyrë në Shqipëri), nr. 21, 24 gusht 1928.

   Ndër të parët, mjaft autoritar dhe krejt i besueshëm, duhet të jetë Fan Noli, një personalitet madhor i popullit shqiptar jo vetëm për periudhën në fjalë, por sidomos në të ardhmen. Më 1931, pas një analize të hollësishme të zhvillimeve në Shqipëri, në rajon e më gjerë, ai gjen rastin të shprehet se Italia shpejt a vonë “do të marrë tapinë mbi Shqipërinë”, dhe pas kësaj Musolini “do t’i japë shkelmin A. Zogut…, do t’i hajë kokën shpejt a vonë si një e një që bëjnë dy”. Por Noli, si një Kasandër e çon problemin më tej, duke parashikuar, atë që ndodhi realisht, se “Ahmeti me bejlerë do të rrëmbejë valixhet dhe do të ikin natën, posa të mos kenë përkrahje të jashtme, se e dinë që populli nuk i do”. Pas Nolit, më 21.02.1933, është përsëri A. Këlcyra, i cili rishprehet edhe sa vijon: “…megalomania musoliniane e ka shpënë Duçen të citojë Makiavelin se në politikë është më mirë të ta kenë frikën se sa të të duan”; duke dashur të ndjekë politikën e Romës së lashtë ai e ka hedhur vështrimin nga Ballkani dhe i ka ndalur sytë mbi “tiranin e vogël shqiptar”, që e konsideron si një mbështetje prej nga ku të kërcënojë për t’i zgjatur kthetrat e tij në tërë Ballkanin”.

Pas F. Nolit, është një tjetër shqiptar, që e paralajmëron tragjedinë që e pret Shqipërinë. Ky është pikërisht Skënder Luarasi, i biri i Petro Nini Luarasit, patriotit të njohur të Rilindjes Kombëtare, në këtë kohë një ndër vullnetarët shqiptarë i inkuadruar në Brigadat Internacionaliste në Spanjë, edhe pse me dhembje, do të pohonte në Radio Barcelona, për emisionin shqip, edhe sa vijon: “Nuk ka në Shqipëri një qytetar me pesë pare mend në kokë, që të mos kuptojë se pas Abisinisë dhe Spanjës, do të jetë populli shqiptar viktima e tretë e lakmisë fashiste. Mjerë Shqipëria po të fitojnë gjeneralët fashistë luftën, që i kanë shpallur Republikës së Shqipërisë”. Për fat të keq, kjo rezultoi në të ardhmen e afërt pikërisht kështu. Gjithsesi një parandjenjë e hidhur, por krejtësisht e vërtetë, e konkretizuar nga zhvillimet e politikës botërore.

  Shtatë Prilli Shqiptar, pra “E Premtja e Zezë” 1939, është parandjerë dhe paralajmëruar edhe nga disa personalitete jo të trevave shqiptare. Midis mjaft personaliteteve të huaja është edhe një grua, e cila e ka dashur “Vendin e  Shqiponjave” dhe që është shprehur mjaft qartë për rrezikun e pushtimit ushtarak të Shqipërisë. Ajo ka qenë dhe mbetet një Grua e Madhe, e cila, duke bërë aq shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët, ka fituar me meritë të veçantë dhe plotësisht të justifikuar, epitetin madhështor e rrezatues: “Mbretëresha e Maleve“. Jo vetëm si misionare e qeverisë angleze në shtetet fqinje në veri të vendit tonë: në Serbi, Mal të Zi e Bosnjë, por edhe si gazetare, duke e njohur mjaft mirë vendin tonë, në mos më shumë, të paktën pas atij udhëtimi prej gati katër muajsh në fillim të vitit 1904, do të qe edhe një avokate këmbëngulëse dhe e argumentuar e “çështjes shqiptare” në tribunat ballkanike, evropiane dhe ndërkombëtare. Pra, për problemin në fjalë, Editt Durham, luftëtare e palodhur për njohjen e Shqipërisë të pavarur dhe demokratike, me keqardhje por edhe me dashamirësi, i shkruante Faik Konicës, me cilësinë e përfaqësuesit të Shtetit Shqiptar në Lidhjen e Kombeve të Bashkuara, edhe sa vijon: “Jam e shqetësuar për gjendjen e Shqipërisë. Nuk më pëlqen borxhi i madh kundrejt Italisë. Italianëve nuk u duhet besuar, dhe nuk shoh se çfarë mund t’i pengojë ata që të mos rrëmbejnë një port si pagesë për këtë, në rast se e quajnë të përshtatshme”. Por mjerisht ashiqare, edhe ky dyshim u bë realitet. Një realitet i hidhur, por fare i njohur, konkret dhe real.

   Ka edhe mjaft personalitete të tjera me emër të madh e të mirë si në fushën e politikës, të medias, por edhe atë shtetare. Midis tyre po veçoj zonjën Margaret Macmillan, e mbesa e kryeministrit të Anglisë gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore. Në librin madhor “Paris 1919, gjashtë muaj që ndryshuan botën”, ajo jep me vërtetësi dhe argumente bindëse dramën se si u luajtën fatet e popujve në skenën e madhe botërore gjatë Konferencës së Paqes në Paris në analizë të përfundimit të konfliktit gjakosës të përbotshëm. Në këtë libër Shqipëria gjen pasqyrim të gjerë dhe krejt real, aq sa edhe historiografia shqiptare nuk na i ka ofruar ndonjëherë. Me keqardhje, duke gjykuar antishqiptarizmin e egër të Fuqive të Mëdha në qëndrimet që mbanin dhe vendimet që merrnin në kurriz të popullit shqiptar, ajo shprehet se Shqipëria, e ardhur pak para Luftës I Botërore e krijuar nga katër rajone të Perandorisë Otomane, ndodhet e mjerë, me shumë armiq të fuqishëm dhe me shumë pak miq të dobët. Ndodhej në mjerim ekonomik pa industri e tregti të zhvilluar, pa hekurudha dhe vetëm me 200 milje rrugë të shtruar. Shqiptarët, edhe pse banorë autoktonë ilirë të Ballkanit, në fakt ishin shtyrë në zonat më të mjerueshme dhe më të pakapërcyeshme nga pushtimi në jugë dhe në perëndim prej sllavëve. Por në Perandorinë Otomane ata ishin vlerësuar për zakonet e të luftuarit dhe bukurinë e tyre trupore. Pas një analize të gjerë dhe konkrete, ajo arrin në përfundimin jo shumë të këndshëm por krejt real, se Shqipëria ishte e dobët dhe qeveria e saj e pasuksesshme. Njëherësh na sjell në vëmendje edhe vlerësimin dhe qëndrimin burrëror proshqiptar të presidentit amerikan të kohës Uillson, i cili shprehet se shqiptarët ishin të tmerruar nga një mandat italian, që kishte marrë një numër të madh peticionesh, prandaj “Mbase duhet të kishin pavarësinë e tyre”. Megjithatë në këtë konferencë u morën vendime të rëndësishme për botën, të cilat, ashtu sikurse çuan në ekuilibra të qëndrueshme në një pjesë të botës, po ashtu i prishi ato në pjesë të tjera. Fatkeqësisht për vendin tonë këto vendime ishin në linjën e Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913, pra që cenonin tërësinë territoriale. Pra, realiteti që evidenton zonja Margaret, se Shqipëria ndodhej midis shumë armiqsh të fuqishëm dhe pak miqsh të dobët, por edhe me qeverisje të dobët dhe pa efektivitet, krejt natyrshëm do të ndodhej e pafuqishme për të përballuar me sukses sulmin ushtarak që do të pasonte pas pak vitesh.

   Referuar historiografisë shqiptare, pohohet se po përgatitej dhe thuajse u bë krejt i qartë pushtimi, populli i thjeshtë dhe intelektualët patriotë shqiptarë, e parandien rrezikun disa ditë përpara zbarkimit të trupave ushtarake të huaja. Në disa qytete të vendit u organizuan dhe morën udhë, demonstrime kundra këtyre sjelljeve dhe qëndrimeve antishqiptare, në të cilat u dalluan veçanërisht masa e të rinjve shqiptarë. Pak ditë para pushtimit rinia shkollore e kryeqytetit shqiptar, bashkë me ata edhe atdhetarë të tjerë, organizuan manifestime të gjera e të fuqishme, deri edhe përpara ndërtesave të qeverisë. Por duhet pranuar e pohuar se, për shkak të gjendjes aktuale të qeverisjes së vendit, por edhe të burimeve njerëzore e materiale të kufizuara, vendi ynë u gjend i papërgatitur dhe jo plotësisht i gatshëm të përballonte me sukses sulmin ushtarak të jashtëm prej një fuqie ushtarake të konsiderueshme, e cila kishte marrë përsipër të kryente agresion edhe në disa vende të tjera të rajonit ballkanik dhe evropian. Ushtria Shqiptare ishte e vogël në numër, e shkërmoqur në pikëpamje organizimi, e paarmatosur me armatim e municion bashkëkohor por edhe në sasinë e domosdoshme, si dhe e komanduar jo me profesionalizmin e duhur, për rrjedhojë edhe pa efektivitet; vendi ishte i pafuqishëm në pikëpamje ekonomike për të mbështetur veprimet luftuese; drejtimi e komandimi i luftëtarëve shqiptarë vuajti edhe nga paaftësia e Shtetit për të marrë në dorë gjendjen e krijuar, e mjaft të tjera si këto.

   Bernd J. Fisher, studiues amerikan, profesor i historisë në universitetin e Indianës në SHBA, autor i dhjetëra artikujve analitikë e shkencorë mbi Shqipërinë dhe historinë e saj, sidomos në gjysmën e parë të shek. XX-të; studiues i mirëfilltë i problematikës shqiptare midis dy Luftërave të Përbotshme. pas një analize të shumëfishtë politiko-ekonomike e ushtarake, për “Të Premten e Zezë” në Shqipëri, shprehet edhe sa vijon: “Konti Çiano, ish -ministër i Jashtëm i Italisë dhe dhëndër i Musolinit, pohon: Ose në bashkëpunim me Jugosllavinë dhe copëtimi i Shqipërisë, ose pa ata (jugosllavët S.R) dhe pushtimi i Shqipërisë”. Pra, në çdo situatë e rrethanë: sulm ushtarak ndaj territorit shqiptar, çka do të thotë, as më shumë e as më pak, por domosdoshmërisht pushtim i Shqipërisë.

   Në fillimviti 1938, në opinionin publik gjithnjë e më shumë qarkullonin zëra ngulmues se Italia do ta pushtonte Shqipërinë. Këtë fakt e shpalos krejt qartë disa herë zoti Tanush Frashëri, autor i librit “Ali Këlcyra, aristokrati kuqezi” si p.sh: Më 4 shkurt 1939 në Jugosllavi ishte krijuar kabineti i ri qeveritar pas rrëzimit të Stojadinoviçit, për rrjedhojë “Këshilli i Kurorës” nuk mund të bënin asnjë kundërshtim me armët për të përballuar invadimin e Shqipërisë, në qoftë se nuk do të kishin siguruar më parë përkrahjen e aleatëve të tyre”.

  Në fundmarsi 1939, Qeveria Italiane formuloi një “Ultimatum” për Qeverinë e Tiranës, përmes të cilit vihej në ankand pavarësia dhe tërësia territoriale e vendit. Konti Çiano paralajmëroi më 31 mars A. Zogun se, nëse nuk do të pranonte kërkesat italiane, atëherë në të gjithë Shqipërinë do të shpërthenin trazirat, të cilat do të pasoheshin nga zbarkimi i trupave të armatosura italiane. Mjetet diplomatike në rajon e më gjerë, si dhe mobilizimi i popullsisë në vend, rezultoi jo me efektivitet për të garantuar tërësinë territoriale dhe lirinë e vendit dhe popullit shqiptar. “Në orën 5.30 minuta të mëngjesit të 7 prillit, “E Premtja e Zezë”, Durrësi, Vlora, Shëngjini dhe Saranda u sulmuan prej 40 deri 50 mijë trupash të mbështetura prej 400 aeroplanësh dhe 12 anije lufte”, shprehet profesori i nderuar dhe krejtësisht i informuar saktësisht.

    Mbrojtësit e qytetit të Durrësit, ndonëse të pakët në numër dhe duke pasur vetëm pesë gjerdanë me fishekë, mundën të zmbrapsin valën e parë të sulmit italian. Por në orën 9:00 qëndresa në qytetet: Durrës, Vlorë, Sarandë, Shëngjin, kishte marrë fund. Vetëm në Durrës u vranë më se 200 italianë, dhe ndoshta më shumë shqiptarë, do të shprehet jo vetëm Fisher, por edhe disa të tjerë për këtë ngjarje. Një pohim nga kancelaritë italiane ve në dukje edhe sa vijon: Konti Çiano, i shoqëruar nga Filipo Anfuzo, vëzhgonte me avion zhvillimin e luftimeve. Por në këtë situatë, duke parë zhvillimin e veprimeve luftarake, jashtë etikës dhe protokollit italian, Anfuzo detyrohet të përsëritë disa herë: “… në rast se shqiptarët do të dispononin një brigadë zjarri të pajisur mirë, ata mund të na kishin hedhur në Adriatik…”. Një pohim jo i këndshëm ky për të dy palët ndërluftuese.

   Për gjendjen e Shqipërisë në këtë kohë, për situatën e përgjithshme dhe për gjendjen e forcave të armatosura në veçanti, hedh dritë Bernd J. Fisher, i cituar me respekt më sipër. Ai pohon prerazi dhe qartë, se në operacionin e 7 prillit, forcat ushtarake shqiptare luajtën një rol relativisht të vogël. Ai pohon gjithashtu se, malësorët ishin të çarmatosur nga pushteti qendror, dhe se “… mungesat e mëdha me armë zjarri, municione dhe organizim, do ta sakatonin shumë shpejt aftësinë e qëndresës shqiptare “.

    Është edhe një autor tjetër, i cili hedh dritë në zhvillimet e kësaj periudhe. Xhorxh Kastellani, autori i librit madhor “Histori e Ballkanit”, botim i vitit 1996, për më shumë se dhjetë vjet pedagog për Historinë e Ballkanit në një universitet prestigjioz të Parisit, shprehet edhe sa më poshtë: “… Musolini i filloi veprimet luftarake të Konfliktit të Dytë Botëror me pushtimin e vendit më të vogël në Ballkan, Shqipërisë, “Të Premten e Shenjtë”të vitit 1939, por përballë politikës së italianizimit, shqiptarët manifestuan shpejt pakënaqësinë e tyre “.

  Kështu, edhe pse i ndodhur në rrethana të disfavorëshme, populli i thjeshtë u ngrit nën “komandën e ndërgjegjes kombëtare e atdhetare”. Në mbarë Shqipërinë, mjaft shqiptarë u drejtuan drejt brigjeve të Adriatikut e Jonit. Në Durrës, atdhetarët e vërtetë drejtuan armët mbrojtëse kundër pushtuesve. Kapteri atdhetar, Mujo Ulqinaku, jo vetëm që drejtoi me aftësi, por edhe luftoi si trim i rrallë. Mujua, vërtet vinte nga një familje detari të varfër në Ulqin, por gjakun e derdhi për liri e vatan në Durrës. Hamit Vishko, biri i Gumenicës së Vlorës, ishte vetëm njëzet e tre vjeçar kur po ndodhte gjëma kombëtare pas sulmit pushtues, por erdhi në Vlorë duke dhënë kushtrim: “Kush e do Atdheun, të vijë në Vlorë, se po del Italia !”, për të mbetur lapidar nderi për liri dhe atdhe. Mitro Dhimërtika ishte nga Nivica e Sarandës, edhe ky jo më shumë se njëzet e tre vjeçar, por bashkë me shokë shkoi në breg të detit për të mbetur lapidar i paharruar heroizmi, duke lënë pas amanetin: “Mua mos më qani; unë bëra detyrën si atdhetar…”. Hamit Dollani, ishte ndër luftëtarët më të pjekur, tridhjetë e gjashtë vjeçar. Vërtet që ishte nga fshati Jance i Gramshit, por më datën 6 prill, me mitraloz në krah udhëtoi drejt Durrësit, ku e thërriste nderi i Atdheut, për të mbetur dëshmor në krah të shokut të tij të vjetër, Mujo Ulqinakut….

    Pastaj vijuan dëshmorët e tjerë, të cilët janë kaq shumë për një “copë“ vend dhe një “grusht” popull si ky i yni. Njëzet e tetë mijë (një shifër e diskutueshme kjo nga historianët, e sidomos nga politikanët S.R) mbetën çdo pëllëmbë të Atdheut, për të transmetuar apelin: Ky vend dhe ky popull ka mbijetuar në sajë të dëshirës, vullnetit dhe sakrificave të shumta për të qenë i lirë. Pushtimi për shqiptarët ka qenë gjithmonë një akt i dhunshëm, sepse i cenohej liria, sovraniteti dhe tërësia territoriale, të cilat ndër shekuj i ka pasur të shenjta e të shtrenjta. Shpirti i tij i kahershëm liridashës u shfaq dukshëm dhe qartë. Menjëherë u organizua një qëndresë e fuqishme, edhe pse fillimisht thuajse spontane, pas atij çorganizimi shtetëror dhe mungese fuqie njerëzore e materiale për t’u përballur me sukses me pushtuesit. Është fakt i njohur historik, që kreu i Shtetit Shqiptar, Ahmet Zogu, në këtë moment krize të pashpresë, në mëngjesin e kësaj dite u largua nga vendi i tij. Këtë ndodhi disa nga personalitetet e huaja, të cituara edhe më sipër, e analizojnë dhe interpretojnë gati në unison në përmbajtje, por në forma të ndryshme në aparencë. Kështu Editt Durham, shprehet se mbreti Zog i Shqipërisë “… ua mbathi me të shtënën e parë dhe i la atdhetarët shqiptarë të luftonin të vetëm kundër forcave me epërsi dërrmuese”. Historishkruesi i Ballkanit, Xh. Kastellan, nënvizon edhe sa vijon: “… Zogu ishte larguar përmes maleve me dëborë…”.  Por gjithsesi, edhe nga disa të huaj është pohuar prerazi dhe qartë se, populli shqiptar i ndodhur përballë rrezikut të shpërbërjes, zgjodhi alternativën e qëndresës së armatosur, duke arritur në përfundimin logjik se, bashkimi, si një dhunti e  hyjëshme e tij, do të ishte edhe mjeti më i efektshëm për t’ju kundërvënë së keqes. Vatrat e qëndresës kundër pushtuesve, në fillim e deri në ditën e çlirimit në fundvitin 1944, u shndërruan në legjendë. Nga dita e parë e pushtimit e deri në çlirimin e plotë, kudo ku e deshte interesi i mbrojtjes së Atdheut, u derdh gjaku i shtrenjtë i shqiptarit.

Safet Ramolli

SHKARKO APP