7 prilli që bashkon Kurtin, Hoxha, fashistët italianë dhe grekët (dje dhe sot)?

Nga Mentor Nazarko

Pyetja në titullin e shkrimit ngjan absurde: hane Shan, hane Bagdat. Ç’lidhje kanë Kurti, Hoxha dhe grekët me Zogun?

Lidhja është tek 7-8 prilli 1939. Kurti duke imituar Ramën, i kushton shpesh në facebook një lexim modern ngjarjeve të historisë kombëtare (jo vetëm përkujtim masakrash serbe). Kështu ndodhi në 7 prill 2024 kur u mor me pushtimin italian të Shqipërisë që nuk ishte dhe aq keq për Kosovën. Dhe shkroi si pretendon Enver Hoxha: Zogu nuk bëri rezistencë.

Enver Hoxha shkoi në Konferencën e Paqes (me Italinë) në Paris në 1946, ku diskutoheshin kufijtë e Shqipërisë së Jugut, dhe foli për rezistencën e shqiptarëve në Luftën e dytë botërore (posaçërisht ndaj italianëve). Shqipëria e Jugut rivendikohej nga grekët, e mbështetur nga anglezët, por mbrohej nga Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia e Titos. Enveri tha duke mohuar totalisht pasardhësin: populli rezistoi në 1939! Asnjë fjalë për Zogun.

Greqia, atëherë, por dhe sot, pa ndryshuar asgjë, as nga dialogu me qeveritë shqiptare, por as nën peshën e fakteve historike, afirmon: institucionet shqiptare, parlamenti, u bashkuan vullnetarisht me Italinë dhe i dhanë kurorën Viktor Emanuelit. Shqipëria bashkë me Italinë, na sulmuan në 28 tetor 1940!

Galeazzo Ciano,dhëndrri i Musolinit dhe ideatori apo ekzekutori i pushtimit, ideologët fashistë po ashtu i mbahen kësaj teze. Bashkimi ndodhi vullnetarisht; ne nuk e pushtuam Shqipërinë, por zbatuam një nen të Pakteve të Tiranës të 1926. Shqipëria kërcënohej nga një turbullirë e brendshme dhe rreziku jugosllav, ndaj ne ndërhymë ushtarakisht për ta mbrojtur.

Mirëpo cili është versioni i vërtetë mbështetur mbi faktet e gjithëpranuara?

Pushtimi zgjati dy ditë, sepse rezistenca kryesisht e policisë (trajnuar prej anglezëve) zgjati dy ditë. Italianët përshkruan 40 kilometrat nga Durrësi për Tiranë për një ditë e gjysmë, ndonëse kishin një ushtri 50 herë më të madhe se ushtria shqiptare e sabotuar prej instruktorëtve të saj. Zogu ka ikur natën duke gdhirë 9 prilli nga kufiri shqiptaro- grek. Gjatë dy ditëve pati rezistencë të organizuar ndonëse e dështuar: u vranë 400 italianë që nuk vriten spontanisht nga tributë e shoqërisë “civile” shqiptare ku 90% ishin analfabetë. Abaz Kupi, major i ushtrisë mbretërore udhëhoqi rezistencën dhe ishte heroi i saj. Për të u kënduan këngë me gjallje, në muajt që pasuan pushtimin. Komunistët duke njohur rolin e tij historik (si individ?) e përfshinë në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë çlirimtare. Mujo Ulqinaku simbol i gjithëpranuar i rezistencës ishte ushtarak.

Një ushtarak tjetër në Durrës me mbiemrin Papakristi- për të cilin flet ish ambasadori amerikan, Hugh Gladney Grant-, në fakt ishte simboli real i saj. Papakristi rezistoi nga llogorja e tij duke vrarë shumë italianë. Kur italianët e bombarduan llogoren e tij me mortaja, ai u tërhoq në shtëpinë e tij dhe qëllonte prej aty. Kur rrethuan shtëpinë e tij, ai i vuri flakën vetes për të mos ju dorëzuar pushtuesve. Skenar për film Hollivudi të cilin historiografia jonë, memoristika politike e hesht. Mirpo gjithë gazetat botërore happen me titujt e parë për rezistencën shqiptare shtetërore!!

-Kush e udhëhoqi rezistencën nëse jo sovrani? Shoqëria civile? Nëse Zogu do bashkëpunonte me italianët, pse nuk ndejti në krye të vendit duke i dhënë dukje legale paqësore pushtimit dhe dorëzimit të sovranitetit tek pushtuesit? Mbreti Zog e ka dhënë versionin e vet për rezistencën me librin e kujtimeve të Hysen Selmanit, që në fakt janë thjesht të tijat. Redaktorët e librit, të pakujdesshëm, shpesh kanë kujtimet në vetën e parë, si janë rrëfyer nga Mbreti. Ata që e kundërshtojnë librin, pra Enveri, grekët, italianët dhe … Kurti nuk kanë ofruar faktet e tyre kundërshtuese!

Pse të gjithë janë më një llogore?

-Nëse grekët në emër të pretendimeve territoriale, e mohuan rezistencën e organizuar shtetërore të Mbretit, duke pretenduar se Shqipëria e tetorit 1940, ishte sovrane, ndaj mban në këmbë ende Ligjin e Luftës; ka në sirtar rivendikime territoriale, bllokon kthimin e pronave;

-Nëse Enveri e mohoi rezistencën e paraardhësit sepse nuk donte t’ja jepte meritat Mbretit Zog për një ngjarje kaq të madhe ndërsa komunistët nuk kishin parti dhe shumë prej tyre mbanin pozicionin se pushtimi është gjë e mirë pasi zhvillon klasën punëtore;

-Nëse ideologët fashistë përdorën argumentat e dorëzimit paqësor të pushtetit për të justifikuar fashizmin dhe ndërmarrjet e veta imperiale;

Po Kurti pse e mohon rezistencën shtetërore të Mbretit Zog?

Sigurisht, jo pse është enverist, apo filogrek si e sulmojnë opozitarët e Kosovës. Po sepse historiografia jonë postdiktaturë nuk ka mundur të afirmojë përfundimisht të vërtetën për ngjarje të tilla kaq të mëdha; inercia e veprave të autorëve komunistë, mbetet në gjithë hapësirën kombëtare. Pra Kurti e sheh padashje këtë moment me sytë (të paktën) e Enverit.

Sa pak njohim njeri tjetrin,veten dhe historinë tonë të përbashkët, apo të zhvilluar në territoret e ndara ku jetojnë shqiptarët! Ndaj kur flasim në Shqipërinë londineze apo Kosovë, apo mbarë hapësirën tonë etnike, si politikanë, si shkollarë, apo si qytetarë flasim si don apo si bën akoma shteti që ligjërisht e quan Shqipërinë e 1939-1944, shtet sovran! Si grekët!

SHKARKO APP