70% e shqiptarëve të kthyer nga azili nuk gjejnë punë
Mbi një milion shqiptarë, ose 44% e popullsisë së përgjithshme aktuale të vendit, migruan në Shtetet Anëtare të BE-së nga 2008 në 2018, duke e bërë Shqipërinë vendin kryesor të origjinës në Ballkanin Perëndimor për migrantët në Bashkimin Europian.
Këto janë gjetjet e një raporti të botuar nga Instituti i Politikave Europiane të Kosovës, bazuar në të dhënat zyrtare të EUROSTAT. 1,249,706 shqiptarë u larguan nga vendi për në Shtetet Anëtare të BE, brenda një dekade (2008-2018). Ky numër arrin në 44% të popullsisë së përgjithshme të vendit në 2019.
Kurse më herët, një studim arriti në përfundimin se 7 nga 10 shqiptarë që kthehen nga azili dhe emigracioni nuk gjejnë dot punë në vend. Pjesa dërrmuese e të kthyerve i përkasin moshave 26-45 vjeç, kanë kryer vetëm arsimin fillor dhe janë të martuar ose pjesë e familjeve me numër të madh anëtarësh.
Pamundësia për të gjetur punë në vend dhe kërkesa për të plotësuar nevojat bazike të familjes janë faktorët që i shtyjnë ata drejt largimit, duke krijuar valën e madhe të azilkërkuesve shqiptarë në dyert e Europës.