700 policë të prekur nga Covid-19, Fishta: Asnjë mbështetje nga qeveria

Krah mjekëve, në luftën ndaj pandemisë së Covid-19 janë edhe forcat blu. Deri më tani janë afro 700 efektivë të prekur me koronavirus, ndërsa 11 prej tyre kanë humbur jetën. Paçka se policia është në vijën e parë të luftës kundër pandemisë, qeveria nuk ka dhënë asnjë fond për 12 mijë efektivët. Madje Shqipëria renditet pas Kosovës, e cila dy herë brenda 10 muajsh i ka shpërblyer ligjzbatuesit.

”Janë deri tani rreth 700 punonjës policie të prekur, ndërsa të vdekur janë rreth 11 efektivë që kanë ndërruar jetë. Policia e Kosovës është trajtuar 2 herë me nga 300 euro shtesë për arsye të përballjes së tyre me persona të prekur me Covid-19 gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Qeveria ”Rama 2”, nuk ka marrë asnjë vendim që të trajtojë punonjësit e policisë”, thotë Sadedin Fishta nga Sindikata e Policisë.

Nga ana tjetër, Fishta shton se për shkak të vendeve bosh të lëna nga efektivët e infektuar, pozicionet po mbahen nga kolegët e tyre. Për të qeveria edhe këtu po shkel ligjin, duke mos u kaluar pagesat për orët suplementare. Për të Policia e Shtetit është lënë në mëshirën e fatit, ku efektivët po detyrohen që të blejnë me paratë e tyre maskat mbrojtëse dhe uniformat pasi as këto nuk mbulohen më nga pushteti ekzekutiv.

SHKARKO APP