71 vota për arrestimin e Bllakos, PS tërhiqet. Në Kuvend mund të rikthehet Majko
Deputetët gëzojnë një imunitet të veçantë, ndaj dhe rrugën me ligjin e kanë të gjatë për tu pëballur. Kërkesa e SPAK-ut për arrestimin e deputetit socialist Alqi Bllako, kërkon të paktën 71 vota pro në Parlament, ku vetë maxhoranca ku bën pjesë edhe Bllako ka 74 mandate.
Deri në arritjen e seancës së votimit, do të duhet të zhvillohet debati parlamentar në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Të vesh një deputet në pranga nuk është njësoj si të arrestosh një keqbërës. Kushtetuta e Shqipërisë i jep ligjvënësve imunitetin parlamentar, ku për çdo masë sigurie do të duhet të jepet autorizim nga Kuvendi.
Prokuroria që në rastin e Bllakos është SPAK-u, do të duhet të dorëzojë një kërkesë, ku të kërkojë autorizimin e posaçëm. Kërkesa do të duhet të shqyrtohet nga Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet, i cili njoftohet menjëherë nga Kryetari i Kuvendit.
Taulant Balla tha se ”PS nuk është mburojë për askënd, do të jetë një vijë e kuqe për këdo”. Kurse Partia Demokratike nxit drejtësinë që të çojë para saj kryeministrin Edi Rama, Erion Veliajn, Ëngjëll Agaçin si dhe ministrat e tjerë të kabinetit qeveritar të përfshirë në aferat e incineratorëve.
Nëse deputetët socialistë miratojnë kërkesën e SPAK-ut, vendin e Ballkos në Parlament e zë automatikisht ish-kryeministri Pandeli Majko, i cili ishte në vendin e 19 në listën e PS-së së Tiranës në zgjedhjet e 25 prillit.