8 Marsi, protesta në disa qytete. Vokshi: 135 gra janë vrarë gjatë qeverisjes së Ramës

Lule kudo nëpër rrugët e Tiranës, por këtë 8 Mars, që është Dita Ndërkombëtare e Gruas, nuk munguan as protestat. Me pankartat në duar, “S’duam lule, duam të drejtat”, “Beso te vetja”, “Ti ke lindur nga një grua”, “Bota jemi ne”, gratë e PD-së kanë protestuar para Kryeministrisë, ndërsa këto pankarta i lanë në shkallë si një mesazh për kryeministrin Edi Rama. Deputetja dhe drejtuesja, Albana Vokshi mbajti një fjalim përpara të pranishmeve në protestë, ku tha se gjatë qeverisjes Rama janë vrarë 135 gra. Ato marshuan nga Kryeministria në drejtim të institucioneve të tjera, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Pak më pas, një protestë u mbajt edhe nga gratë e shoqërisë civile, një manifestim në këtë 8 mars për të kërkuar më shumë të drejta e mbështetje nga qeveria. Gratë njëzëri thanë se sistemi i drejtësisë ka dështuar t’i mbrojë ato nga vrasësit.

Kjo protestë vjen pak ditë pasi tre gra të pafajshme, Mevlute Hysa, Hasime Dafku dhe Etleva Kurti u vranë nga Dan Hutra, i cili i qëlloi me breshëri kallashnikovi dhe plagosi dy gra të tjera. Në protestë u kërkua drejtësi edhe për vdekjen e 22-vjeçares Joy Ayoko, vrasja e së cilës është ende pa autor.

Edhe në Durrës dhe Elbasan gratë dolën në një marshim-protestë. Gjatë vitit 2022 e deri më 8 mars 2023 në vendin tonë vrarë 12 gra. Vetëm në vitin 2022 janë dhunuar 3.676 vajza dhe gra, prej tyre 2.206 kanë përfituar urdhër mbrojtjeje.

SHKARKO APP