8 vite nga vrasja e të atit, Ana Veizi: 21 Janari më shtyu të studioja Drejtësi
Ziver Veizi është një prej katër viktimat të 21 Janarit 2011. Ditën e djeshme në tetë vjetorin e kësaj ngjarjeje të rëndë, si çdo vit familjarët zhvilluan ceremoninë e përhershme të vendosjes së luleve në bulevard, ndërkohë që kërkojnë drejtësi.
Vajza e Ziverit, Ana, tha për ‘Top Channel’ se ata vijojnë të kërkojnë që të vihen para drejtësisë si ata që kryen vrasjet, por edhe ata që dhanë urdhrin.
“Drejtësia ende nuk është vendosur. Drejtësi nuk është të ecim në Bulevard në nder të tyre. Drejtësi është që përgjegjësit të vihen pas hekurave. Nuk dua që vetëm të flitet, por përgjegjësit të vendosen para përgjegjësisë. Statusi Dëshmor është thjesht një nderim, por nuk e zbut aspak këmbënguljen tonë për të kërkuar drejtësi. Nuk do të heqim dorë. Kërkojmë që të vihen përpara ligjit personat që urdhëruan dhe kryen vrasjen”, u shpreh Ana.
Ajo tregon se ka qenë pikërisht ngjarja e para tetë viteve, ajo që e shtyu të fillojë studimet për Drejtësi.
“21 Janari më shtyu që të vazhdoja studimet Drejtësi, sepse e kam parë se sa e vështirë është të vendoset drejtësi. Ka shumë njerëz që vuajnë nga padrejtësitë. Dua që të jem krahë për të gjithë ata persona që vuajnë ashtu si unë”, u shpreh ajo.
Më 21 janar 2011, gjatë protestës përpara Kryeministrisë të thirrur nga kryesocialisti Edi Rama, humbën jetën protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.

KOHA JONË SONDAZH

