80-vjetori i lindjes së Ibrahim Rugovës, “nji ndër burrat e rrallë të kombit shqiptar”
Albert Vataj
Bota shqiptare s’ka me e pas fatin me e njoft s’dyti herë në historinë e vet një personalitet të këtillë, paqësor, vizionar dhe dijeshumë. Mirënjohje për krejtçka skaliti në memuarin e gjithëshqiptarisë ky burr i madh.
“Nji ndër burrat e rrallë të kombit shqiptar. Ndoshta ma i rralli ndër shekujt e fundit. Sepse na cilsohemi, simbas tjerve, popull hakmarrës, i pamëshirshëm e shkatrrimtar. Ai u përpoq me spjegue shkrimtarin e madh kosovar Pjetër Bogdanin, ndërkaq Pjetër Bogdani zotnoi shpirtin e Ibrahim Rugovës, mëton At Zef Pllumi.
I përpoq mendimi i tyne i perbashktë: liria e popullit kosovar. Caktoi me ndjekë rrugën e tij si ma të drejtën për nji Kosovë të lirë e të pamëvarun prej gjithkujt. Ai pati vizionin e themeluesve të Europës së bashkueme. Atje mendonte me shti edhe vendin e vet Kosovën, por pa i shkaktue vuejtje as gjak kurrkuj, prandej edhe kje thirrë “Gandi kosovar”. U sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u luftue edhe nga kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijtuni, e ma i urti i të gjithve. Vazhdimisht pat kritika në shtypin Kosovar për dy fotografi që mbante në zyrën e tij: atë të Nanë Terezës, si dhe atë të Gjon Palit të dytë ose Woitil-ës Papë. Mbas të gjitha kritikave, ai vazhdoi t’i mbante deri ditën e fundit të jetës, jo vetëm se i kishte zgjedhë si model të jetës s’vet sepse Gjon Pali i dytë kje luftari ma paqsor mbi tokë, i cili ia duel me shkatrrue dy ideologjitë ma kriminale të shekujve, nazizmin e komunizmin internacional, ndërsa Nana Terezë shqiptarja qi mori çmimin “Nobel për paqen”, e propozueme nga nji komb i largët për të mirat që i kish dhanë njerëzimit, nji kohë kur në vendin e vet nuk lejohej me ardhë as sa me nderue vorrin e nanës së vet, kumton Pllumi.
Filozofia e tij politike, ishte diçka magjike, sidomos për botën perëndimore, e cila dridhmohej nga magjia e filozofisë paqësore, që dilte nga një rajon i stërmbushur me urrejtje, luftëra, krime.
Me dhuntitë e pashembullta, ai doli kundrejt një politike vrasëse, që prodhonte vetëm shkatërrime dhe dhunë, duke ndërtuar një shtet paralel brenda një regjimi të çmendur. Dhe kështu, ngazëlleu zemrat e botës, e të sa e sa prijësve politikë, të kombeve të mëdha, që i dolën zot kombit të tij, ashtu sikurse deshi ai. Është kjo magjia e fuqisë së paqes, e fuqisë së besimit, e fuqisë së drejtësisë, një magji e tipit Promethean, të cilën diti ta jetësoi një njeri si Ai. Po ashtu, kjo fuqi dëshmoi se sa të pafuqishme janë pengesat ndërkombëtare, kur ishte në pyetje domosdoja e mbrojtjes së Kosovës. Bota e tëra u rreshtua pas misionit të tij të përcaktuar jetësor.
***
Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
***
Shkrimet e para në letërsi Ibrahim Rugova i filloi me poezi, ashtu siç veprojnë të thuash të gjithë shkrimtarët, kur fillojnë të merren me letërsi. Ai botoi nja njëzetë poezi , të cilat ishin në nivelin e poezive që botoheshin në atë kohë. Por shumë shpejt e braktisi këtë gjini për t’iu kushtuar studimit të letërsisë, veçmas kritikës letrare.
Madje qysh në përmbledhjen e tij te parë të shkrimeve në këtë lëmi, në atë “Prekje lirike’’ 1971, dëshmoi për një prirje drejt letërsisë se avancuar perëndimore duke e iu shmangur asaj të realizmit socialist, që kishte përfshi një pjesë të letërsisë së kampit të ashtuquajtur socialist, trevë kjo së cilës i takonte edhe Shqipëria por edhe Kosova si pjesë përbërëse e Jugosllavisë së atëhershme.
Të shtojmë se punimet e këtij libri se pari u botuan në të përkohshmen ‘’Fjala’’ me mbititull “Zenite letrare’’, ku shihej orientimi i tij që të merrej me kulmet e letërsisë, kryesisht asaj botërore. Në këtë kontekst duhet shikuar edhe përpjekjet e këtij krijuesi që të lirohet nga dogmat e realizmit socialist,që e kishin kapluar letërsinë që krijohej në atë kohë, veçmas atë që krijohej në Shqipëri e që në njëfarë mënyrë ndikonte edhe në krijimtarinë letrare që krijohej në trojet e ish Jugosllavisë, ku jetonin dhe vepronin shqiptarët.
Është thënë dhe shkruar se Ibrahim Rugova ishte ndër të parët që e kundërshtoi këtë drejtim letrar me shkrimet e tij të botuara në shtypin e kohës. Në të vërtetë që në shkrimet e botuara në librin e tij paralajmëronte orientimin e tij që synonte nga kulmet e letërsisë botërore, të asaj pjesë më progresive të kësaj letërsie. Këtë orientim të tij ai do ta përsosë pas qëndrimit disa muajsh në Paris të Francës.
Madje mund të thuhet lirisht se krijimtaria e tij lidhet me modernitetin në kulturën shqiptare, me modernitetin e kritikës letrare dhe shkencore, jo vetëm të asaj që krijohej në trojet e ish Jugosllavisë, ku jetonin shqiptarët, por në të gjitha rasone botërore, ku flitet e shkruhet shqipja. Në këtë mënyrë veprat e tij bëhen fanar që ndriçojnë aspekte të ndryshme të letërsisë, shikuar nga aspekte që deri më atëherë nuk ishin kultivuar në letrat shqipe.
Në ndërkohë Ibrahim Rugova botoi edhe veprat tjera ‘’Kah teoria’’ – 1971, ’’Strategjia e kuptimit’’- 1980, ’’Vepra e Bogdanit 1675-1685’’ – 1982, ’’Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983’’- 1983, ’’Refuzimi estetik’’ – 1987 dhe është koautor i dy veprave të tjera “Kritika letrare’’(bashkë me Sabri Hamitin) – 1979, si dhe “Bibliografia e kritikës letrare shqiptare, ‘44-‘74” (bashkë me Isak Shemën) – 1976. Shtëpia botuese ‘’Faik Konica’’ e Prishtinës e botoi kompletin e veprave të tij për të dëshmuar kështu vlerat e pakontestueshme me të cilat disponon kjo krijimtari e që nuk e kanë humbur aktualitetin as sot e kësaj dite. Në të gjitha këto vepra hetohet mprehtësia e tij për t’i kapë gjerat, për të shqyrtuar me mjeshtri dhe aftësi të rrallë çështje që i shtron në këto punime.
Në të gjitha këto vepra duket qartë prirja e tij për të ndriçuar sa më mirë çështjet për të cilat shkruan, duke i qëndruar besnik orientimit të tij primar, që veprën ta analizojë nga aspekte e artit dhe të rolit të saj në zhvillimin e dijes. Ibrahim Rugova ka bërë zgjedhjen dhe përgatitjen për shtyp të vjershave të zgjedhura të poetëve bashkëkohorë, si Din Mehmeti, Ali Podrimja, Beqir Musliu etj, të cilat i shoqëronte me parathënie, që në realitet janë analiza të thukta të vlerave të këtyre veprave. Dy janë veprat më të çmuara të këtij krijuesi, e që me duket se janë kryeveprat e Ibrahim Rugovës dhe ato “Vepra e Bogdanit 1675-1685’’ dhe “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983’’.
Derisa në të parën ai do merret me studimin e gjithanshëm të veprës së këtij humanisti dhe shkrimtari, në të dytën Rugova do të merret me rrugët e zhvillimit të kritikës letrare në letërsinë shqipe. Sipas tij mendimi kritik për veprat e artit të fjalës së shkruar në letrar shqipe është shumë i hershëm, madje ai zë fill me paraqitjen e shkrimeve të para të shkrimtarëve shqiptarë. Kështu, për shembull, ai ka shkruar edhe këta rreshta: ’’Po ashtu në vijën e humanizmit kemi edhe poetin dhe filozofin Mikel Maruli (1453-1500), i cili shkruante poezi në frymën e elegjive të Katulit dhe bënte interpretimin poetik të botës sipas Lukrecit. Më 1497 botonte dy vepra të njohura «Epigrame» dhe «Himnet e natyrës», si dhe la në dorëshkrim veprën «Mbi edukimin princëror». Duke vepruar kështu ai dëshmonte për përkushtimin e tij që të gjurmojë dhe të gjejë elemente të mendimit kritik për vepra letrare, edhe në vende të tjera e ndër popuj të tjerë, që ishin të botuara më herët.
Në vazhdim të këtij studimi Ibrahim Rugova do të përqëndrohet në vlerësimet që janë dhënë për letërsinë dhe për veprat letrare në kohë dhe në hapësira të ndryshme. Një vend të rëndësishëm në veprën e tij zë mendimi kritik i shkrimtarëve të Rilindjes kombëtare dhe kontributi i çmuar i shkrimtarëve të kësaj periode, të cilët kishin botuar vepra të shumta në poezi, prozë apo edhe gjini të tjera të krijimtarisë artistike, por që kishin dhëne edhe vlerësime për veprat e botuara, në mesin e të cilëve ai do të përmendë Jeronim De Radën, mandej Faik Konicën, të cilin e radhiste në mesin e kritikëve më të çmuar të mendimit estetik në letrat shqipe, i cili që në shkrimin e tij në “Kohëtoren e letrave shqipe’’ dëshmonte për një vetëdije të lartë për nevojën e kritikës letrare shqipe, si pjesë e letërsisë, të cilën edhe e ndihmon në zhvillimin e saj.
Mund të themi lirisht se Faik Konica çmohet si njëri ndër kritikët më të mprehte dhe një ndër ata që i ndihmoi zhvillimit të mendimit kritik në letërsinë shqipe. Në këtë vazhdë duhet përmendur edhe shumë bashkëkohanikë të Konicës, në mesin e të cilëve po përmendim Fan S. Nolin, i cili veprat e përkthyera nga gjuhët e ndryshme në shqip i shoqëroi me introduksione, andaj edhe kritikat e tij ai i quan kritika introduktore. Pa dyshim se këto interpretime të Nolit janë një thesar i çmuar në zhvillimi dhe rritjen mendimit kritik e estetik në letrat shqipe.
Si do që të jetë konsolidimi i kritikës letrare shqiptare fillon më mjaft vonesë. Ai nis të zhvillohet dhe të kultivohet pas fillimit të botimit të shumë revistave letrare në gjuhën shqipe, qoftë në Shqipëri apo edhe në diasporë. Në këto gazeta e revista fillojnë të botojmë shkrimet e tyre shumë penda që më vonë do të bëhen të njohura , duke i ndihmuar kështu kultivimit të kritikës letrare si pjesë përbërëse e letërsisë. Kjo ndodh në vitet ’20 dhe të ’30 të shekullit të kaluar kur edhe fillojnë të botohen revistat “Djalëria’’, ’’Shqipëria e re’’, ’’Minerva’’, Illyria’’, ’’Hylli i Dritës’’ etj. Në faqet e tyre do të gjejmë shkrimet e Eqrem Çabejt, Justin Rrotës, Mitrush Kutelit, Krist Malokit, por edhe ato të Dhimitër Shuteriqit, Gjergje Fishtës e shumë e shumë emrave të njohur të letërsisë shqiptare.
Një pjesë të mirë e studimeve të Ibrahim Rugovës i kushtohet kritikës bashkëkohore, veç asaj që u krijua në Shqipëri e veç asaj që u krijua në Kosovë, gjegjësisht në ish Jugosllavi. Autori i veprës në shqyrtim ka sjellë analiza të hollësishme për orientimet dhe vlerat e kritikëve bashkëkohor, qofshin ata që punimet e veta i botuan në shtypin e Shqipërisë apo edhe të Kosovës, bashkë me orientimet e tyre në këtë lëmi të krijimtarisë.
Vepra e veta Ibrahim Rugova i ka përcjellë me aparaturë shkencore, duke cituar fusnotat për burimet e shfrytëzuara, ashtu siç ka vepruar edhe me numërimin e literaturës së shfrytëzuar, treguesin historik të termave, treguesin e emrave e të ngjajshme me këto. Në dy veprat tjera, në njërën ai e ka botuar edhe listën e përmbledhjeve të poezive bashkë me vlerësimin e shkurtër për secilën veç e veç, kurse në tjetrën, në atë të fundit “Refuzimi estetik’’ i ka numëruar romanet e botuara nga viti 1949 deri në vitin 1986, pra vetëm një vit para botimit të veprës në fjalë. Të gjitha këto e bëjnë veprën e tij me vlera të larta jo vetëm estetike, por edhe shkencore.
Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë
Më 1995, Ibrahim Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer, Danimarkë.
Më 1996, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII, Sorbonë, Francë.
Më 1998, Ibrahim Rugovës iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.
Në vitin 1999, Rugova mori Çmimin për paqe i qytetit Mynster, Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedik, Milano dhe Breshia.
Në vitin 2000, Ibrahim Rugova mori çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguerra” në Barcelonë, Spanjë.
Në vitin 2004 Ibrahim Rugova u nderua me Çmimin e Evropës, Senator Nderi nga Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi.
U nderua gjithashtu nga Komonuelthi i Pensilvanisë (SHBA), “Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Më 2004, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.
Në vitin 2006 Persidenti i Shqipëris, Alfred Moisiu dekoroi Presidentin Ibrahim Rugova (post mortum) me çmimin “Urdhërin e Flamurit Kombëtar”