“800 euro 1 kg”, ministri Lleshaj zbulon vetë çmimin e kanabisit në tregun shqiptar

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, i thirrur në interpelancë për krimin dhe përdorimin e gazit lotsjellës në protestat e opozitës, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, zbuloi çmimin e kanabisit në tregun shqiptar.

Lleshaj tha se një kilogram kanabis mund të shitet deri në 800 euro, duke thënë se kjo tregon se është reduktuar në mënyrë të jashtëzakonshme kultivimi i kanabisit në vendin tonë. Më tej, ai theksoi se edhe në Itali, gjatë vitit 2019, është ulur me 600% trafikimi i kanabisit shqiptar.

“Në vitin 2020 do thellojmë luftën ndaj kanabisit, për ta çrrënjosur këtë fenomen. Kanabisi në Shqipëri është kultivuar kryesisht për t’u trafikuar jashtë vendit. Italia ka qenë destinacioni i parë i trafikimit, dhe po ju them se në 2019 janë kapur 6 herë, që do të thotë 600% më pak kanabisi se një vit më parë. Çmimi i kanabisit i trafikuar brenda vendit tonë ka pësuar një rritje të jashtëzakonshme dhe e ka ngritur në nivele të panjohur, shifra që shkojnë në 800 euro për kilogram, që tregon reduktimin në mënyrë të jashtëzakonshme të kanabisit në vend”, tha Lleshaj.

SHKARKO APP