87-vjetori i Ismail Kadare, flet Elena: Ardhja në Shqipëri na ka zbukuruar jetën

Elena Kadare në 87-vjetorin e lindjes së bashkëshortit të saj ka ndarë disa momente nga jeta e tyre së bashku, ndërsa ka folur gjithashtu edhe për rikthimin e tyre në Shqipëri.

Gjatë një interviste televizive, ajo u shpreh se ardhja në Shqipëri u ka zbukuruar jetën.

“Ngjarje të tilla si ditëlindja përfshijnë shumë njerëz sepse nis me telefonin tim që mbushet me urime, sa jam vërtetë e lumtur se duhet t’ia lexoj Ismailit i cili nuk merret fare me telefonin. Ardhja në Shqipëri na e ka zbukuruar jetën. Jashtë janë dashamirës, por dashuria është vetëm këtu.

Raporti mes nesh është diçka tjetër, jo thjeshtë burrë-grua. Ka qenë një jetë plot dritë. Dashuria nuk është të parit e njëri tjetrit në sy por të parit e të dyve në një drejtim.

Janë shumë arsye bashkë që na bëri të jemi bashkë kaq vite, sidomos dashuria për letërsinë. Asnjë ditë jona nuk është e ngjashme me atë që kaloi apo me atë që do vijë”, u shpreh Elena Kadare në një intervistë për News 24.

Ajo ka kujtuar edhe momentin e njohjes me shkrimtarin, ndërsa kujton se pikërisht një letërkëmbim ka qenë indicja e raportit të tyre. “Tani lëmë vetëm pak pusulla nëpër shtëpi, kur do kthemi apo kur nis filmi që do të ndjekim”, pohoi ajo.

“Letra ka qenë arsyeja se si u njohëm. Brezi e klasa ime e adhuronim Ismailin. Një pjesë e reagimeve që shkruaja në gjimnaz botohej në shtypin e ditës. Ismaili që ishte në Moskë e kishte lexuar një tregim timin më shkroi një letër përgëzimi. kjo ishte një ngjarje e madhe për gjithë shkollën time. Më pas vijuam korrespondencën. Tani lëmë vetëm pak pusulla nëpër shtëpi, kur do kthemi apo kur nis filmi që do të ndjekim. Nuk ka më letra të tilla sepse jetojmë bashkë dhe nuk ka më kuptim”, u shpreh Elena Kadare.

SHKARKO APP