8 vrasje në 8 ditë/Veliu mbledh kupolën e Policisë: Të rritet efikasiteti, ose largoheni nga detyra

Rendi dhe siguria në Shqipëri është në limite, pasi për 8 ditët e para të qershorit, janë shënuar 8 krime të rënda që kanë shkaktuar 8 viktima. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu zhvilloi këtë të mërkurë një takim me drejtorët e Departamenteve, drejtorët qendrorë e vendorë si dhe me shefat e Komisariateve në vend, për ti bërë një analizë situatës.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, Veliu ka kërkuar reagim të menjëhershëm të strukturave policore, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, ose në të kundërt do të largohen nga posti që mbajnë. Kryepolici po ashtu ka kërkuar gjithashtu prerë e qartazi, reagim të menjëhershëm të strukturave policore, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri, që tentojnë të kultivojnë apo trafikojnë lëndë narkotike dhe atyre që kryejë ndërtime pa leje apo krime të tjera mjedisore.

“Të rritet efikasiteti i veprimeve për parandalimin e kultivimit të kanabisit në territor, duke bashkëpunuar me të gjithë aktorët dhe faktorët që ligji i ngarkon me përgjegjësi dhe të ushtrohet kontroll i përditshëm i territorit duke përdorur dronët, si dhe duke marrë të dhënat nga monitorimi ajror i GdF-së. Strukturat e Policisë në të gjithë vendin, por sidomos në zonat bregdetare, zonat urbane dhe ato të mbrojtura, të veprojnë me tolerancë zero ndaj ndërtimeve pa leje duke proceduar me arrestimin e atyre që kryejnë këto ndërtime. Qëndrimi i mëtejshëm në detyrë i secilit prej drejtuesve të strukturave vendore do varet nga reagimi i strukturave që keni në menaxhim, nga rezultati i parandalimit të veprimtarisë kriminale në cilëndo fushë që ajo do shfaqet”, theksoi Veliu.

Vrasjet dhe atentatet mafioze pas 25 prillit janë shtuar në përmasa të frikshme. Ekzekutimet nuk munguan nga veriu në jug, ku grupet kriminale eliminuan kundërshtarët mes tyre. Jo vetëm bandat po vrasin, por krimi në familje ka shënuar një rritje që fundi nuk i dihet. Përgjatë 5 muajve të fundit në vend kanë ndodhur 33 ngjarje të rënda kriminale. Numri në rritje i krimeve në vend, por edhe moszbardhja e ngjarjeve të rënda mafioze, ka bërë që gishti i përgjegjësisë të drejtohet te Policia. Për ekspertin e sigurisë, Fatjon Softa, situata e tillë tregon se krimi është trimëruar, por shteti duhet të vërë dorë. Për të, shqetësimi më i madh është armatimi që gjejnë grupet kriminale. Po ashtu një tjetër hallkë e dobët është dhe drejtësia.

Kurse sociologu Gëzim Tushi, thotë se në vendin tonë nuk dihet se kush është krimineli dhe nga kush duhet të ruhesh, teksa shton se duket se shoqëria jonë ka marrë formën e një “spitali psikiatrik”. ”Krimi një shoqërinë tonë është bërë shumë e larmishme. Duket se shoqëria shqiptare hyri në procesin e demokracisë dhe nuk morëm vesh nëse kjo liria erdhi për njerëzit apo për kriminelët. Krimi po na trondit në mënyrë sizmike, është jashtëzakonisht i fortë dhe infeksioni social më i përhapur. Duket sikur kemi kthyer shoqërinë në spital psikiatrik , nuk merret vesh kush është krimineli dhe nga kush duhet të ruhesh”.

SHKARKO APP