91-vjeçarja nga Spathara, Shahe Leka: Puna në fshat dhe ushqimet bio, them se do shkoj 120 vjeç

Shahe Leka është 91-vjeçe dhe jeton në fshatin Spathar në Librazhd. Jeta nuk ka qenë e lehtë për të, pasi mbeti e ve 25 vjeç dhe rriti e vetme 4 fëmijët duke bërë punë të rënda. Pavarësisht kalvarit të vuajtjeve nuk u dorëzua kurrë.

”Jam martuar 13 vjeç, kam 2 djem dhe dy goca. Burri im ka qenë partizan në kohën e luftës dhe më ka vdek në moshën 25 vjeç. Nuk u martova më unë. Kam punuar 7 vjet në ndërtim. Bëja panele, qendrat e zjarrit që bëheshin asokohe. Deri në fund në kooperativë kam qenë vazhdimisht, kam bërë çdo lloj pune.

Punoja me burrat më tepër, prisja dushk, nuk çaja kokën dhe nuk merresha me llafe. Shikoja ku ishte puna. Shkoja mu në majë të malit, kishim bagëtitë e kooperativës atje dhe merrja 50 kg pleh në kurriz dhe e bija në fshat. Po të kisha pas këtë kohë, nuk do kisha vuajtur fare. Edhe tani po të kem fuqi, unë marr 20 kokë dhi. Sot tokat i ke të gjitha, pula shto sa të duash, bagëti dhe derra. Jeton çke me të, mban dhe qeverinë, jo vetëm veten tënde. Nuk punojnë njerëzit sot”, thotë e moshuara për emisionin “Një nga ne”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Përveç punës që e mban energjike dhe në formë, ushqimi është faktor kyç në shëndetin e saj. Nuk pi ilaçe, as kur ka ftohje. I beson më shumë kurave natyrale dhe nuk vuan nga asnjë problem shëndetësor. “Unë ha bulmet, qepë me djath dhe gjizë, hithra. Specat djegës nuk i ha, as domatet nuk i ha. Dola njëherë me ulçër në stomak. Doktori më tha të haja mjaltë dhe gjalpë pa kripë të përziera bashkë. Që pas kësaj kure nuk ndjeva gjë fare.

Swiss Digital Mobile Reklama

Nuk janë ilaçet si më parë ndaj nuk merrem me ilaçe. Mos e ha atë që nuk ta pranon stomaku. Kur kishim ftohje merrje leshin e deles dhe e vije në trup. Djersa e deles të hyn në trup dhe të shëron nga ftohja”, tregon Shahe. Jetëgjatësinë e ka në gen. “Gjyshja ka jetuar deri në 120 vjeç. Është Zoti që e vendos, por them se do shkoj aq, po nuk i dihet”, përfundon 91 vjeçarja rrëfimin e saj.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet të nxjerrë PD dhe Opozita emrin e kandidatit për Kryeministër, por të mos jetë Berisha?