Historiani nxjerr dokumentet: Ja kur zbarkoi Gjermania ushtarakisht në vendin tonë. Pse flitej për “Shqipërinë e Re”
Studiuesi Marenglen Kasmi ka folur gjatë në emisionin “Real Story” të gazetarit të Sokol Balla në “News24” për pushtimin e Shqipërisë nga Gjermania në Luftën e Dytë Botërore, ndërsa ka publikuar edhe urdhrin e pushtimit gjerman në shtator të 1943 mbi trojet shqiptare. Ai tregon interesin dhe rrethanat që detyruan Gjermaninë të zbriste ushtarakisht në vendin tonë.
Pas kapitullimit të Italisë në vitin 1943, Gjermania u detyrua të zbarkonte në Shqipëri me pretendimet se toka jonë do shërbente si nyje strategjike për t’iu bërë ballë kundërshtarëve të Luftës së Dytë Botërore. Por a kishte një pushtim mirëfilli të Gjermanisë kundrejt Shqipërisë, studiuesi Marenglen Kasmi thotë se kjo ngjarje tashmë është fakt dhe nuk mund të trajtohet ndryshe.
Pjesë nga intervista:
Ku flitet për herë të parë, ose a mund të flitet për këto dokumente se ka pasur një qëllim të Gjermanisë naziste për të pushtuar Shqipërinë. Pse iu la Italisë dora e kontrollit mbi territorin shqiptar në Ballkan?
Historikisht nëse shohim historinë e Gjermanisë në shek. 20, por dhe të Shqipërisë, Gjermania nuk ka pasur asnjë interes direkt ndaj Shqipërisë. Edhe në periudhën e luftës së parë Botërore, ku sigurisht interesin ishte Austro-Hungaria, që mbështetej nga Gjermani dhe ajo e kishte Ballkanin si zonë të saj. Gjithmonë më ndihmën e Gjermanisë nga mbrapa, por ishte kjo mbështetja gjermane që i lejonte Austro-Hungarisë që të bënte ato veprime. Në fillim të viteve 20, ka një interes vetëm në pikëpamjen ekonomike të Gjermanisë në Shqipëri, por me daljen e Musolinit në skenën politike, me fillimin e tij në Itali, qartazi që në 1924-25, politika gjermane heq dorë ndaj çdo interesi ndaj Shqipërisë. Dhe thuhej se kjo është një zonë që do të drejtohet nga italianët.
Në shtator të 43, për arsye ushtarake, pra me kapitullimin e Italisë, për arsye ushtarake Gjermania duhej të pushtonte edhe trojet shqiptare, sepse pjesa më e madhe në frontin i gjithë Evropës Juglindore mbahej e pushtuar nga forcat italiane. Tërheqja e tyre nga lufta çante vijën e frontit në Evropën Juglindore dhe nëse keni parasysh planin e aleatëve për një zbarkim në Ballkan, Shqipëria në vlerësimin ushtarak gjerman plotësonte kushtet më të mira për këtë zbarkim dhe si e tillë, i duhej patjetër pushtet. Hapja e frontit të dytë do të ndodhte në Sicili, gjithsesi për arsye dhe motive ushtarake, të sillte dy divizione rreth 36 mijë forca kanë qenë në kohën më të mirë për të pushtuar. Ky është urdhri i divizionit nr.1 për pushtimin e trojeve shqiptare. Ky është urdhri i parë 09/09 1943. Pra në bazë të këtij urdhri, forcat gjermane vihen në lëvizje për të pushtuar trojet shqiptare, ku është veprimi ushtarak.
Paska çuditërisht datën, e cila dy vite më pas do të sillte edhe përfundimin e Luftës së Dytë Botërore….?
Është thjesht rastësi data, por në pikëpamje politike, por dhe ushtarake fillon në muajin qershor, më shumë në korrik të 1943. Ku merren masa dhe politikisht fillon interesimi, raportet e shumta nga Tirana, nga konsullata gjermane me qendrën në Berlinin për situatën. Konsullata është hapur që në vitin 1922, pra ishte tepër aktive dhe e sidomos në këtë periudhë. Shtabi i Përgjithshëm fillon të bëjë vlerësimet se si do të vepronte për këtë situatë. Ky urdhër vazhdon 1, 2,3, 4, duke pasqyruar situatën dhe duke urdhëruar këto forca se si duhej të vepronin. Për të mbyllur atë dilemën dhe debatin që bëhet: A ka qenë Gjermania apo jo, kur vetë thuhet urdhri nr kaq një për pushtimin e trojeve shqiptare. Mbyllej edhe një debat sa i takon pjesës kalimtare. Kalimtarë gjermanë ishin në atë kohë ishin nga të gjitha frontet, që pas Stalingradit, por është një tërheqje që vjen me luftim. Nuk mund të fshihemi pas fjalës “kalimtarë”. Sepse kemi një periudhë që dominohet nga veprime ushtarake dhe politike me ngritjen e qeverisë shqiptare bashkëpunëtore e kështu me radhë.
Në këto dokumente flitet edhe për një plan për mbrojtjen kundër tankeve, në rast të zbarkimit të aleatëve?
Ky është një plan i mbrojtjes kundër tanke. Këtu shikojmë bregdetin shqiptar, një plan që shoqëronte urdhrat gjermanë të kohës dhe masat që merreshin, ku është treguar bregdeti dhe shenjat se si do të organizohet kjo mbrojtje. Ka plan për artilerinë bregdetare, janë masa që merren qartazi ndaj zbarkimeve.
Ata kishin aleatët, duket sikur nuk e marrin në konsideratë që do të kishte rezistencë në vend?
Këtu tani është veçoria që do ndodhte në Shqipëri, një takim që bëhet në muajin gusht të 1943, në instancat e larta drejtuese në Gjermani, pyetja që shtrohet ishte: se çfarë duan shqiptarët që mos të na shkaktojnë ne probleme në këtë rrezik të madh që kemi, siç është zbarkimi, Shqiptarët duan pavarësinë dhe bashkimin e Shqipërisë. Pra krijimin e Shqipërisë së Madhe. Gjermanët përdornin një term interesant, ku thonë Shqipëria e re dhe Shqipëria e vjetër. Shqipëria e re është ajo që do të bëhej me gjithë Kosovën, që do t’i bashkëngjitej dhe e vjetra është Shqipëria e 1913, ata e përdorin për herë të parë. Thuhet po në këtë tavolinë: Po le ta marrin. Po ua japim diçka, as se kemi dhe as nuk na kushton. Kjo e lidhur ngushtë me vlerësimin që i bënte politika gjermane në këtë kohë, Kosovës, ku thuhej: Se leva e pushtimit tonë në mënyrë figurative, duhej të vendoset në Kosovës.
Po pse?
Sepse ajo është një popullsi që bie dhe ngrihet me ne, sepse do t’u ofrojmë garanci ndaj rrezikut të vazhdueshëm serb. Pra pritej që bashkëpunimi dhe ashtu ishte në fakt, që mbështetjen do ta kemi më shumë në Kosovë, sepse do tu ofrojmë garanci ndaj Serbisë dhe patjetër edhe një bashkim, ndonëse është fiktiv në kuptimin e plotë të fjalës.
Politikisht mund t’i jepte fryte për një tranzit më të qetë në territoret shqiptare….
Xhafer Deva, Rexhep Mitriovica, Bedri Pejani, janë politikanët e parë që marrin kontakt nga gjermanët dhe i përdorin. Madje dhe Lidhja e Dytë Shqiptare e Prizrenit, e cila është pikërisht në vjeshtë në 1943, pra e krijuar nga Bedri Pejani si kryetar i saj, del qartë në dokumentet gjermane, del qartë se është bërë nën regjinë gjermanëve. Sepse kishin interes t’i bënin këto organizime për të gjetur qetësi në këtë vend. Pra qetësia i dihej në Shqipëri për t’u përqendruar kryesisht në armikun e tyre kryesor.
Ka edhe një thirrje të gjermanëve për qetësinë e shqiptarëve, plus italianëve?
Sepse, Në Shqipëri ndodheshin shtatë divizione të dislokuar në këto kohë në të gjithë trojet shqiptare flas, hapësirë e cila do të mbahej me dy divizione e gjysmë, atje, pra me 36 mijë trupa. Përveçse shqiptarëve, pra forcat partizane, kishte edhe një sasi të konsiderueshëm të ushtarëve italianë, të cilët ende nuk dihen në gjykimin gjerman nëse do qëndronin neutralë apo do t’iu kundërviheshin.
Pamë një thirrje të asaj kohe, besoj e sponsorizuar nga nazistët …..
Është e gjermanëve. ku ushtria gjermane vjen si miku juaj. Ne kemi ardhur të detyruar dhe nuk kemi ardhur kundër jush. Kështu që duhet që, pra komandanti i ushtrisë gjermane e ka bërë këtë thirrje, që ju të mos na ngacmoni në misionin tonë, sepse ne jemi mbështetësit tuaj. E gjithë historia e marrëdhënieve shqiptare gjermane në këtë kohë është në fakt që krahas reprezaljeve që bëhen ndaj popullsisë, por po ashtu edhe me pjesën e tyre që bashkëpunojë me ata, një marrëdhënie që funksiononte me kërcënim. Parulla e kohës ka qenë : Përça dhe sundo! Parullë e vjetër.
Duket edhe me thirrjen, që është drejtuar në italisht ushtarëve të dezertuar italianë apo jo: Doni të derdhni gjakun tuaj dhe të vdisni për komunistët…
Prandaj edhe forca kërcënuese që përdorej, që rreziku komunist, pra komunizmi, madje ka edhe thirrje te hapura dhe kundërvënies që bënin komunistët me aleatët duke e thënë qartë se aleatët po mbështesin komunistët dhe bolshevikët, të cilët janë e keqja e njerëzimit, pra janë të gjitha thirrje që bëhen për fitimin e qetësisë në vend.
Kjo është e datës 14 shtator 1943, një ditë para futjes së trupave gjermane në Shqipëri apo jo…
Jo, gjermanët hynë në 9 shtator në Shqipëri. Kjo ka të bëjë me kurimin me organizimin e parë të shqiptarëve për të ngritur qeverinë. Janë masat e para që po merren nga gjermanët për krijimin e qeverisë shqiptare sepse plani ishte : në do të hymë ushtarakisht, qeveria dhe shqiptarët duhet të na mbështesin dhe të ngrenë një qeveri të tyren sigurisht në dispozicionin tonë, por që mund të bëjnë edhe diçka për vete.
Në fakt kjo nuk rezultoi shumë e vërtetë duke pasur parasysh edhe masakrën e 4 shkurtit edhe atë që ndodhi në Tiranë, edhe ata që u vunë në shërbim të gjermanëve nuk ishin ndoshta kaq…?
Nuk mund të shpëtonin dot shumë edhe po të donin, sepse momente të tilla ka. Për shembull kam parasysh qëndrimin regjentit Mehdi Frashëri, i cili në një moment kur bie qeveria e parë Mitrovica, kërkon të bëjë ndryshime qeveritare, pa pyetur gjermanët. Edhe i vjen menjëherë një letër kërcënuese nga i dërguari i Hitlerit për Evropën Juglindore ku i thotë: Ju jeni, sepse duam ne. Nuk mund të bëni asgjë që bie ndesh ndaj nesh dhe pa na pyetur ne. Është qartazi një qeveria që është kolaboracioniste, pra bashkëpunëtore dhe në shërbim të pushtuesit. A ka aspekte se edhe kjo duhet thënë, a ka punuar kjo qeveria dhe a ka bërë kjo qeveri që kanë qenë pozitive? Sigurisht që ka. Këtu kam parasysh mbrojtjen e hebrenjve. Është një bashkëpunim i shkëlqyer ndërmjet regjencës edhe legatës gjermane.
Ndoshta duke respektuar edhe atë mikpritjen shqiptare siç duket nuk kanë dashur ta cenojnë dhe…
I është mëshuar shumë, madje deri në shtator të 1944, kur dukej qe gjermanët po tërhiqej nga Shqipëri, Nojbvaher, ai vazhdon i jep prioritet kartës politike, diplomatike dhe asaj ushtarake. Edhe kjo duhet thënë në.
Ka ndikuar le të themi se drejtuesit e tyre më të lartë nuk ishin nazistët të thekur…
Është histori njerëzore. Njerëzit e bëjnë historinë.
Këto njoftime e shtatorit 1943 tregojnë se gjermanët ishin të informuar se çfarë po ndodh në Shqipëri, dhe Shqipëria ndërkohë kishte kaluar një verë të nxehtë politike, apo jo me Konferencën e Mukjes?
Periudha e Mukjes është një periudhë shumë intensive nga pikëpamja e raportimeve . Sa i përket Mukjes, e cila sikurse dijet, që shqiptarët ndahen plotësisht ndaj njeri tjetri, Ka disa raportime interesante e të detajuar. Për Mukjen është raportuar me 2 gusht, kur ende konferenca ishte drejt përfundimit. Është raportuar me 7 gusht për rezultatet, është raportuar me 23 gusht, 22 gusht. Është një periudhë shumë e dendur, sepse dhe interesi ishte i madh, por edhe lëvizjet politike-ushtarake në Shqipëri ishin të mëdha.