’98/Si u zgjidh kriza politike, takimi Majko-Berisha

Krizat politike në Shqipëri kanë mbizotëruar prej kohësh dhe në shumë raste, njësoj si në ditët e sotme, është kërkuar dorëheqja e kryeministrit. Megjithatë kur ka ekzistuar dëshira dhe gatishmëria për dialog, palët politike kanë mundur të gjejnë rrugën e arsyes për të mos e çuar vendin në përplasje civile, siç rrezikon në ditët e sotme.

Madje këto marrëveshje janë arritur edhe në periudha më të errëta për vendin. Ishte dhjetori i vitit 1998, kur studentët ishin futur në grevë urie dhe në atë kohë opozita e drejtuar nga Sali Berisha kërkonte dorëheqjen e kryeministrit Pandeli Majko.

Pas shumë përplasjesh në distancë kryeministri, Pandeli Majko dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në 22 dhjetor të vitit 1998 i dhanë dorën njëri-tjetrit në takimin për grevën e urisë së studentëve si dhe për çështjen e Kosovës.

Faksimile e gazetes KOHA JONE

Në lidhje me Kosovën dhe situatën që po kalonte në atë periudhë, kërkesat e kreut të PD-së, Sali Berisha ishin të qarta! Shqiptarëve të Kosovës tu njihej e drejta e vetëvendosjes duke respektuar mos ndryshimin me dhunë të kufijve si dhe faktorët shqiptarë duhet të punojnë së bashku në mënyrë që t’i kontribuojnë për më shumë të drejta ndaj tyre.

Në atë takim ishin edhe numri 2 i qeverisë së asaj kohe, Zv/Kryeministri Ilir Meta dhe Genc Pollo, nënkryetar i PD dhe Kryetar i Grupit Parlamentar. Pas takimit, Meta dhe Pollo ishin të ftuar në emisionin “E Diela Debat”, me drejtues Blendi Fevziun, ku treguan detaje rreth takimit.

Por çfarë do të deklaronin Meta dhe Pollo për këtë takim, në lidhje me krizën politike brenda vendit?

Ilir Meta: Mendoj se çdo politikan i arsyeshëm që del kundër dialogut në parim, bën një vetëvrasje, sepse dialogu është një domosdoshmëri dhe nuk e imponon dëshira e palëve, por përgjegjësia për fatet e vendit. Sepse ne jemi banorë të një shtëpie të përbashkët, që kur rrëzohet nuk zë vetëm ata që janë në pushtet, por edhe ata që janë në opozitë. Nuk zë vetëm anëtarët e partive, por edhe ata që nuk duan t’ia dinë për parti fare. Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm, që për hir të dialogut edhe të riskojmë, që do të thotë që. edhe nëse do të ketë keqkuptime, qoftë edhe brenda PS, ne do të përpiqemi t’i sqarojmë, sepse është më e rëndësishme të krijohet qetësia në vend, edhe pse ne mund të na krijohen disa shqetësime që unë i shikoj krejtësisht të evitueshme.

Genc Pollo: Pa dyshim, dialogu dhe marrëveshja duhet të jenë në thelb të politikës shqiptare për interesin e çështjes kombëtare. Është hedhur një hap dhe unë do të dëshiroja që Zoti Meta dhe Zoti Majko të tregonin që ato gjëra që morën përsipër t’i zbatojnë, sepse kështu vërtetë do të kontribuojnë në krijimin e marrëveshjeve që në thelb i shërbejnë popullit shqiptar. Kryesorja do të jetë që veprat të pasojnë fjalët. Kanë çaluar deri në këtë pikë dhe shpresojmë që ky do të jetë një moment kthese. Vetëm se duhet bërë në mënyrë konkrete dhe duhet të jetë e qartë. 

Për çështjen e Kosovës

Ilir Meta: Jemi në një situatë krize vetë si faktor shqiptar, duke patur parasysh faktorin shqiptar në Kosovë dhe në Shqipëri. Ajo që unë dua të vlerësoj është që arritëm në një mendim të përbashkët, që të gjithë faktorët politikë në Shqipëri duhet të arrijnë në një qëndrim të përbashkët që do t’i rezistojë të gjitha kohërave dhe do të jetë shenjë e seriozitetit dhe heq mundësinë për të spekuluar me këtë çështje brenda vendit për nevojat politike të ditës. Unë nuk dua të bëj komente për marrëdhëniet me qeverinë e mëparshme, por mund të themë se qeveria e re zbaton programin e PS për të gjetur një zgjedhje midis dy parimeve të njohura të vetëvendosjes dhe mosndryshimit të kufijve me dhunë. I këtij qëndrimi ishte edhe Zoti Berisha dhe Zoti Pollo dhe kjo mendoj është diçka pozitive.

Genc Pollo: U diskutua për linjat politike për Kosovën edhe për shtjellimin në detaje të kësaj politike dhe për unifikimin e faktorit shqiptar në Kosovë, qoftë politik, shpresojmë edhe ushtarak. Natyrisht ka handikape, nëse zotërinjtë Majko dhe Meta e shprehin këtë, unë nuk mund të lë pa thënë që mbi këtë vullnet ka një hije dhe është Ministri i Jashtëm, i cili ishte i përputhshëm krejtësisht me politikën që ka ndjekur Nano. Është i njëjti, mund të ndryshojë gjuhën, por nuk besoj të arrijë atë përputhshmëri qoftë tek shqiptarët, qoftë tek partnerët ndërkombëtarë. Edhe në këtë situatë të re gjenden imperfeksione dhe do të ishte në përgjegjësinë e drejtuesve të rinj të qeverisë për të gjetur formula më të mira për të gjetur politika të drejta dhe t’i bëjnë ato të besueshme.

DEKLARATAT E BERISHËS SHKËPUTUR NGA SHTYPI I ATIJ VITI

Sali Berisha, në atë kohë kreu i PD-së: Unë jam optimist për realizimin e këtyre kërkesave nga ana e qeverisë, pasi kërkesat e tyre janë tërësisht të realizueshme. Nga ana tjetër nuk mohoj se gjeta tek përfaqësuesit e Partisë Socialiste në tavolinë njëkohësisht një ndjeshmëri dhe interes për zgjidhjen e problemeve. Se cili do të jetë përfundimi, këtë do ta dëshmojnë negociatat që ata do të zhvillojnë. Studentët janë ngujuar për dialogun me qeverinë dhe realizimin e këtyre kërkesave të tyre. Kërkesa për dorëheqjen e Majkos erdhi pas ndërhyrjes brutale dhe të dënueshme të policisë, e cila meriton një hetim të plotë për qartësimin e saj dhe nxjerrjen e përgjegjësve.

Sali Berisha, në atë kohë kreu i PD-së (çështja e Kosovës): Në fakt për problemin e Kosovës në të gjitha pikat që u diskutuan ramë plotësisht dakord. Ramë dakord që për çështjen e Kosovës të ndërmerren hapa të tjera, dhe unë këtë e quaj shumë të rëndësishme. Dua të theksoj se ne patëm qëndrime të njëjta lidhur me disa probleme shumë të rëndësishme të Republikës së Kosovës. Kjo, për mendimin tim është një çështje që do elaburuar dhe më tej për arsye se shqiptarët duhet të unisojnë qëndrimet e tyre si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë, dhe nuk duhet që me qëndrimet e tyre të krijojnë kaos në një çështje kaq jetike për kombin shqiptar, në një çështje jetike për Ballkanin. Ne jemi të mendimit se Shqiptarëve tu njihet e drejta e vetëvendosjes duke respektuar mos ndryshimin me dhunë të kufijve. Faktorët shqiptarë duhet të punojnë së bashku në mënyrë që t’i kontribuojnë, sikundër duke zvogëluar dhe minimizuar të drejtat e shqiptarëve nuk shkon drejt zgjidhjes.

 

*** DEBATI I PLOTË NÊ STUDION E EMISIONIT***
Ilir Meta: Do të ishte shumë mirë që takimet midis qeverisë apo dhe mazhorancës parlamentare dhe opozitës të ishin periodike, ashtu siç e shprehu dhe sot presidenti i AD, zoti Ceka. Por vetë zhvillimet e mëparshme në vend për fat të keq kanë krijuar një situatë jo normale qeveri-opozitë. Dhe në këtë kuadër, pavarësisht nga dëshira apo si do të ishte më mirë, ky takim u zhvillua dje dhe unë do të vlerësoja faktin që kur ekziston një vullnet i mirë mund të gjendet një zgjedhje.

Blendi Fevziu: Zoti Pollo a kishit tentuar ju më parë të kontaktonit ose të takonit socialistët, ose qeverinë, për problemet më të rëndësishme në vend?

Genc Pollo: Unë besoj se historia e pas Qershorit të 1997 është historia edhe e përpjekjeve për kontakte, për dialog dhe marrëveshje, të cilat nuk kanë qenë të frytshme. Një pjesë e vogël e përpjekjeve ka përfunduar me marrëveshje. Unë kam përvojën time personale në atë kohë me Pandeli Majkon, kur ishte kreu i Grupit Parlamentar, për amendamentin e Arbnorit për ndarjen e kohës televizive. Marrëveshja u arrit, por nuk u zbatua kurrë. Ka patur edhe përpjekje të tjera dhe thirrje për dialog. Që në verën e vitit të kaluar disa përpjekje për t’i mbledhur disa parti bashkë një pjesë me iniciativë të PD, një pjesë me iniciativë të PS në mënyrë që problemet e mëdha, kriza e vendit, çështjet e rendit publik dhe çështjet e rinisë të trajtoheshin dhe të gjithë së bashku të arrinin një konsensus, në mënyrë që zhvillimin politik ta bazonim në një bazë konsensuale. Praktikisht PS në një mënyrë ose në një tjetër ka refuzuar. Është një histori përpjekjesh dhe një histori mos suksesi në këtë drejtim, për arsye që mund t’i diskutojmë. Besoj që në atë periudhë ka qenë një dëshirë për ta mbajtur vendin të polarizuar. Dikujt i ka leverdisur një mostabilizim i Shqipërisë dhe në këtë prizëm gjithmonë me kujdesin e duhur takimi që u bë dje midis nesh është diçka që lë për të shpresuar, sepse u morën vesh për një gjë themelore që është çështja kombëtare, që është orientim kryesor në politikën e jashtme dhe të sigurimit, si edhe çështja e studentëve që na bëri të thyejmë një tabu. U arrit që në vijat kryesore të shprehet një qëndrim i përbashkët.

Ilir Meta: Unë dëshiroj të shtoj diçka, pa dashur të zhvilloj polemikë me zotin Pollo. Unë kam ardhur në këtë emision për të zhvilluar atë mesazh të takimit të djeshëm, i cili mund të them se ishte spontan, por i nisur nga qëllime të mira, ku Kryeministri dhe unë u takuam me drejtuesit kryesorë të opozitës. Unë nuk dua të hyj në arsyet se kush ka patur apo jo të drejtë, apo kush e ka bllokuar deri tani mundësinë e një dialogu, apo kush e ka fajin për bërjen e vendit me Kushtetutë që nuk u bashkua PD. Unë mund të them që qeveria e re nuk ka asnjë lloj kompleksi me opozitën apo me forca të tjera. Unë mund t’ju kujtoj se një nga veprimet e para të kësaj qeverie ishte takimi i Kryeministrit Majko me kreun e Bashkisë Tiranë, Zotin Brojka, që i përket PD. Ne mund ta kishim kërkuar Zotin Brojka edhe në Kryeministri, por ne nuk i kushtojmë shumë rëndësi kësaj, ishte një mesazh që qytetarët të mendojmë se kjo qeveri është e interesuar të dialogojë me opozitën në bazë të ligjeve, për të zgjedhur problemet. Dhe mendojmë se nga takimi i djeshëm ne duhet të zhvillojmë pikërisht këtë mesazh, është mundësia që ne të ulemi, që të bisedojmë dhe të meremi vesh dhe të evitojmë shumë tensione që krijohen në distancë. Kryesorja është që ne e kemi për detyrë të ballafaqohemi dhe të arrijmë në disa zgjedhje të përbashkëta, natyrisht ne nuk do të jemi dakord për gjithçka.

Blendi Fevziu: Zoti Pollo, fakti që shkuat në një takim ku kërkohej të zgjidhej kriza e krijuar nga greva e studentëve, a mund të vërtetojë akuzën e disa prej drejtuesve të PS, që kohë më parë iu kanë akuzuar si drejtues të grevës së studentëve? Madje Ruçi sot është shprehur duke thënë se Kryeministri Majko, sot ka takuar kryetarin e grevës së urisë, Zotin Berisha.

Genc Pollo: Para se të fillojmë të diskutojmë problemet e brendshme të PS do doja t’ju kujtoja se kanë qenë jo PD, por forca të tjera që kanë marrë iniciativën për të thirrur një tryezë të tëra partive politike shqiptare që kësaj çështje t’i gjendej një zgjedhje dhe ky takim është pikërisht në atë frymë. Për grevën e studentëve është folur shumë, ka folur me terma ofenduese Ministri i Arsimit, ka folur me terma të papranueshme Kryetari i Kuvendit, Skënder Gjinushi, kanë folur shumë figura të tjera të cilët i kanë quajtur ushtarë apo bij të udhëheqësve të PD. Praktikisht, mirë e bukur u morën vesh me kërkesat e tyre dhe u gjetën zgjedhje të përbashkëta për 95%, se s’mund të arrihet 100% menjëherë. U diskutua në mënyrë të civilizuar, u bë një negociatë dhe u arrit një marrëveshje që përmban një përmbushje të kërkesave ekonomike dhe një trajtim thelbësor dhe të atyre që u paragjykuan si kërkesa politike, si vrasja e Azem Hajdarit, çështja e të burgosurve politikë, apo edhe çështje të tjera. Në bisedën që patëm dje e cila ishte e hapur dhe shpresëdhënëse ka edhe një rishikim të policisë, të Ministrisë së Rendit, e cila i nxori me dhunë të pajustifikueshme dhe në rast se konstatohet ata që kanë shkelur ligjin të vihen para përgjegjësisë. Sikur këto të ishin bërë më përpara nuk do të ishin krijuar ato që Zoti Meta me të drejtë i quajti artificiale. Përsa i përket asaj që më pyetët ju, që greva ka qenë e istrumentalizuar, askush nga këta përfaqësues të nderuar të qeverisë duke filluar nga Et’hem Ruka, Anastas Angjeli, Ermelinda Meksi etj, etj., nuk i ka rënë në mendje t’i konsiderojë ata përfaqësues politikë, por në mënyrë normale kanë arritur një deklaratë të përbashkët në përmbushjen e kërkesave, sipas afateve.

Blendi Fevziu: Zoti Meta duke patur parasysh që për grevën e studentëve qeveria ose drejtuesit e lartë të saj nuk keni negociuar direkt me ta, por zgjodhët rrugën e bisedimit me PD. Pse pikërisht me PD dhe jo me tryezën e partive politike në Shqipëri?

Ilir Meta: Dua të sqaroj se nuk është e vërtetë që qeveria ka refuzuar të dialogojë me studentët, si në Tiranë ashtu edhe në Shkodër, ku ka qenë disa herë Zv/Ministri i Arsimit. Zoti Ulqini dhe Zoti Solis kanë shkuar në mënyrë që të arrinin në një marrëveshje dhe të priteshin nga Kryeministri në zyrë, për arsye se e vetmja pengesë për të zhvilluar dialogun ka qenë një ultimatum i tyre që do të zhvillohej biseda në vendin e grevës së urisë, me Kryeministrin dhe me asnjë tjetër. Ndërkohë që qeveria ka qenë e hapur për dialog. Kryeministri cakton përfaqësues të cilët kanë mandatin për të marë përsipër detyrime në emër të qeverisë. Ky ka qenë absurdi, sepse mund të futet edhe nesër një person në grevë urie dhe të thotë që po nuk erdhi Kryeministri unë nuk dal dhe nuk ka qenë dhe nuk mbetet më e rëndësishmja u takuan apo jo studentët me Kryeministrin. E rëndësishme është që kërkesat e tyre të trajtohen me seriozitet. Ata kërkonin rritjen e bursës me 50%, por kjo krijonte një precedent shumë të rrezikshëm, që të ngriheshin të gjithë pedagogët, pensionistët dhe të thonë përse studentët marrin disa herë më shumë se ne dhe kjo prish ekuilibrat e shtetit. Dhe problemi është që paratë e buxhetit të shtetit nuk janë xhepi i Kryeministrit, as i qeverisë. Duhet të ndajmë dëshirën për të bërë diçka, me mundësinë dhe përgjegjësinë për të qeverisur për të gjithë. Në këtë kuptim, unë mendoj se kjo ka qenë arsyeja se përse nuk është zhvilluar takimi, sepse ka patur edhe një keqkuptim përsa i takon takimit në Kryeministri, pasi ne kemi patur informacion për gjendjen shëndetësore që ka qenë duke u rënduar dhe mund të akuzohej shteti. Për ta evituar këtë, ne si Këshill i Ministrave, të gjithë bashkarisht vendosëm që policia sëbashku me një ekip mjekësh të shoqëronin studentët në Spitalin Ushtarak, për të bërë ekzaminimin shëndetësor dhe të tjerët të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Përsa i përket pretendimit se studentët janë dhunuar, ne kemi qenë të hapur dhe kemi rënë dakord që të kryehen të gjitha ekzaminimet. Përsa i takon takimit të djeshëm, ishte një takim që erdhi si rezultat i një ndërmjetësimi, në mënyrë që përfaqësuesit e qeverisë të bisedonin me drejtuesit kryesorë të PD për të gjetur një zgjedhje, që u arrit praktikisht dje.

Blendi Fevziu: Zoti Pollo, kisha një ndërhyrje. Ju thatë pak më parë që kishit vendosur që me PS dhe me qeverinë nuk do të diskutonit mbi disa probleme, por u detyruat të uleshit në këtë tryezë për arsye të grevës së studentëve, agravimit të gjendjes së tyre shëndetësore dhe pasojave që mund të sillte kjo. Ndërkohë siç është bërë e ditur në këtë takim nuk është diskutuar vetëm për grevën e studentëve, por edhe për probleme të tjera, cilat kanë qenë këto probleme?

Genc Pollo: Në radhë të parë kthehemi pak tek studentët, do doja të shprehja keqardhjen time që vazhdon të mbrohet ndërhyrja e policisë në orët e para të mëngjesit. Unë kam qenë duke shkuar atje, jam dëshmitar i dhunës dhe një pjesë e tyre janë rrahur dhe janë çuar edhe në spital. Unë nuk hedh dyshimin që drejtues të policisë kanë dhënë urdhër specifik për ushtrimin e dhunës, sepse duhet të kisha informacione për ta thënë këtë, por jam 100% i sigurt që në mënyrë brutale është ushtruar dhunë. Por të nxirren studentët me një dhunë të tillë është një precedent që kjo qeveri do kishte bërë mirë të mos e bënte. Meqë e bëri, një hap mbrapa duke kërkuar falje do të lartësonte vetë drejtuesit e qeverisë. Ndoshta verifikimet do të çojnë në këtë përfundim dhe më pas në këtë veprim. Lidhur me pyetjen, ka patur një vendim për të dialoguar si formë normale e zhvillimit të politikës dhe një formë kontakti që i nevojitet dialektikës në vend, por ky dialog duhet të jetë serioz dhe duhet të bëhet kur krijohen kushtet dhe klima për të. Me arrestime, akuza, heqje imunitetesh, natyrisht nuk krijohen as kushte as klima.

Blendi Fevziu: Unë po këmbëngul pikërisht këtu. Ju u ulët për të diskutuar për çështjen e studentëve, por diskutuat edhe për probleme të tjera, cila ishte pesha e këtyre problemeve dhe cilat ishin këto probleme konkrete?

Genc Pollo: Pas diskutimit një për një të çështjes së studentëve dhe shqyrtimit të zgjidhjes së tyre u diskutua në mënyrë të veçantë për çështjen e Kosovës. Çdo shtet që synon të jetë normal dhe i besueshëm duhet të ketë një kontinuitet në politikën e sigurisë dhe politikën e jashtme, duhet të ketë edhe një konsensus të gjerë edhe në politikën e brendshme.

Blendi Fevziu: Dhe ju e gjetët tek drejtuesit e maxhorancës?

Genc Pollo: Ka një hop pozitiv dhe një ndryshim në krahasim me qeverinë e kaluar Nano. Ne e kemi akuzuar shpeshherë ashpër, por besoj me të drejtë qeverinë Nano, si qeveri që nuk është e interesuar për çështjen e Kosovës. Nuk ka interes dhe nuk është e angazhuar për të arritur një zgjedhje të drejtë për të arritur atë ç’ka është e drejtë dhe që i takon popullit shqiptar.

Blendi Fevziu: Konkretisht Zoti Pollo, në takimin e djeshëm a gjetët një konsensus?

Genc Pollo: Ka patur deklarata të papërgjegjshme dhe kjo është më e keqja, pa nxjerrë ndonjë sekret nga biseda e djeshme, ka patur jo vetëm deklarata dhe politikë të deklaruar, por edhe agjenci shtetërore që kanë çuar në përçarjen e faktorit ushtarak dhe të faktorit politik në Kosovë. Këtë kritikë është publiku dëshmitar, nuk e kemi përsëritur me qeverinë e re dhe gjuha e përdorur ka qenë deri diku mbështetëse. Natyrisht ka patur edhe kritika, gjë që është deri diku normale. Kjo përbën një bazë afrimi. U diskutua për linjat politike për Kosovën edhe për shtjellimin në detaje të kësaj politike dhe për unifikimin e faktorit shqiptar në Kosovë, qoftë politik, shpresojmë edhe ushtarak. Natyrisht ka handikape, nëse zotërinjtë Majko dhe Meta e shprehin këtë, unë nuk mund të lë pa thënë që mbi këtë vullnet ka një hije dhe është Ministri i Jashtëm, i cili ishte i përputhshëm krejtësisht me politikën që ka ndjekur Nano. Është i njëjti, mund të ndryshojë gjuhën, por nuk besoj të arrijë atë përputhshmëri qoftë tek shqiptarët, qoftë tek partnerët ndërkombëtarë. Edhe në këtë situatë të re gjenden imperfeksione dhe do të ishte në përgjegjësinë e drejtuesve të rinj të qeverisë për të gjetur formula më të mira për të gjetur politika të drejta dhe t’i bëjnë ato të besueshme.

Blendi Fevziu: Zoti Meta a mendoni ju që në bisedën e djeshme keni patur pika të përbashkëta me opozitën përsa i takon problemit të Kosovës? Një nga problemet madhore të politikës aktuale shqiptare.

Ilir Meta: Së pari unë u përpoqa që në fillim për të evituar polemikat e panevojshme, edhe në këtë rast, lidhur me trajtimin e grevës së urisë unë nuk mund të jap garanci, sepse nuk kam qenë atje. Por sqarova se cili ka qenë qëndrimi i Këshillit të Ministrave, që jemi të hapur që kjo çështje të verifikohet. Na vjen keq që na sillet në kujtesë ish-Ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, sepse ka edhe përvoja më të freskëta që unë nuk dëshiroj t’i kujtoj. Jemi këtu që të shkurtojmë këtë distancë.

Blendi Fevziu: Zoti Pollo sapo tha që keni kërkuar edhe ndjesë për këtë.

Ilir Meta: Kam kërkuar me pak vonesë dhe në rast se rezulton ashtu siç thotë Zoti Pollo, nuk ka asgjë të keqe që të mos kërkojmë ndjesë, janë gjëra normale.

Genc Pollo: Kjo është për t’u përshëndetur.

Ilir Meta: Nëse është e vërtetë padyshim, s’është çështje krenarie. Ne duam të evitojmë gjithçka që krijon polemika boshe. Përsa i takon problemit të Kosovës, i cili nuk ishte i parashikuar, dua të them që edhe diskutimi tregon edhe përgjegjësi, edhe faktin që Kosova është në axhendën e ditës së politikës shqiptare. Jemi në një situatë krize vetë si faktor shqiptar, duke patur parasysh faktorin shqiptar në Kosovë dhe në Shqipëri. Ajo që unë dua të vlerësoj është që arritëm në një mendim të përbashkët, që të gjithë faktorët politikë në Shqipëri duhet të arrijnë në një qëndrim të përbashkët që do t’i rezistojë të gjitha kohërave dhe do të jetë shenjë e seriozitetit dhe heq mundësinë për të spekuluar me këtë çështje brenda vendit për nevojat politike të ditës. Unë nuk dua të bëj komente për marrëdhëniet me qeverinë e mëparshme, por mund të themë se qeveria e re zbaton programin e PS për të gjetur një zgjedhje midis dy parimeve të njohura të vetëvendosjes dhe mosndryshimit të kufijve me dhunë. I këtij qëndrimi ishte edhe Zoti Berisha dhe Zoti Pollo dhe kjo mendoj është diçka pozitive.

Blendi Fevziu: Pra harmonizimi i politikës midis maxhorancës dhe opozitës mund të sjellë edhe hamonizim midis Shqipërisë dhe forcave në Kosovë.

Genc Pollo: Ne shpresojmë që një mesazh i tillë të arrijë në Kosovë dhe të ndikojë atje në këtë drejtim.

Blendi Fevziu: Ne do të bëjmë ç’është e mundur Zoti Pollo, në ritransmetimin e këtij emisioni në Kosovë. Zoti Meta ka patur mjaft komente për takimin e djeshëm, ka qenë një takim nën cilësinë e anëtarëve të qeverisë apo të përfaqësuesve të PS, se me ç’po vë re unë edhe Zoti Pollo iu quan përfaqësues të PS në takimin e djeshëm.

Ilir Meta: Së pari unë dua t’ju them se ne kemi qenë si përfaqësues të qeverisë, pra takimi është kërkuar me Kryeministrin dhe Zv/Kryeministrin, por natyrisht ne jemi edhe anëtarë drejtues të PS dhe unë nuk e shikoj të rëndësishme këtë, sepse është qeveria ajo që duhet të ndërmerte një hap për të zgjidhur këtë problem, nuk është thjeshtë PS.

Blendi Fevziu: Zoti Pollo ju e keni cilësuar këtë takim mes përfaqësuesve të PS dhe PD, mos ka një gabim këtu?

Genc Pollo: Pandeli Majko nuk është zgjedhur prej meje Sekretar i Përgjithshëm i PS dhe unë s’mund ta heq atë, të njëjtën gjë mund të them edhe për Kryeministrin. Nuk ndahen dot dy funksione nga një person. Iniciativa e studentëve të Dhjetorit qe shumë e mirë, të cilët takuan Kryeministrin dhe Sekretarin e Përgjithshëm dhe Zv/Kryeministrin dhe anëtarin e kryesisë. Dëshira fillestare ishte takim mes të gjitha partive, rezultoi takim i dy partive kryesore. PS dhe qeveria besoj u paraqit në nivelin më të lartë në këtë takim që pati një rezultat konkret lidhur me grevën e studentëve.

Ilir Meta: Më duket se kemi hyrë në artificialitete, për arsye se PS si çdo parti tjetër, nuk kishte detyrim të drejtpërdrejtë ndaj studentëve, është ekzekutivi ai që ka të bëjë me problemet e tyre.

Blendi Fevziu: Zoti Meta, cili ka qenë reagimi i sotëm i strukturave të PS. Për të marrë pjesë në këtë emision, ju jeni larguar nga një mbledhje e PS dhe keni marrë pjesë 1 orë. Nga ajo që është parë sot në shtyp, Ruçi, Fino dhe Braho kanë reaguar jo mjaft pozitivisht për takimin e djeshëm. Braho është shprehur se krijimi i një komisioni hetimor për vrasjen e Hajdarit është një konsensus i jashtëligjshëm. Njëkohësisht edhe Ruçi, edhe Fino kanë ironizuar se kjo ka ardhur nga një këngë e këngëtares Gili, por nuk i dukej diçka shumë e rëndësishme.

Ilir Meta: Unë mendoj se nuk është momenti për të ironizuar dhe se çdo deputet ka të drejtë të komentojë si të dojë. Sot Zoti Mako ka patur një takim me drejtuesit e partisë Aleanca për Shtetin dhe mund t’ju them se edhe në gjirin e PS, në strukturat e saj, ky është pritur pozitivisht. Unë erdha këtu direkt nga mbledhja e Kryesisë së PS dhe natyrisht për shkak të këtij takimi spontan është kërkuar një lloj sqarimi, i cili është bërë shumë transparent dhe ne këtu jemi edhe një herë tjetër për të sqaruar opinionin se për çfarë kemi biseduar. Përsa i takon shqetësimit të deputetit Braho, ka qenë një kërkesë e studentëve për të cilët është dhënë edhe një përgjigje lidhur me marjen e masave dhe zbardhjen e çështjes Hajdari. Ishte dhe një kërkesë e transmetuar edhe nëpërmjet kreut të PD për të kaluar një ligj. Qeveria është shumë e interesuar për të siguruar një transparencë sa më të plotë për zbardhjen e kësaj çështje, e cila është mjaft delikate dhe shërbeu si shkak për ato çështje në të cilat kaloi vendi. Dhe së dyti, qeveria është e angazhuar për të marrë çdo iniciativë në bashkëpunim me strukturat e tjera dhe opozitën, në përputhje me ligjet në fuqi, për zbardhjen përfundimtare të kësaj çështje mjaft serioze.

Blendi Fevziu: Zoti Meta kam edhe një pyetje të shkurtër, a merrte pjesë sot në mbledhjen e kryesisë Zoti Nano?

Ilir Meta: Nuk merrte pjesë, por besoj do të marë pjesë në mbledhjet e ardhshme.

Blendi Fevziu: Kjo është një gjë që përsëritet vazhdimisht, që do të marë pjesë në mbledhjet e ardhshme, megjithëse në të ardhshmet ai vazhdon të mos marë pjesë. Jashtë kësaj, a e kishit vënë ju në dijeni Zotin Nano?

Ilir Meta: Ne nuk kemi patur mundësi për të vënë në dijeni të gjithë drejtuesit e PS. Grupi i mediatorëve kërkoi një takim mes Zotit Majko si Kryeministër dhe Zotit Berisha si Kryetar i PD, në mënyrë që ky lloj ballafaqimi të hapte rrugën për vendosjen e një dialogu, gjë që u arrit. Në këto kushte, duke qenë se koha ka qenë e kufizuar, vetëm disa anëtarë të qeverisë dhe drejtues të PS ishin në dijeni.

Blendi Fevziu: Sot siç edhe është transmetuar në një kronikë të Tv Klan, ka patur shumë anëtarë të partisë tuaj të cilët kanë qenë të paqartë për këtë takim dhe shpesh të pakënaqur. Cili ka qenë reagimi në brendësi të PD për këtë takim?

Genc Pollo: Është e vërtetë që një pjesë e mbështetësve të PD erdhi i papritur, por nëpërmjet kontakteve të shërbejë për sqarim. Unë e përmenda edhe në fillim, që ka një traditë të keqe të përpjekjeve për të arritur marrëveshje, që nuk janë zbatuar kurrë nga pala socialiste.

Ilir Meta: Të njëjtën gjë do të thosha edhe unë.

Genc Pollo: Në çdo marrëveshje që bëhet merret parasysh një lloj risku, sepse ekziston mundësia e dështimit, kur besimi nuk është i konsoliduar me një partner. Shpresoj të mos jetë ky rasti. Kjo gjë është akumuluar jo vetëm tek drejtuesit e PD, por edhe tek mbështetësit dhe shumë prej tyre që thonë: Ata dhanë fjalën, por do ta hanë prap, do gënjehen. Shpresojmë që këto frikëra, që unë i shoh të mbështetura në një vit e gjysmë, të mos realizohen. Ishte një takim i domosdoshëm për të mos rrezikuar edhe më tej jetën e studentëve dhe shërbeu edhe më tej për të hedhur disa piketa për një çështje madhore, që çdo vend serioz duhet t’i përqaset me nje konsensus. Nëse gazetarët tuaj do të intervistonin drejtuesit, anëtarët e kryesisë, deputetët, anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD, besoj që do të kishte pak a shumë një mesazh unik. Nga ato që pashë në televizionin tuaj, por edhe tek të tjerët, shohim një rezervë shumë të madhe, për të mos thënë refuzim, nga drejtues si Ruçi, Malaj, apo Fino, të cilët janë shprehur në mënyra refuzuese. Shpresoj të mos çojë në një tërheqje të atyre që ndërmorën një iniciativë të guximshme. Zoti Meta po vjen nga mbledhja e kryesisë së partisë…

Blendi Fevziu: Po, Zoti Meta ka diçka për të thënë.

Ilir Meta: Unë mund t’iu theksoj edhe një herë që dialogu ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet e qeverisë së re dhe nuk dua t’ju përmend më raste të tjera. Mendoj se çdo politikan i arsyeshëm që del kundër dialogut në parim, bën një vetëvrasje, sepse dialogu është një domosdoshmëri dhe nuk e imponon dëshira e palëve, por përgjegjësia për fatet e vendit. Sepse ne jemi banorë të një shtëpie të përbashkët, që kur rrëzohet nuk zë vetëm ata që janë në pushtet, por edhe ata që janë në opozitë. Nuk zë vetëm anëtarët e partive, por edhe ata që nuk duan t’ia dinë për parti fare. Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm, që për hir të dialogut edhe të riskojmë, që do të thotë që. edhe nëse do të ketë keqkuptime, qoftë edhe brenda PS, ne do të përpiqemi t’i sqarojmë, sepse është më e rëndësishme të krijohet qetësia në vend, edhe pse ne mund të na krijohen disa shqetësime që unë i shikoj krejtësisht të evitueshme. / Opinion.al

SHKARKO APP