A do ketë borë për Krishtlindje? Sinoptikanët zbulojnë motin për festat e fundvitit

Ndryshe nga një ditë më parë kur vendi u përfshi nga stuhi me shi e erë, ditën e parë të javës shkëlqeu dielli.

“Pas shirave intensivë që patëm dje në territor, ku në det shpejtësia e erës shkoi në 90-100 km në orë, duke filluar nga mesdita e ditës së diel kemi patur përmirësim të motit. Duke filluar sot nga orët e pasdites dhe në vijim do të kemi mot të kthjellët. E marta do të jetë kryesisht me kthjellime”, shprehet Adiola Bani, sinoptikane.

Dita e sotme shënoi edhe rënie të lehtë të temperaturave ku vlerat minimale dhe maksimale luhaten nga 0 deri në 14 gradë celcius.

Dita e mërkurë shënon edhe Krishtlindjen. Por a do të kemi Krishtlindje të bardha?

“Për Krishtlindje do të kemi mëngjes të ftohtë për shkak të rënies së temperaturave me vlera në -3, -4 gradë celcius në zonat malore, ndërsa në zonat e ulëta, 5 apo 6 gradë. Ndërsa mesdita do të jetë 13-14 gradë celcius. Krishtlindje të bardha do të ketë vetëm në zonat e thella malore dhe kryesisht në zonat lindore, ndërsa pjesa tjetër e territorit do të jetë me vranësira”, ka thënë sinoptikania.

Festat e fundvitit do të shoqërohen me rënie të temperaturave.

“Dhjetori do të mbyllet me mot të kthjellët. Në fundjavë do të kemi temperaturat më të ulëta të dhjetorit, ku vlerat minimale do të zbresin në -5 gradë”, shprehet Bani.

SHKARKO APP