A do nisë rregullisht viti i ri shkollor? Pandemia mban në paqartësi mijëra mësues dhe nxënës

Ministria e Arsimit nuk e ka përcaktuar ende nëse viti i ri akademik do të nisë rregullisht apo do të zhvillohet sërish online.

Përtej vendimeve të qeverisë dhe ministrisë, mësues dhe pedagogë mendojnë se shkollat duhet të rihapen dhe se duhen gjendur mënyra për ta menaxhuar mësimin në kushtet e pandemisë, sipas reporter.al.

Gati një muaj para nisjes së vitit të ri akademik, mësuesit dhe nxënësit në Shqipëri janë ende të paqartë nëse mësimi do të zhvillohet nëpër klasa apo në platformat online, si rrjedhojë e shifrave të larta të infektimeve me COVID-19 në Shqipëri.

Përveç datës së nisjes më 14 shtator, edhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë nuk ka përcaktuar ende asgjë zyrtare – ndonëse pohon se është “e përgatitur për çdo lloj skenari”.

“Në varësi të ecurisë së pandemisë, do të dalin dhe udhëzime përkatëse. Deri tani nuk ka diçka, pasi po vlerësohet pandemia,” deklaroi Ministria së Arsimit në një përgjigje për BIRN.

Sistemi i arsimit është një ndër fushat më të prekura nga pandemia e COVID-19, e cila vazhdon të mbajë në paqartësi me mijëra mësues, nxënës dhe prindër. Një publikim i Kombeve të Bashkuara mbi COVID-19 vlerëson se pandemia imponoi mbylljen e shkollave në 188 vende të botës, duke cënuar të drejtën për arsim të më shumë se 1.5 miliardë fëmijëve.

Përgjatë muajve mars –qershor, të gjitha institucionet arsimore në Shqipëri testuan  platformat e mësimit online. Por mësues dhe akademikë i thanë BIRN se ka ardhur kohë që të bashkëjetohet me pandeminë, ndërsa shpresonin që viti i ri akademik t’i gjejë nëpër klasa.

“Siguri nuk ndjejmë askund, as në shtëpinë tonë, pasi dikush do duhet të punojë e të ketë kontakt me persona të tjerë. E përderisa jemi në kontakt me njerëz, risku është përherë i pranishëm. Ndaj jeta dhe puna duhet të vazhdojnë, dhe do të gjenden mënyra për ta menaxhuar procesin mësimor,” tha Irini Tase, pedagoge e gjuhës greke në një prej shkollave të Tiranës.

Megjithë hezitimin dhe pasigurinë nga pandemia, Tase e konsideron të rëndësishëm kontaktin e drejtpërdrejtë me nxënësit, ndërsa vlerëson se procesi mësimor në distancë është më i ndërlikuar.

Të tjerë mësues ndajnë të njëjtën ndjesi.

Erjona Saqe, mësuese e ciklit fillor pranë kolegjit Turgut Ozal i tha BIRN se pandemia e gjeti të papërgatitur.

“Nuk isha e përgatitur për një ndryshim kaq të shpejtë, kaq rrënjësor, dhe pa asnjë alternativë tjetër. Sfida ime më e madhe ishte që krahas mësimit online, duhej të kujdesesha në mënyrë të vazhdueshme për psikologjinë dhe shëndetin mendor të nxënësve të mi 10-vjeçarë,” tha Saqe.

Edhe Elsa, pedagoge e Gjuhës Angleze në Universitetin Bujqësor të Tiranës e konsideroi sfidë procesin e zhvillimit të mësimit online. Ndonëse është e shqetësuar nga numri i lartë i infektimeve në Shqipëri, ajo shpreson që viti i ri akademik të fillojë fizikisht nëpër klasa.

“Procesi i zhvillimit të mësimit në distancë është një sfidë në vetvete. Si fillim, ishte një rrugë të cilës pjesa dërrmuese e mësimdhënësve iu fut vetëm me një urdhër të MASR, pa patur asnjë ndihmë apo trajnim , materiale apo burime didaktike online pa pagesë, pa sigurimin e platformave të mësimdhënies në distancë,” tha pedagogia e anglishtes.

“Sigurisht nuk mendoj se masat mbrojtëse do të sigurojnë një mësim normal, pasi mendoj se për të folur për normalitet do të na duhet akoma shumë kohë, ndoshta deri vitin tjetër. Të paktën të zhvillohet një pjesë e mësimit fizikisht në klasa dhe një pjesë e tij online,” sugjeroi ajo.

Sipas Erjona Saqes, mësimi online i ngjan një emisioni live –ku interferojnë njëkohësisht familjarë të mësuesve dhe nxënësve dhe menaxhimi sipas saj është sfilitës. Ajo shton se shkolla ku punon ka kushte specifike për të garantuar higjienën dhe procesi mësimor do të ishte më frytdhënës.

“Në shkollën ku punoj, klasat, korridoret, oborri dhe tualetet  pastrohen dhe mirëmbahen rregullisht, ka ujë të rrjedhshëm dhe sapun kudo, dhe krahas këtyre, për situatën e pandemisë kemi shtim të dezinfektimit të ambjenteve gjatë gjithë ditës. Duke pasur parasysh këto kushte që i njoh me vite, nëse nxënësit dhe mësuesit do mbajnë rregullisht maskat dhe do zbatojnë ruajtjen e distancës, mendoj se kthimi në shkollë nuk do të përbëjë rrezik,” thotë Saqe.

Në mungesë të një vendimi nga Ministria e Arsimit dhe e udhëzimeve përkatëse, pedagogët përpiqen të japin sugjerime se si mund të funksionojë mësimi nëpër klasa në kushtet e COVID-19.

“Zgjidhja më e mirë do të ishte mësimi në klasë me dritare dhe dyer të hapura. Të paktën për muajt shtator- tetor, kur moti është ende i mirë dhe nuk kemi ndryshim të orës. Herë pas here mund të alternohet me një mësim në oborrin e shkollës apo në një ambjent tjetër jo të mbyllur,” sugjeron Erjona Saqe nga Turgut Ozal.

Edhe Irini Tase e konsideron të vështirë fillimin e një viti shkollor me nxënës të rinj nga distanca dhe mendon se institucionet arsimore mund të garantojnë kushtet e higjienës dhe të distancës fizike.

“Mësimi online nuk të jep mundësinë e kontaktit të drejtpërdrejtë me fëmijët, dhe ata duan të ndjejnë ngrohtësinë dhe mbështetjen. Unë personalisht do preferoja procesin mësimor në klasat e shkollës, pasi edhe nga drejtoria kemi pasur inkurajim dhe mbështetje të vazhdueshme për çdo gjë,” tha Tase për BIRN.

Megjithatë, mësuesja e konsideron përballjen me pandeminë si një ndër periudhat më të çuditshme, të përjetuara nga brezi i saj.

“Na bëri të ndjejmë shumë pasiguri në realitetin e ri që jetuam. Qe plot me sfida: sfidë me veten për të dhënë më të mirën në një metodë pune të re dhe sfidë për të kapërcyer stresin e për t’u dukur normale në orët mësimore,” përfundoi ajo.

SHKARKO APP