A do të ketë një listë të përbashkët PD-LSI? Ja si përgjigjet Braimllari
Në një intervistë për RTV Ora, Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari është shprehur i bindur se pas 25 prillit, Edi Rama dhe Rilindja do të jenë në opozitë.
Zyrtari i LSI, foli edhe sa i përket listave zgjedhore duke shprehur mendimin e tij personal, se çdo parti duhet të dalë me listën e vetë para shqiptarëve.
Endrit Braimllari: “Kjo është diskutuar dhe po diskutohet në kuadër të opozitës së bashkuar, por çdo parti do të marrë vendimin e vet. Për mendimin tim, personalisht si Endrit, jashtë funksionit të Sekretarit të Përgjithshëm të LSI, është më mirë që gjithësecili të hyjë me listën e tij politike apo me atë listë që do të përfaqësohet nesër. Çdo parti ka identitetin e vet, siç e ka edhe LSI prej 16 vjetësh në arenën politike shqiptare ku i ka dhënë jashtëzakonisht shumë klasës politike shqiptare.
Çdo parti ka identitetin e vet dhe unë personalisht mendoj se çdo parti duhet të ketë listën vet për tu përballur me qytetarët e këtij vendi me një platformë të përbashkët të opozitës”.
Pas 25 prillit e përjashtoni një koalicion me Ramën?
Endrit Braimllari: “Edi Rama dhe Rilindja janë në opozitë pas 25 Prillit. Kjo është shumë e sigurtë. LSI e ka të qartë qëndrimin e saj, në një front të bashkuar me opozitën dhe jemi fitues absolutë. Ndaj dhe Edi Rama del nëpër studio televizive dhe bën si i çmendur”