A do të marrë Rama votat e opozitës parlamentare për “Zgjedhoren”? Ja si përgjigjet socialistja Gjylameti
E ftuar në RTV Ora, deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti u shpreh se opozita parlamentare ka ngritur disa cështje që janë duke u adresuar.
Ajo tha se për këto ndryshime duhen ndryshime kushtetuese që kërkojnë kohë dhe dakordësim të gjithë aktorëve.
Gjylameti shtoi se puna për reformës zgjedhore po vazhdon me ligjin për referendumet dhe atë të financimit të partive.
Blerina Gjylameti: Kjo çështje duhet menaxhuar me shumë kujdes për të pasur konsensus, pasi çështjet që ka ngritur opozita parlamentare kanë të bëjnë me disa gjëra që janë të trajtuara në Kodin Zgjedhor, sikurse është vota e emigrantëve.
Nga ana tjetër, ka të bëjë me ndryshimin e sistemit zgjedhor, që është pjesë e punës së komisionit të reformës zgjedhore. Unë jam pjesë e atij komisioni dhe e kemi të dakordësuar për ta pasur në një moment të dytë këtë gjë, pasi kërkohen ndryshime kushtetuese. Prandaj koha për të marrë një opinion nga të gjitha grupet e interesit kërkojnë më shumë kohë.
Po ashtu, ky komisioni do të vazhdojë punën për çështje të tjera, sikurse është ligji për referendumet dhe atë të financimit të partive. Ligji për referendumet do të trajtohet dhe do të kemi një mendim nga të gjithë aktorët dhe faktorët për një përfundim sa më të pranuar.