Prejardhja e Vojsava Tribalda-Kastriotit?
Nga Nelson Qirjaku
Frang Bardhi botoi latinisht, më 1636, në Venedik veprën “Gjergj Kastrioti i Epirit, i quajtur përgjithësisht Skënderbeg, princ shumë trim e i pathyeshëm i shqiptarëve”.
Veprën, një apologji (mbrojtje) të vërtetë, ai e shkroi për 15 ditë si polemikë, me një stil të përpunuar e të shkathët, për të hedhur poshtë mendimin e pathemeltë të Joan Tomko Margnaviçit, një peshkopi boshnjak bashkëkohës, që kishte botuar, më 1631, një vepër, ku pretendonte se Skënderbeu ishte me zanafillë boshnjake dhe madje kishte të bënte me familjen e Marnaviçëve, duke i mohuar kështu Gjergj Kastiotit prejardhjen shqiptare. Këtë falsifikim, Bardhi e quan të “kobshëm”, prandaj, siç thotë vetë, ai nuk mund ta shtynte “dëshirën për të shkruar”, veçse po të donte të tradhtonte me turp veten e tij dhe atdheun, kështu që i hyri punës për të shkruar veprën e vet.
Por edhe se Frang Bardhi ia dha përgjigjen peshkopit boshnjak, përsëri pas 250 vjetësh u hap çështja e prejardhjes së Kastriotit, e cila ende gjer më sot vazhdon të jetë aktuale, veçse në një drejtim tjetër, në lidhje me Vojsavën, nënën e Skënderbeut, me të ashtuquajturën origjinën e saj sllave apo serbe.
Përpara se të shqyrtojmë këtë çështje, le të shohim më parë dëshmitë e hershme që bëjnë fjalë për prejardhjen e Vojsavës, gruas së Gjon Kastriotit:
– “Gruaja e këtij e kish emrin Voisavë, jo e padenjë për atë burrë, mënjanë i ati shumë fisnik, princi i tribalëve, më anën tjetër bukuria, sjellja dhe shpirti i saj i lartë përmbi natyrën e femrës”. (Marin Barleti)1.
– “Dhe nëna e atij Skenderbeut, e quajtur Vojsava, qe bijë e zotit të Pollogut, që është një pjesë e Maqedonisë dhe e Bullgarisë”. (Dhimitër Frëngu)2. Sipas Jireçekt-ut: “Pollogu, tani Tetova, në Vardarin e Sipërm”3.
– “E për më tepër ta dini që zoti Gjon Kastrioti, i ati i zotit Skënderbe, pati për grua zonjën Voisava Tribaldën”. (Gjon Muzaka)4.
– “Dhe e ëma e të përmendurit zotit Skënderbe, bashkëshortja e të përmendurit, zotit Gjon, e pati emrin zonja Voisava Tripalda dhe vinte nga një familje e mirë”.(Gj. Muzaka)5.
– ”Voisava gruaja e tij, bijë e një zoti të Tribalëve, sot Bullgarët”. (Xhiamaria Biemmi)6.
Pra nga këto dëshmi mësojmë se Vojsava, gruaja e Gjon Kastriotit, ishte e bija e princit të tribalëve, sundimtarit të Pologut, pjesë e Maqedonisë dhe Bullgarisë, me mbiemrin Tribal(d)a, por na mbetet i panjohur emri i të atit të saj.
I vetmi që na jep mbiemrin e Voisavës është Muzaka, i cili e quan Tribalda në një faqe, dhe Tripalda në një tjetër. Ky mbiemër, sipas Nolit, përkon aqë shumë me fjalën Triballé (bullgarë), sa s’është çudi t’ia kenë ngjitur shqiptarët dhe të ketë kuptimin Bullgarka. Po në qoftë se ishte mbiemri i vjetër i shtëpisë së saj, thotë ai, atëherë s’tingëllin aspak sllavisht7.
Andrea Flav Komnen Engjëlli e nxjerr Voisavën nga familja e Muzakajve, gjë që e pohon edhe Gjon Muzaka, duke thënë se ajo ishte shqiptarkë e kulluar nga familja e tij8; nga ana tjetër ky i fundit na thotë se një princ shqiptar me titullin Marchese di Tripalda, i cili rronte në Itali pas vdekjes së Skënderbeut, kishte gjak prej të Muzakajve9.
Sipas tabelës gjenealogjike të Kastriotëve, që na jep Hopfi, stërgjyshi i Skënderbeut paska qenë një serb me emër Branilo Kastrioti, sepse këto dy emra dalin në një dokument të Vlorës të vitit 136810. Por Shuflaj është i mendimit se Hopfi lexoi në këtë dokument diçka që nuk ekzistonte fare11.
Ky interpretim i gabuar i Hopfit e bëri atë, natyrisht, shumë popullor ndër serbët dhe pansllavistët, të cilët meqë nuk mund të shpreheshin drejtpërdrejt se Skenderbeu ishte me prejardhje sllave, sepse Frank Bardhi e kishte dhënë përgjigjen me kohë, dhe vetë Skënderbeu e kishte treguar preardhjen e tij shqiptare në një letër drejtuar nga Kruja princit të Tarantos, Xhiovani Antonio Orsinit, më 31 tetor 1460, duke i thënë atij se ne quhemi epirotë12, nisën që nga koha e Hopf-it, t’i binin curleve të tyre sipas avazit se Vojsava Tribalda (Kastrioti) është sllave, por, sidomos, pas përkthimit të librit të Oliver Schmitt-it, “Skënderbeu”, Tiranë 2008, çështja u bë edhe më e mprehtë, aq sa zien edhe në ditët e sotme, jo vetëm nga studiuesit sllavë, por edhe nga disa shqiptarucë dhe shqipselxhukë që na e hedhin vallen sipas avazit të tamtamëve dhe zurnave serbe.
Ndër studiuesit që e nxjerrin Vojsavën sllave, mund të përmendim: J.Ivanov, Q, Radojiçiq, M. Dinić, R. Mihalqiq, M. Shuica, B. Petrovski dhe S. Dimitrov13.
Dokumenti më kryesor dhe më i vlefshëm, që është shkruar në sllavishten e vjetër në vitin 1366 dhe që e përmend të atin e Vojsavës, princin e Pollogut me emrin Gërgur, është shkrimi i hieremonakut Mihajli nga Manastiri “Leshka” i kësaj treve.
Dokumenti thotë se “prifti Mihon i fshatit Debrishtë të Pollogut ka lënë disa shkrime nga koha kur zot i kësaj zone ishte Gërguri dhe njëri prej këtyre shkrimeve tregon se Vojsava (e bija e mbretit të Pollogut me emrin Gërgur) i ka dhuruar Manastirit “Leshka” një pyll të madh me lisa”14.
Prof. Boban Petrovski, nga Universiteti i Shkupit, në lidhje me prejardhjen e Vojsavës nga fisi aristokrat i Tribalëve të Pollogut, ka vërtetuar në bazë të burimeve historike se emri Trebalda është mbiemri personal i Vojsavës e i familjes së saj dhe se ky mbiemër përcakton përkatësinë shtetërore dhe aristokrate të shteteve mesjetare dhe jo përkatësinë etnike, pra ai, nuk ka të bëjë me atë se Vojsava dhe babai i saj i kanë takuar fisit të Tribalëve (bullgarëve), të cilët kanë qenë trakas dhe se asnjëherë nuk kanë qenë të shtrirë në Pollog.
Kjo trevë ka qenë pjesë e Dardanisë dhe gjithmonë e banuar nga shqiptarët, madje edhe sot vazhdon të jetë 99% me shqiptarë. Pra, në lidhje me mbiemrin personal Tribalda, që ka përdorur Vojsava, nëna e Skënderbeut, arsyetimi të shpie në përfundimin se ajo ka qenë me origjinë shqiptare, aq më tepër që mbiemri i saj shpjegohet vetëm nëpërmjet gjuhës shqipe, me kuptimin tokë e lagur: “te balta, tri baltat”; toponime këto që edhe sot i hasim në vendbanimet shqiptare, madje edhe si mbiemra te shqiptarët15.
Po kështu edhe se emri i të atit të saj, Gërgur, mund të merret lehtë nga shumë kush për Gregor, ai në të vërtetë mund të zbërthehet duke përdorur vetëm gjuhën shqipe: “Gërgur = Gjurgj-gjur (gjurgj – njeri i rëndë, që s’i bie gjaku, s’i hahet kuvendi me askënd; ndërsa gjur – gur, guri), pra, Gjurgjur, njeri i pamposhtur. Mbiemrin shqiptar Gërguri e hasim edhe sot në Kosovë si emër fisi apo familje shqiptare: Gërguri, te Gurgurt, etj.
Edhe emblema jo sllave me shqiponjën dykrenore në flamurin e Skënderbeut, tregon tërthorazi prejardhjen shqiptare të Vojsava Tribaldës.
Njëri nga princat më të shquar shqiptarë të kohës së tij në Shqipërinë e shekullit XIV ishte edhe Andrea II Muzaka, i cili theu në vitin 1370 pranë Kosturit mbretin serb Vukashin, që ishte zotëruesi i Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore16.
Pas kësaj fitoreje të bujshme, perandori bizantin Joani V Paleologu i konfirmoi Andreas II Muzaka titullin e despotit (princit), duke i dhuruar edhe stemën perandorake bizantine, që ishte shqiponja e zezë me dy krerë e me yll në mes, vendosur në një fushë të artë. Kjo zëvendësoi emblemën e hershme të Muzakajve, e cila paraqiste një burim që shpërthente nga toka dhe ndahej në dy rrjedha, duke pasur një pishtar në mes17.
Skënderbeu si nip i Muzakajve (nga e ëma, Vojsava), e huazoi prej tyre shqiponjën dykrenore si simbol të shtetit të tij, duke zëvendësuar kështu emblemën që kishte trashëguar nga i ati, Gjoni, i cili përdorte si stemë figurën e një princi (burri) me flokë të gjatë dhe togë18.
Për herë të parë në histori emblema e Gjergj Kastriotit me shqiponjën dykrenore shfaqet në vitin 1451, e paraqitur në një libër uratash që iu dhurua Skënderbeut nga Alfonsi V, mbret i Napolit, me rastin e nënshkrimit të Traktatit të Gaetës, më 26 mars 145119, nëpërmjet ambasadorëve të Kastriotit që nënshkruan këtë traktat, peshkopit Stefan të Krujës e domenikanit Nikola Bergucit dhe protonoterit Arnald Fonoleda, përfaqësues i Alfonsit20.
Nga disa të dhëna të tjera të sakta, rezulton se: “Gjergj Kastrioti u lind nga nëna shqiptare Vojsava (Vaissa-vajzë) Tribalda, me fe asokohe ortodokse, e bija e Gërgur Tribaldës nga Gësradeci – Pollog, i shpallur zot i Pollogut në kishën e Leshës (Leshkë/Leshok), Tetovë, princ nga dinastia e Topiajve, dhe baba katolik shqiptar21.
Nga sa parashtruam këtu, del dukshëm që prejardhja e VojsavaTribaldës dhe e të atit të saj, princit Gërgur është shqiptare,
Për ta përfunduar një herë e mirë çështjen e origjinës së Vojsava Trebalda – Kastriotit dhe për ta patur sa më të qartë atë, po i kthehemi edhe një herë njoftimeve që na jep Gjon Muzaka, me synimin për të hartuar një peme gjenealogjike mbështetur në të dhënat për princin Gërgur Tribaldën dhe kryesisht në përputhje të njoftimeve të Gjon Muzakës, i cili thotë:
“ – Dihet që zoti Gjon Kastrioti ishte babai i zotit Skënderbeg dhe ishte martuar me zonjën Voisava Tripalda me të cilën pati katër djem dhe pesë vajza.
– Gjyshi i zotit Skënderbeg quhej Pal Kastrioti dhe zotëronte dy fshatra: Sinjën dhe Gardhin e poshtëm.
– Zotit Pal Kastrioti i lindi Gjon Kastrioti i cili u bë zot i Matit, dhe gruaja e Gjonit quhej Vojsava Tribalda e cila ishte nga familje fisnikësh. Ju duhet ta dini gjithashtu se ata ishin të lidhur me markezin e Tribalda-s. Le t’ju informoj se si ata (Gjon Kastrioti), ishin të lidhur me këta (markezin Tribalda) nëpërmjet gruas së tij (Vojsavës).
– Siç e dini ju, zotit Vlash (Blaise) Muzaka i kishte lindur zonja Teodora, e cila ishte martuar me zotin Pal, djalin e zotit Vuk Zardari. Ky zoti Vuk Zardari ishte vetë pronari i një toke që quhej Zardaria (Zall-dardha?).
– Dhe zonja Teodora dhe zoti Pal lindën zonjën Maria, e cila ishte dukesha Ferrandina.
– Kështu, nëse e kuptuat drejt, le t’ju them juve se zotit Muzaka i lindi zoti Andrea, gjyshi im dhe zoti Vlash (Blaise). Gjyshit tim, zotit Andrea, i lindi zoti Gjin, babai im dhe zonja Maria, e cila ishte nëna e zonjës Skanderbeg (pra e Vojsavës). Zotit Vlash (Blaise) i lindi zonja Teodora e cila u martua me zotin Pal Zardari. Atyre u lindi zonja Maria e cila ishte dukesha Ferrandina.
– Mua vetë, zotit Gjon Muzaka, më lindi djali, zoti Gjin. Zonja Qerama (Cherana), nëna ime, ishte bijë e zonjës Maria, e motrës së zotit Vuk Zardarit.
– Nëna ime dhe zoti Pal, babai i dukeshës Ferrandina ishin kështu kushërinj gjaku. Por martesa e zonjës Maria me zotin Vranakonti ndodhi në kohën kur pothuajse të gjithë princat e Shqipërisë u shpartalluan nga sulltani… Kështu zoti Vranakonti u bë duka Ferrandina”22.
Gjin I Muzaka — Suina, e bija e Matrëng Arianit Komnenit.
↓
!———————————————————————————–!
↓ ↓
Andrea II Muzaka —– Kirana, e bija e Gjon Zenebishit, Vlash (Blaise) Muzaka
↓ zot i Gjirokastrës. ↓
↓ Teodora — Pali, djali i Vuk Zardarit, zotit të Zardarias.
↓ ↓
↓ Maria, dukesha Ferrandina – Vranakonti Altisferi
!—————————————————————–!
↓ ↓
Gjin II Muzaka —- Kirana, bija e Maries, Maria Muzaka — Gërgur Tribalda, zot i Pollogut, princ nga
↓ (e motrës së Vuk Zardarit) ↓ dinastia e Topiajve.
↓ dhe mbesa e Palit, ↓
↓ sebastokrator, zot i Gorës. ↓
↓ ↓
Gjon Muzaka Vojsava Tribalda —– Gjon Kastrioti
↓ ↓
↓ !——————————————————————————————-!
↓ ↓ ↓ ↓ ↓ ↓ ↓ ↓ ↓ ↓
Gjin III Muzaka Mara Stanishi Angjelina Reposhi Jella Konstantini Vlajka Gjergji Mamica
Ne këtu në këtë shkrim përmendëm emrat e disa studiuesve serb dhe maqedonas që janë munduar ta nxjerrin sllave Vojsava Kastriotit dhe nuk zumë në gojë asnjë emër të ndonjë shqiptaruci apo shqipselxhuku, jo për t’i kursyer këta, por ngaqë nuk ia vlen, aq më tepër që atyre ua ka dhënë përgjigjen Skënderbeu vetë kur, në çastet e fundit të jetës së tij, i dha këshilla të birit, Gjonit dymbëdhjetëvjeçar, duke e porositur me njërën prej tyre: “Biri im, në rast se don që të bjerë ndonjë nga kështjellat e tua në dorën e armikut, vendos për ta ruajtur atë një garnizon të kësaj skote, ata do t’ia dorëzojnë atij menjëherë pa luftë!”.
————————————-
1) Marin Barleti, “Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut”, botimi i dytë, L. I, f. 54, Tiranë 1967.
2) Demetrio Franco, “Commentario delle Cose dei Turchi e del Signor Giorgio Scanderbeg, Principe di Epyro”, kap. I, f. 2, v., Veneti 1545.
3) Constantin Jirecek, “Geschichte der Serben”, Vëll. II, f. 6, Gotha 1918.
4) Carl Hopf, “Chroniques Greco-Romannes, inédites ou peu connues”, Berlin 1873, f. 295.
5) Carl Hopf, Po aty, f. 301.
6) Giammaria Biemmi, “Istoria di Giorgio Castrioto Scander-begh”, Brescia 1742, L. 1, f. 4.
7) F. S. Noli, Historia e Skënderbeut (Gjerq Kastriotit) Mbretit të Shqipërisë 1412-1468, Boston 1921, në “Vepra 4”, Tiranë 1989, f. 68.
8) Carl Hopf, vepër e cituar, f. 308.
9) Carl Hopf, po aty, f. 301.
10) Miklosich, “Monumenta Serbica Spectantia Historiam Serbiae, Bosniae, Ragusii”, Vienë 1858, f. 178; Novaković, “Zakonski Spomenici Srpski Drzava Srednjega Veka”, Beograd 1912, Nr. LII, f. 190-1; Acta et Diplomata Res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia, Vienë 1918, Vëll. II, Nr. 249, f. 57.
11) Acta et Diplomata Res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia, Vienë 1918, Vëll. II, f. 57. Col. 2, shën. 1.
12) Makushev, ”Monumenta Historica Slavorum Moridionalium Vicinorumque Populorum”, Beograd 1882, Vëll. II, f. 123.
13) Jovan Ivanov, “Balgarski starini od Makedonija”, Sofje 1931; Q. Radojiçiq, “Ko je podigao manastir Zaum”, Beograd 1954; Mihajlo Dinić, ”Oblast Brankovića”, Prilozi za književnost, jezik, istoriju i folklore 26 (1960); R. Mihalqiq, “Kraj srpskog carstva”, SKZ, Beograd 1975; M. Shuica, “O Cezaru Gerguru”; Boban Petrovski, “Srednovekovni naselbi i patishta vo Pollog”, Shkup 2015; Strashimir Dimitrov, “Georgi Kastrioti Skenderbeg. 1468-1968.”, Sofje 1970.
14) L. Stojanoviq, “Stari srpski zapisi”, Beograd 1982.
15) Ilmi Veliu, Nëna e Skënderbeut, Vojsava Tribalda, ishte puro shqiptare, nga Pollogu i Iliridës, në linkun elektronik “Etimologji”, dt. 25 korrik 2017.
16) “Histori e Popullit Shqiptar”, Tiranë 2002, f. 294.
17) Gjon Muzaka, “Memorie”, Tiranë 1996, f. 24.
18) Gjin Varfi, “Heraldika Shqiptare”, Tiranë 2000, f. 27.
19) Gjin Varfi, po aty, f. 32.
20) F. S. Noli, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405-1468), në “Vepra 4”, Tiranë 1989, f. 291, shën. 294.
21) Naim Flamuri, Nana e Skënderbeut (për ata që duan ta dinë), në linkun elektronik “Konica.al”, dt. 17 korrik 2017.
22) R. Elsie, “Early Albania, a Reader of Historical Texts, 11th -17th Centuries”, Wiesbaden 2003, p. 34-55.
( Marrë nga Konica.al )