A duhet të shqetësohemi për variantin Omicron?

Javën e kaluar, një variant i ri i Covid-19 u zbulua nga shkencëtarët në Afrikën e Jugut.

Që atëherë, raste të tjera janë raportuar përtej Afrikës Jugore, duke përfshirë Belgjikën, Kanadanë, Izraelin, Australinë dhe Britaninë e Madhe.

Dhe me paralajmërimin e OBSH-së se varianti Omicron paraqet një rrezik shumë të lartë në botë, shkencëtarët po përpiqen të zbulojnë të dhëna rreth transmetueshmërisë dhe sa efektive do jenë vaksinat e koronavirusit kundër tij.

Mirëpo, një nga mjekët e parë që vuri re simptomat dhe që dyshoi për një lloj të ndryshëm të koronavirusit është shprehur se varianti Omicron ka shfaqur simptoma të buta dhe për më tepër mund të trajtohet në shtëpi.

Dr.Angelique Coetzee, e cila është kryetare e Shoqatës së Mjekëve të Afrikës së Jugut, i tha Reuters se më 18 nëntor, ajo vuri re shtatë pacientë në klinikën e saj që kishin simptoma të ndryshme nga varianti Delta.

Ajo trajtoi rreth 30 pacientë dhe tha se simptoma më e zakonshme ishte lodhja.

“Lodhja është një nga simptomat më të zakonshme që pacientët shfaqin. Por edhe dhimbja e lehtë e kokës, trupit dhe një ngacmim në fyt”, tha Dr.Coetzee.

Ajo theksoi se ndryshe nga varianti Delta, pacientët deri më tani nuk kanë raportuar humbje të shijes apo nuhatjes. Dhe as një rënie të theksuar të nivelit të oksigjenit.

Ndërkohë në kuadër të situatës së krijuar nga varianti i ri OBSH ka kërkuar nga 194 vendeve që të përshpejtojnë vaksinimin e grupeve me prioritet të lartë dhe të marrin masat e nevojshme për të siguruar shërbimet shëndetësore.

Ndërsa në lidhje me faktin nëse imuniteti dhe vaksina do të ndihmojnë në shmangien e infektimit nga lloji i ri i virusit, OBSH është shprehur se një përgjigje e tillë pritet që të jepet në ditët në vijim.

Në reagimin e saj Organizata Botërore e Shëndetësisë bën thirrje vendeve anëtare që të përshtatin udhëzimet e tyre të udhëtimit ndërkombëtar në kohën e duhur duke kryer një vlerësim të rrezikut dhe sqaron se do të ofrohen udhëzime shtesë.

 

SHKARKO APP