A e dini sa shpenzon një familje shqiptare për konsum?
Shqiptarët shpenzojnë mesatarisht afro 76 mijë lekë në muaj, për konsum. Këtë tregon Vjetari Statistikor Rajonal i Instat, për vitin 2018.
Ndër shpenzimet mesatare mujore për konsum, sipas qarqeve, vendin e parë e zë qarku i Tiranës, me afro 89 mijë lekë në muaj. Por, fill pas metropolit, i cili në fakt, nuk është surprizë, renditet qarku i Durrësit, me mesatarisht afro 76 mijë lekë në muaj për konsum familjar, përgjatë vitit 2018.
Renditja vazhdon me qarkun e Korçës, përkatësisht me afro 74 mijë lekë në muaj për konsum familjar, qarku i Shkodrës, me afro 73 mijë lekë, etj. Megjithatë, ajo çfarë bie në sy, është se konsumi mujor për disa qarqe ka ndryshuar ndjeshëm.
Si në rastin e qarkut të Dibrës. Sipas të dhënave të Instat, në qarkun e Dibrës, shpenzimet mesatare mujore për konsum janë rritur me afro 11 mijë lekë, krahasuar me vitin 2017, duke pasur kështu rritjen më të madhe të shpenzimeve mujore në rang kombëtar.
Po ashtu, edhe qarku i Vlorës ka rritur në mënyrë të konsiderueshme shpenzimet mujore për konsum familjar, krahasuar me qarqet e tjera të vendit, konkretisht me afro 10 mijë lekë në muaj.
Sipas të dhënave të Instat, edhe qarku i Elbasanit bën pjesë në ato qarqe ku shpenzimet mujore për konsum janë rritur disi, krahasuar me vitin 2017. Po njësoj, në qarkun e Gjirokastrës, Korçës, Beratit, apo Tiranës.
E kundërta ka ndodhur me qarkun e Lezhës dhe të Durrësit, në të cilat është ndjerë rënie e shpenzimeve mesatare mujore për konsum, edhe pse në vlera të vogla. Përkatësisht, sipas të dhënave të Instat, në qarkun e Lezhës rënia ka qenë me 205 lekë, ndërsa në atë të Durrësit, me 385 lekë.