A është Dan Hutra një vrasës serial? Mjeku psikiatër: Jo, ai ka çrregullim të personalitetit
Mjeku psikiatër Neli Demi thotë se Dan Hutra nuk ka tiparet e një vrasësi serial, por se kualifikohet në çrregullim të personalitetit anti-social, persona që, sipas tij, nuk kanë ndjeshmëri empatie dhe keqardhjeje për dëmet që u shkaktojnë të tjerëve.
”Gjakftohtë dhe i vendosur t’i shkojë deri në fund planit. Tipare të një personi pa ndjesi empatie, keqardhjeje dhe zakonisht janë të njohura si çrregullim i personalitetit, ose siç njihet në gjuhën popullore, psikopati. Por kjo nuk e heq nga përgjegjësia para ligjit. Persona të tillë janë rëndom kriminelë dhe karakterizohen nga mungesa e frikës dhe ndjeshmërisë për dëmin që u shkaktojnë të tjerëve.
Mendoj që nuk kemi të bëjmë me një vrasës serial pavarësisht numrit të viktimave. Terminologjia ligjore dhe psikiatrike është e lidhur ngushtë me tipare të përbashkët të viktimave. Në këtë rast nuk kemi një tipar të vrasjeve, akte që kanë të bëjnë me persona që kanë pasur një marrëdhënie të caktuar me të.
Vrasësit serial jo domosdoshmërisht kanë lidhje me viktimat. Të mos qenurit në kontakt me frikën e bën të reagojë në këtë mënyrë. Së fundmi është mediatizuar dinamika e marrëdhënies së tij me viktimat, dyshimet për atësinë e fëmijës, borxhet etj, këto informacione mund të rikijojnë idenë në një shoqëri që ka prirje për të shpërndarë fajin tek viktimat”.